Mund të ketë zgjatur për mbi dy dekada por tani që vendimi në gjykimin e liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç po afron, prokurori i tij i OKB-së thotë se kurrë nuk është vonë për drejtësinë. Më shumë se 20 vjet pas torturues 44-mujore të Sarajevës dhe masakrën e pothuajse 8,000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë, Karaxhiç do të dëgjojë më 24 mars nëse gjyqtarët e kanë gjetur atë fajtor për 11 akuza, përfshirë dy të gjenocidit.
“Ka pasur shumë gjykime të rëndësishme në këtë Tribunal, ka pasur edhe vendime shumë të rëndësishme, por kjo në lidhje me Karaxhiçin pa dyshim se do të jetë një prej më të rëndësishmeve në histori të Tribunalit”, ka thënë Serge Brammertz për AFP-në.
Pas vdekjes së ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Milosheviç më 2006 derisa po gjykohej nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi (ICTY), Karaxhiç do të jetë politikani i nivelit më të lartë që do të gjykohet për krimet e kryera gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në vitet e ’90-ta, transmeton Koha.net.
Kjo e bënë vendimin “shumë të rëndësishëm për sa i përket përgjegjësisë së liderëve politikë për vuajtjet e popujve të tyre”, ka thënë Brammertz.
Brammertz kishte vetëm pak muaj në detyrën e kryeprokurorit të ICTY-së kur pranoi një telefonatë korrikun e vitit 2008 që thoshte se, pas 13 vjetësh në arrati, dukej se Karaxhiçi do të kapej. Ishte një moment i rëndësishëm. Kjo për shkak se të gjithë po bëheshin “shumë pesimistë” me punën e tribunalit të themeluar më 1993 për kapjen e të arratisurve. Deri më tani, një datë për përfundimin e misionit të Tribunalit është tejkaluar – viti 2010.
Dhe ende, në çdo takim me grupet e viktimave, “kërkesa kryesore” gjithmonë ka qenë arrestimi i Karaxhiçit dhe shefit famëkeq ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq.
Me marrjen e kalimit se një prej personave më të kërkuar është kapur dhe do të dërgohet drejt Hagës, Brammertz e kishte ndjerë peshën e momentit dhe atë “që përfaqësonte për ato mijëra viktima që e kishin pritur këtë ditë”.
“Të gjithë e dimë thënien se ‘drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar’, por në këtë rast specifik, kurrë s’është vonë. Dhe do të sjell drejtësi për viktimat”, thotë Brammertz.
Masakra e Srebrenicës, një enklavë e mbrojtur nga OKB, ka qenë “krimi më i rëndësishëm i vetëm i kryer që nga Lufta e Dytë Botërore në tokën evropiane”.
Më shumë se 10,000 persona, përfshi 1,500 fëmijë, vdiqën gjatë rrethimit të Sarajevës.
Karaxhiç doli para gjyqit tetorin e vitit 2009, ndërsa argumentet përfundimtare u përmbyllën tetorin e vitit 2014. Brammertz hedh poshtë kritikat se ICTY vetëm se po i rikthen në skenë kujtimet e dhimbshme që kanë ndodhur kohë më parë dhe të cilat duhet të pushohen.
Megjithatë, ai pranon edhe kufizimet e tribunalit – thotë se disa prej atyre që kanë kryer krime mund t’i kenë shpëtuar rrjetës. “Drejtësia është bërë, pa dyshim. Për të gjitha viktimat? Fatkeqësisht jo, sepse ne duhet të përzgjedhim raste”, ka thënë Brammertz.
Tribunali – i cili ka ngritur padi për 161 persona, më shumë se çdo tribunal tjetër ndërkombëtar – nuk ia ka dalë që të “ndjek penalisht çdo dhunim, çdo masakër dhe krimet tjera të rëndësishme”. “Kjo është padyshim një prej frustrimeve tona më të mëdha”, ka theksuar ai.