Deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj, është skeptik ndaj marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për kampet e refugjatëve, duke ngritur pyetjen “kujt i duhet kjo”.
Sipas tij, marrëveshja nuk është pritur mirë nga italianët.
Nuk e kam të qartë pse vetëofrohet Shqipëria? Nëse bëhet fjalë për toka, Italia ka toka plot. Nëse është çështje që Italia të ikë nga ligjet e veta, e kam të vështirë ta pranoj”.
As nga lezhjanët nuk është pritur mirë kjo marrëveshje, tha Gjemarkaj.
“Nuk e kuptoj se çfarë fiton Shqipëria. Në Lezhë, kjo nuk është mirëpritur. Krijohet një geto në një zonë turistike. Do të jetë një kamp i hapur.
Një shqetësim i Evropës këto kohë është eksportimi i terrorizmit. Si do t’i trajtojë Shqipëria problemet e të drejtave të njeriut. Nuk di t’i vë një emër. Nëse bëhet si investim personal i kryem, pse duhet të bëhet kjo me shpenzimet e Lezhës. Ne pritëm afganët, por ata ikën nga lufta. Ishin njerëz të elitës. Pse t’i presë Lezha të gjithë?”
Nuk e di se kujt i shërben kjo, shtoi më tej deputeti.
Sipas marrëveshjes, kampet e refugjatëve do të ndërtohen në Gjadër të Lezhës.
Pala shqiptare i njeh palës italiane të drejtën për përdorimin e zonave, të cilat jepen pa kundërshpërblim për të gjithë kohëzgjatjen e këtij protokolli. Pala shqiptare e dhe ajo italiane bien dakord se numri i përgjithshëm i migrantëve, nuk mund të jetë më i lartë se 3.000.
Kampet menaxhohen nga pala italiane. Autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të migrantëve, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit, të parashikuara nga legjislacioni italian e evropian.
Hyrja e migrantëve në ujërat territoriale dhe në territorin e Republikës së Shqipërisë do të kryhet ekskluzivisht me mjetet italiane dhe shpenzimet do të mbulohen nga Italia, që do të krijojë edhe qendra shëndetësore për ta.
/a.r