Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, mori pjesë sot në takimin për paraqitjen e manualit të treguesve shëndetësorë, nga ku nënvizoi rëndësinë e këtij dokumenti për përsosjen e sistemit të informacionit shëndetësor në Shqipëri.
Beqaj vuri në dukje se situata mbetet problematike nëse i referohemi informacionit lidhur me financimin e sistemit shëndetësor, personelin shëndetësor, apo aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore.
Në këtë kuadër, Beqaj tha se “bazuar në këto zhvillime të fundit në arenën globale, duhet që edhe ne të investojmë në Shqipëri për fuqizimin dhe modernizimin gradual të sistemit të informacionit shëndetësor bazuar në rekomandimet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Është koha për të dhëna më të sakta dhe më të mira për shëndetin e njerëzve. Nga kjo pikëpamje, paraqitja e këtij manuali shëndetësor sot është një hap shumë i rëndësishëm në operacionalizimin, forcimin dhe përsosjen e sistemit të informacionit shëndetësor në vendin tonë”.
Gjatë takimit ai përmendi disa nga hapat e ndërmarra nga ministria si, regjistri elektronik i kontrollit bazë shëndetësor, karta e shëndetit, shëndetësia elektronike, receta elektronike, nënshkrimin elektronik, prenontimi elektronik i vizitës, regjistrat e sëmundjeve dhe llogaritë kombëtare të shëndetësisë.
Në këtë këndvështrim, sipas tij, përmirësimi i sasisë dhe i cilësisë së të dhënave administrative të kujdesit shëndetësor në të gjitha nivelet do t’i mundësojë ministrisë së Shëndetësisë hartimin e politikave dhe programeve për përcaktimin e prioriteteve dhe politikave shëndetësore bazuar në fakte shkencore.
“Manuali i treguesve shëndetësorë që janë konsideruar të rëndësishëm dhe relevantë për Shqipërinë është një dokument shqiptar, natyrisht në përputhje të plotë dhe bazuar në rekomandimet e OBSH-së dhe të gjitha organizatave të tjera të Kombeve të Bashkuara sipas mandateve të tyre përkatëse”, nënvizoi Beqaj.