Kombëtarja shqiptare e futbollit ka mësuar edhe kundërshtarët përpara finaleve të Europianit 2024. Të ndodhur në grupin B të “Gjermani 2024”, kuqezinjtë në muajin mars do marrin pjesë në një turne miqësor të zhvilluar në Algjeri.
Veç organizatorëve, pjesë e këtij turneu do jenë edhe Shqipëria, Afrika e Jugut dhe Bolivia. Ky turne me katër skuadra do zhvillohet në datat e lira nga FIFA, mes 18 dhe 26 marsit 2024.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Walid Sadi, presidenti i Federatës së Futbollit në Algjeri. Para fillimit të turneut do hidhet një short, për të mësuar dy ndeshjet gjysmëfinale dhe më pas atë finale. Gjithashtu do ketë edhe një sfidë për vendin tre dhe katër.
Zbulimi i projektit të turneut
Walid Sadi, presidenti i FAF, ndau detajet e turneut me Agjencinë Algjeriane të Shtypit. Para fillimit të turneut do të hidhet shorti për të përcaktuar ndeshjet gjysmëfinale. Walid Sadi theksoi më tej se ndeshjet gjysmëfinale do të luheshin në stadiumin “Miloud Hadafi” në Oran dhe në stadiumin e “19 majit 1956” në Annaba. Turneu do të arrijë kulmin e tij në stadiumin “Nelson Mandela” në Baraki, ku do të zhvillohet ndeshja finale.
Sipas Sadi, në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë anëtarë të shumtë të komunitetit ndërkombëtar të futbollit. Edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino mund ta jetë prezent në finale. Një ngjarje e tillë e profilit të lartë jo vetëm që do të nxisë marrëdhëniet ndërkombëtare të futbollit të Algjerisë, por gjithashtu do të nxjerrë në pah gatishmërinë dhe aftësinë e saj për të pritur turne të rëndësishëm në të ardhmen.
“Algjeria ka pasur privilegjin të caktohet nga FIFA për të organizuar këtë edicionin e parë të këtij turneu ndërkombëtar, i cili do të organizohet nën kujdesin e organizmit ndërkombëtar. Përveç Algjerisë, në turne do të marrin pjesë edhe Bolivia, Shqipëria dhe Afrika e Jugut”, saktësoi presidenti i federatës algjeriane./m.j