Komisioni i Etikë perjashtoi 5 deputetë të opozitës me 10 ditë nga Kuvendi pas kaosit të shkaktuar në seancën e të hënës, ku nuk munguan as aktet e dhunës. Kurse deputeti Saimir Korreshi u përjashtua me 3 ditë. I ftuar në emisionin “Frontline” në Report Tv Korreshi me nota humori tha se u “amnistua” me tre ditë për shkak dorës së thyer.
“Kisha një dorë të thyer dhe më kanë dënuar vetëm për njërën dorë”, tha Korreshi.
“Si mund të vijohet me një parlament kur ti mohon një grup deputetësh. Kemi kaq kohë që ata mendojnë se ne lehim, kush është mundësia a ka komisione hetimore a është një e drejtë që na përket. Përjashtimi është turpi më i madh. Ata duan të lozin. Hymë dje ne atje kishin mbyllur dyert sikur me qenë në burg, na kishin lënë një derë banje aty. Se kështu i thotë Linditës. Na trajton si te shtëpia e vetë. Ka qenë një humor të gjithë hyjmë nga dritarja. Si mund të na dalë para garda pa nisur ende seanca”, tha Korreshi në një intervistë me gazetaren Marsela Karapanço duke folur për kaosin e krijuar dje në Kuvend.
Megjithatë grushtin e djeshëm të deputetit Bledjon Nallbati ndaj deputetit socialist Vullnet Sina nuk e quajti normale.
“Pse duhet të arrijmë deri te dhuna. Ndarja e pushtetit nuk ekziston në këtë shtet shqiptar. Nuk shkojmë në parlament për atë rrogën. Maskarallëkun që bëhet në kurriz të qytetarëve duhet ta përcjellim. 10 ditë ne kishim karton të kuq. Që të fillosh e para duhet të respektohet ato që po i mohon opozitës. Ne do presim mandatin tjetër kur të ndërrohen juristët e Kuvendit? Kjo është halabakëri që ndodh me drejtuesit e Kuvendit të Shqipërisë të cilët na kanë mohuar të drejtën për të njohur kryetarin e grupit paralmentar. Na shikojnë të dobët. Seancën e djeshme nuk e quaj normale, siç nuk quaj normale veprimet, edhe pasoja është anormale. 12 minuta më parë komisioni i Etikës na solli njoftim edhe rraketë po të isha nuk do vija dot nga Lushnja”, shtoi Korreshi.
“Isha i dëmtuar dhe nuk më lejonte doktori të bëja boks (kur u pyet nëse u lëndua nga përplasja mes deputetëve të opozitës dhe mazharancës). Edhe Nallbati s’ka pasur atë qëllim. Zoti Sina nuk mund të vazhdonte fjalën në respekt të protestës tonë. Sot u përjashtova se kam zënë foltoren”, tha më tej Korreshi në Report TV.
Korreshi nënvizoi se opozita i kthehet normalitetit në Kuvend vetëm nëse plotësohen 3 kushte.
“Ne kërkojmë 3 çështje. Çështja e kryetarit të grupit parlamentar, çështja e ngritjes së komisioneve hetimore dhe bashkëkryetari i reformës zgjedhore”.
Ai mohoi që situata e krijuar në Kuvend të jetë krijuar për mbrojtjen e Sali Berishës.
“I qëndrojmë tre kërkesave, nëse kërkesat aprovohen jemi të gjithë në parlament në rregull të plotë. Nëse plotësohen këto s’do lindë fare kjo pyetje”, shtoi ai.
Nuk mungoi ironia as ndaj kryedemokratit Lulzim Basha i cili nuk ishte dje i pranishëm në seancën kaotike.
“Basha ishte te byreku, te mullarët e barit”.
Skenari i Rithemelimit duket se do të jetë i njëjtë edhe në seancën plenare të se enjtes, me kaos.
“Aksioni i radhës për të enjten. Ne do jemi të vendosur t’i imponohemi për të drejtat legjitime. Mund të jetë edhe greva e urisë. Është akt ekstrem por mund të ndodhë. Do jem një nga të parët nëse do bëhet. Nuk mendoj që kjo PS qenka kaq e pafrikshme dhe e paprekshme”./m.j