Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se, protokolli me Italinë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit ka një kuadër të plotë, mbi baza ligjore dhe pa kosto financiare për Shqipërinë.
Në fjalën e tij në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare ku u shqyrtua projektligji “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit””, Peleshi u shpreh se, “në datën 6 nëntor Këshilli i ministrave ka miratuar Protokollin ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit. Ky projekt ka ardhur si propozim i palës italiane dhe më pas dy ministrat, ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Brendshëm kanë iniciuar projekt/vendimin e miratimit të këtij protokolli në Këshillin e Ministrave”.
Natyrisht, shtoi Peleshi, “këtu bëhet fjalë për flukse emigrantësh të parregullt dhe duke qenë se ministria e Mbrojtjes ka në misionin e vetë, në fushën e përgjegjësisë, ruajtjen e integritetit, sovranitetit, natyrisht që kjo legjitimon edhe bashkë inicimin tonë së bashku me të gjithë implikimet e tjera, potenciale, hipotetike që ky projekt mund të sjellë për ministrinë e brendshme. Ndaj ne të dy ministrat kemi iniciuar këtë pr/vendim, i cili u miratua një muaj më parë në Këshillin e Ministrave”.
“Ky pr/ligj propozon ratifikimin e Protokollit në përputhje me nenin 121 të Kushtetutës dhe nenin 17 të ligjit të sipërpërmendur. Në kuptimin e nenit 121 të Kushtetutës, ratifikimi është i nevojshëm për arsye se protokolli implikon çështje që lidhen me vendosjen në përdorim për një kohë të kufizuar, të palës italiane, të një sipërfaqeje pasurie shtetërore shqiptare. Pra, kjo është arsyeja, baza ligjore, pse ne po vijmë para parlamentit me kërkesën për ratifikimin në parlament të këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, pra të Protokollit ndërmjet dy qeverive tona”, u shpreh Peleshi.
Peleshi u shpreh se “ky pr/ligj ka një kuadër të plotë, mbi baza ligjore dhe pa kosto financiare për Shqipërinë, por me shumë përfitime morale në kuptimin e raportit ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë dhe Shqipërisë dhe BE. Sepse fenomeni i emigracionit të parregullt nuk është një shqetësim vetëm për vendet tona të Evropës jugore, por është shqetësim për të gjithë BE-në, sepse siç e dimë edhe destinacioni i këtyre flukseve është drejt në thellësi të Evropës në vendet kryesore të BE.
“Me këtë gjest politik, Shqipëria nuk është më pjesë e problemit, por është pjesë e zgjidhjes, sa i përket këtij fenomeni. Dhe kjo na bën të vendosur ta çojmë përpara dhe të kërkojmë me shumë siguri dhe me shumë bindje miratimin, mbështetjen tuaj të Komisionit dhe më pas të gjithë deputetëve të Kuvendit të këtij Protokolli”, tha ai./m.j