Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) njoftoi të premten se i ka arrestuar ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, nën dyshimin për pengimin e drejtësisë.
Në një njoftim për media të premten vonë, ZPS-ja tha se ai u arrestua sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Prokurorja e Specializuar.
“Kilaj u arrestua për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës… dhe shkeljen e sekretit të procedurave”, thuhet në njoftim.
ZPS-ja shtoi se ai është transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë të Holandës dhe se do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës “pa vonesa të panevojshme”.
Arrestimi i tij vjen një ditë pasi ZPS-ja njoftoi të enjten se po kryente operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër pengimit të drejtësisë.
Kilaj e udhëhoqi Malishevën në dy mandate, nga 2007 deri më 2009 dhe nga 2009 deri më 2013.
Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./m.j