Në ambientet e Presidencës, kreu i shtetit Bajram Begaj ka mbajtur sot pritjen zyrtare në kuadër të festimeve për 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në pritje kanë marrë pjesë figura të shquara nga vendi dhe Kosova, por edhe zyrtarë të ambasadave të huaja në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij Presidenti Begaj u shpreh se kjo ditë e ka gjetur Shqipërinë një hap më pranë Bashkimit Europian.
Ai shtoi se ka ardhur momenti që të sigurohet vota e diasporës, si edhe të kushtohet vëmendje e veçantë për zhvillimin e arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë.
Nga ana e Presidentit nuk mungoi as një thirrje për parlamentarët, për të cilët tha se në jetën parlamentare duhet të udhëhiqen nga kompromisi dhe jo nga konfrontimi.
“Kemi fatin të kemi dy shtete shqiptare në rajon. Bashkëpunimi me Kosovën duhet të jetë sa më i ngushtë dhe përplotësues. Kemi edhe më shumë për të bërë për t’u ngritur në nivelin e pritshmërive të qytetarëve tanë. Faktori shqiptar ka dalë në një dritë të re në marrëdhëniet rajonale dhe ndërkombëtare.
Angazhimi ynë diplomatik duhet të ecë paralelisht me përmirësimin e jetës politike brenda dhe jashtë vendit. Shqipëria konkurron me vendet e tjera sa i përket burimeve të saj njerëzore. Ekonomia ka njohur rritje të mirë dhe vëmendje duhet të kushtohet për shëndetësinë, bujqësinë dhe arsimin.
Është po ashtu momenti që të sigurohet vota e diasporës dhe përfaqësimi i saj politik me reformën zgjedhore. Shqipëria ndërtohet me besim dhe dashuri për këtë tokë. E ardhmja nuk pritet, ajo ndërtohet.
Bëj thirrje për përfaqësuesit në Kuvend që të punojnë për një Shqipëri që ka interes të mirën e të gjithëve dhe në jetën parlamentare të udhëhiqeni nga kompromisi dhe jo nga konfrontimi”, tha Begaj mes të tjerash gjatë fjalës së tij./m.j