Një ditë më parë u njoftua se Drejtori i Institucionit të Ekzekutimit të Veprave Penale në Fushë-Krujë, Durim Toska është shkarkuar.
Burime bëjnë me dije se shkak për këtë është bërë dhuna ndaj bashkëshortes së tij.
Kjo e fundit është pajisur edhe më urdhër mbrojtje. Gjatë kontrollit në shtëpinë e Toskës, uniformat blu kanë gjetur edhe një pistoletë me municion luftarak, të cilën 52-vjeçari e posedonte pa leje.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin D. T., 52 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak, të cilën 52-vjeçari e posedonte pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
/a.r