Gazetari Mero Baze thotë se Shqipëria ka nevojë për një frymë të re opozitare, duke shtuar se PD-ja është “parti e turpit”. Ai shtoi se PD është përdorur në këto 30 vjet për të pastruar fytyrën e familjes së Sali Berishës.
“E rëndësishme është të mos vdes opozita dhe të forcohet fryma opozitare. Të krijohet një opozitë reale dhe e shëndoshë. Udhëheqësit e fortë i heqin vetë emrat e partive kur ata janë të diskredituar, emri i PD është bërë leckë për të pastruar fytyrën e familjes Berisha për 30 vjet, është turp ta mbash njëherë si parti, nuk vlen. Duhet të bëjnë një parti të re dhe një opozitë të re, nuk është më pasuri emri i PD, është një turp edhe për historinë e politikës tonë”, tha ai.
Gjatë diskutimit në emisionin “Real Story”, gazetari dhe analisti Skënder Minxhozi tha se opozita ka marrë një goditje fatale, për shkak se liderët e tyre kanë vepruar vetëm për interesa personale për mbi një dekadë.
“Kjo që ka ndodhur , sidomos pas 8 janarit, pas në atë seli u përdorën shkopinjtë dhe gazi lotsjellës mes vetë anëtarëve të partisë, nuk e di se kishte arsye më për të unifikuar partinë. Jo se këta dy burra grinden sot, për një stemë, e cila vlen shumë pak sot. Opozitarizmi si ide ka marrë një goditje fatale duke pasur dy liderë hipokritë që kanë luajtur vetëm për veten gjatë 10-12 vjetëve të fundit”, tha ai.
Sipas Bazes, historitë kur Sali Berisha thërriste mbështetësit për t’iu kundërvënë drejtësisë, tashmë ka marrë fund.
“Arma më e fortë që ka përdorur Berisha në vite kundër për drejtësinë ka qenë populizmi dhe kundërvënie e turmave kundër drejtësisë, kjo histori ka marrë fund. Historia e njerëzve që të shikojnë 17 kullat e Jamarbërit dhe të venë të vriten për Sali Berishën, ka marrë fund. Janë 17 copë dhe çdo ato demokratë, gjysma e atyre janë pa shtëpi”, theksoi ai.
Më tej, Baze tha se klasa politike në Shqipëri ka kusuret e veta në raport me drejtësinë dhe tashmë ka ardhur koha për t’u përballur.
Ai shtoi se drejtësia e re ka si mbështetje SHBA dhe BE, dhe në këto kushte kjo “erë e re” nuk ka kthim pas.
“Klasa politika shqiptare do kalojë e gjitha në sitën e tyre. PS në pushtet ka ende probleme me drejtësinë, Ilir Meta ka probleme me drejtësinë, Fatmir Mediu ka probleme, Shkëlzen Berisha ka probleme. Këta duhet ta kuptojnë se u ka ardhur ora, u ka ardhur dita dhe duhet të përballen me drejtësinë. Është një drejtësi, e cila ka në krah SHBA dhe BE”, tha ai.
/f.s