Nga Carlo Bollino
Një dokument ekskluziv i zbuluar nga Shqiptarja.com qartëson akoma më mirë përgjegjësinë e Sali Berishës në planin për të ndihmuar dhëndrin Jamarbër Malltezi dhe ortakët e tij në ndërtimin e 19 kullave mbi truallin sportiv e ish-klubit Partizani, një aferë prej dhjetëra miliona euro mbi të cilat po heton SPAK. Zbulimi i ri ka të bëjë me ndryshimin e destinacionit të atyre tokave, nga përdorim sportiv në përdorim banimi, që deri më tani Sali Berisha, dhëndri në burg dhe vajza Argita e kanë shpjeguar si rezultat i një vendimi të Edi Ramës kur ishte kryebashkiak i kryeqytetit. Është e vërtetë që me 7 mars 2006 KRT e Bashkisë së Tiranës ndryshoi destinacionin e përdorimit të një pjese të atyre tokave, vendim që më pas Sali Berisha që ishte kryetar i KRRTRSH e çertifikoi me 21 nëntor 2006. Pra, sipas familjes Berisha ishte Rama që dha OK e parë për të transformuar kompleksin sportiv Partizani, në kompleksin e 19 kullave të ndërtuara më pas nga Fatmir Bektashi dhe Jamarbër Malltezi.
Një dokument i zbuluar nga Shqiptarja.com tregon se realiteti është i ndryshëm. Siç tregon harta e modifikimit të planit rregullues, që botohet për herë të parë, modifikimi i destinacionit të përdorimit i përkiste vetëm një pjese minimale të sipërfaqes së ish-kompleksit Partizani dhe nuk prekte në asnjë mënyrë, për shembull, fushat sportive mbi të cilat më pas u ndërtuan kullat.
Siç nënvizonte dhe GJKKO në faqen 112 të vendimit me të cilin urdhëron arrestin e Jamarbër Malltezit dhe detyrim paraqitjen e Sali Berishës dhe te Fatmir Bektashit, “Në miratimin e genplanit nga Urbanistika Ligjore e Bashkisë Tiranë është vëne shënimi :”Territori përfshihet ne zonë sportive sipas planit rregullues dhe zone banimi sipas vendimeve te KRRTRSH nr. 1 date 07.03.2006 dhe nr 4 datë 21.11.2006”.
Pra, pas vendimit të planit rregullues të aprovuar nga KRT e Tiranës dhe nga KRRTRSH e Sali Berishës, Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi nuk do të kishin mundur të ndërtonin mbi të gjithë terrenet që po privatizonin, por vetëm në një pjesë të vogël të tyre, pasi vetëm një pjesë e vogël ishte bërë zonë banimi, ndërsa pjesa kryesore mbetej në përdorim sportiv. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese të 21 dhjetorit 2006 i kishte hequr ndërkohë KRRTRSH-së së Berishës çdo kompetencë në lëmin urbanistik, ndaj, në këtë pikë, ishte e pamundur të ndryshohej destinacioni i përdorimit edhe mbi pjesën tjetër të truallit pa konsensusin e kryebashkiakut Edi Rama. Biznesi miliarder i familjes Berisha rrezikonte të mos bëhej sepse ligji mbi sportet vendoste deri në atë moment që terreneve sportive nuk mund t’iu ndryshohej përdorimi as nga qiramarrësit dhe as nga konçensionarët.
Dhe këtu hyn në lojë përgjegjësia e drejtpërdrejtë e Sali Berishës dhe e qeverisë së tij për të ndihmuar biznesin e dhëndrit Jamarbër Malltezi.
Me ligjin nr. 9963 date 21.07.2008, me propozim te Këshillit te Ministrave, në fakt, Berisha modifikon nenin 31 të ligjit mbi Sportet në këtë mënyrë: “Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, kur ka te tille, ne të kundërt jepen me koncension, ne perputhje me ligjin nr. 9663 date 18.12.2006 “Për koncensionet dhe pjesmarrjen e sektorit privat ne sherbimet publike dhe infrastrukture” me kusht qe te mos ndryshojë destinacioni”.
Modifikimi duket të jetë bërë posaçërisht për të favorizuar ish-pronarët e Klub Partizanit të cilëve, jo vetëm iu dha e drejta për të privatizuar objektet sportive, por nuk iu ndalua të modifikojnë destinacionin e përdorimit, pengesë që në fakt mbetet për gjithë të tjerët. Berisha, duke u përpjekur të mbrohet nga akuzat, pretendon se kushti “të mos ndryshojë destinacioni” sipas tij vlente edhe për ish-pronarët, ndërsa SPAK thotë se hartimi i nenit të ri 31 bërë nga qeveria Berisha nuk lë asnjë dyshim: Nëse ka ish pronarë (dhe “rastësisht” Klubi Partizani kishte) ata mund të privatizojnë terrenet pa asnjë kusht. Përgjigja se cili interpretim është korrekt duket qartë në historinë e ngjarjeve të mëvonshme: Pak muaj pas modifikimit të ligjit mbi Sportet, terrenet sportive të Klubit Partizani u privatizuan nga ish-pronarët dhe mbi ato palestra, pishina dhe fusha sportive, Fatmir Bektashi dhe Jamarbër Malltezi mundën të ndërtojnë 19 kulla. Pa asnjë kusht dhe duke injoruar destinacionin e përdorimit sportiv. Pikërisht siç lejonte modifikimi legjislativ i bërë nga Sali Berisha.
Me ngjyrë jeshile, pjesë e Klubit Partizani, të cilit iu ndryshuar destinacioni i përdorimit në 2006. Me ngjyrë rozë, gjithë sipërfaqja e Klubit Partizani me praninë e 19 kullave të Jamarbër Malltezit
Në rreth shënuar me stilolaps pjesa e Klubit Partizani ku është ndërruar destinacioni i përdorimit në 2006 dhe që nuk prek fushat sportive mbi të cilat më vonë u ndërtuan gjithësesi kullat e Jamarbër Malltezit