Nga Fatos Tarifa
Mendimet e mëposhtme janë produkt i refleksioneve të mia për një kohë të gjatë, të paktën qysh nga viti i largët 1996, kur kam shkruar për herë të parë mbi këtë dukuri. Ato motivohen sot nga gjendja e vendit dhe janë një apel intelektual për klasën politike që drejton Shqipërinë dhe për mbarë shoqërinë shqiptare.
Unë kam një bindje të patundur se arsimi është themeli i të gjithë ngrehinës shoqërore. Pa të s’ka dituri, as shkencë, as mirëqenie, as paqe të qëndrueshme. Në fakt, arsimi, shkenca dhe teknologjia, të cilat e kanë bazën dhe bëhen të mundura vetëm përmes zhvillimit të intelektit, kanë qenë dhe mbeten—në çdo kohë e në çdo vend—faktorët kryesorë të progresit shoqëror.
Për shkak se në Shqipëri, fatkeqësisht, mendja e njerëzve nuk vlerësohet si kapitali më i çmuar për zhvillim e shoqërisë, një numër tragjikisht i madh njerëzish të ditur, të arsimuar e të kualifikiar mirë në universitetet dhe në institucionet kërkimore të vendit, ose në universitete të huaja, janë larguar e vazhdojnë të largohen.
* * *
Migrimi i njerëzve profesionalisht të kualifikuar përbën, natyrisht, një problem të madh global. Trendi është i njohur për të gjithë: Shtetet e Bashkuara marrin pjesën më të madhe të “trurit” nga vendet të tjera, pasi “trutë”, si rregull, “shkojnë” atje ku është paraja. Këtë ligjësi njerëzore nuk ka mundur ta thyejë asnjë vend.
Historia ka dëshmuar se humbja e njerëzve të talentuar është me pasoja serioze për çdo vend, në terma afatgjatë, po aq serioze sa edhe rrjedhja e parave jashtë vendit. Athina nuk e rimori kurrë veten nga ikja e “trurit” të saj në Aleksandri, në periudhën e sundimit të Ptolemeut, kur një numër i madh intelektualësh e lanë qendrën e dikurshme të kulturës, të artit e të filozofisë greke për t’u bërë pjesë e atmosferës intelektuale shumë më atraktive të Aleksandrisë.
Kostandinopoli, ndonëse u rindërtua menjëherë nga turqit, nuk e rimori më lidershipin kulturor e shkencor pas emigrimit masiv të intelektualëve të saj në Europë, çka, nga ana tjetër, ndikoi mjaft në rigjallërimin kulturor të Europës në fundin e Mesjetës, në zhvillimin intelektual e humanist të saj, në Rilindjen Europiane dhe në zhvillimin e shkencave të natyrës në kontinentin tonë.
Qysh nga koha e grekëve të lashtë, shoqëritë që janë zhvilluar më shpejt e më shumë kanë qenë ato që i kanë kushtuar rëndësi zhvillimit të inteligjencës kritike përmes arsimimit dhe progresit në shkenca e në arte.
* * *
Moderniteti, progresi i jashtëzakonshëm shkencor e teknologjik dhe globalizimi e kanë bërë migrimin e “truve”—këtë dukuri të largimit të kapitalit njerëzor, së cilës zakonisht i referohemi si “brain drain”, një dukuri shumë më të spikatur e shumë më problematike në ditët tona.
Ato që e vuajnë më shumë këtë dukuri janë, natyrisht, vendet e vogla e më pak të zhvilluara, ndër to edhe Shqipëria.
Një analizë sociologjike e kësaj dukurie në kushtet e vendit tonë mund të ofronte, pak a shumë, këtë tipologji të shqiptarëve që largohen nga vendi dhe që i kontribuojnë “rrjedhjes së trurit” nga ky vend. Në gjykimin tim—dhe nga sa kam mundur të njoh e të kuptoj deri më sot—propensiteti i njerëzve të mirarsimuar e të kualifikuar për të lënë Shqipërinë është më i lartë ndër këto gjashtë ketegori kryesore:
(1) Djem e vajza që kanë fituar gradën PhD nga universitete të mira perëndimore dhe vendosin të mos kthehen në atdhe pas përfundimit të studimeve doktorale. Grada shkencore e fituar u jep atyre kualifikimin e nevojshëm dhe mundësi më të mëdha për tu punësuar në profesionet e tyre në vendin ku janë doktoruar, ose në vende të tjerë të zhvilluar.
Ky kontigjent nuk është më madhi në numër, por është, sidoqoftë, i konsiderueshëm, vjen duke u shtuar dhe përbëhet, në pjesën ë të madhe, nga njerëzit më të kualifikuar.
Një pjesë e tyre studiojnë, ose janë kualifikuar në disiplina e fusha thuajse tërësisht të panjohura në Shqipëri, ose në të cilat ekspertiza në vend mungon thuajse tërësisht. Të tilla fusha janë shkencat më të avancuara natyrore, robotika, bioteknologjia, inxhinieria biomjeksore, nanoshkenca ose nanoteknologjia etj.
Për këta njerëz, mundësitë për t’u punësuar në Shqipëri janë, sot për sot, ose inekzistente, ose shumë të kufizuara, ndërsa mundësitë për të bërë kërkime në këto fusha e për të avancuar më tej në karrierën e tyre akademie e profesionale janë realisht shumë, shumë të pakta.
Me shumë pak përjashtime, ata që bëjnë pjesë në këtë grup intelektualësh e shkencëtarësh shqiptarë mund të konsiderohen “përjetësisht të humbur”, tru që nuk i riktheheh më vendit, sado të rënda e pesimiste të tingëllojnë këto fjalë.
(2) Djem e vajza të diplomuar e të specializuar në fusha të tilla, si teknologjitë e komunikimit e të informacionit, mjekësia etj., kryesisht në mosha të reja, të cilët, në një moment oportun (shumë prej tyre në mundësinë e parë që u krijohet për një punësim më të mirë, ose të paguar më mirë jashtë vendi), vendosin të largohen. Nëse nuk kanë arsye familjare, shumica e tyre ka pak të ngjarë të kthehen.
(3) Djem e vajza, të cilët kanë fituar një gradë Master Shkencor në universitetet tona shtetërore ose private dhe vendosin të vijojnë studimet doktorale në universitete prëndimore, ose edhe në vende të tjera. Në varësi të fushës së studimit, disa prej tyre mund të vendosin të mos kthehen nëse gjejnë një mundësi punësimin në profesionin e tyre. Këta, sidoqoftë, nuk janë më të shumtët.
(4) Djem e vajza që me vullnetin e prindërve (por shpesh herë edhe kundër vullnetit të tyre), largohen nga Shqipëria sapo mbarojnë shkollën e mesme për të marrë një diploma “Bachelor” në një universitet të huaj, në shumicën e rasteve një universitet çfarëdo, mjaft që të jetë i huaj, edhe pse një arsim shumë të mirë në këtë nivel mund ta marrë edhe në disa prej universiteteteve më të mirë në Shqipëri.
Këta të rinj e të reja, ende adoleshentë, përbëjnë numrin më të madh të atyre që largohen. Një pjesë e madhe e tyre eventualisht nuk kthehen, pasi ose zgjedhin të vijojnë studimet për të fituar një gradë Master (dhe pak prej tyre një gradë PhD), ose përpiqen të “regullohen” me punë e jetesë në atë vend ku kanë studjuar.
Si studentë të nivelit më të ulët universitar (Bachelor), këta të rinj janë vetëm potencialisht pjesë e atij “brain drain” që vuan Shqipëria, po ata janë, sidoqoftë, një humbje e madhe e kapitalit njerëzore për këtë vend.
(5) Një kategori njerëzish të njohur si “nomadë digjitalë” (digital nomads), kryesisht në radhët e moshave të reja, atyre që quhen Millennials—të lindur mes viteve 1981-1996—që sot janë 27 deri 42 vjeç. Këta, “trutë” e tyre, dijen dhe ekspertizën e fituar në shkollat shqiptare ose jashtë vendit, si dhe gjuhët e huaja që njohin, edhe pse jetojnë në Shqipëri, i venë në shërbim të kompanive dhe organizatave të huaja, jo në shërbim të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit. Ky lloj nomadizmi digjital është në fakt, një formë e fshehtë e dukurisë “brain drain”, e cila, në një botë kaq të globalizuar dhe në kushtet e një varësie thuajse totale që ka krijuar globalizimi i shoqërisë, po merr e mund të marrë përhapje edhe më të gjerë.
(6) Bashkëshortët e specialistëve të kualifiuar që nuk kthehen në Shqipëri. Kjo është një kategori jo e vogël, e cila, zakonisht, nuk merret në konsideratë. Është mjaftueshmërisht e arsyeshme të mendohet se, në kohën e sotme, njerëzit e mirarsimuar dhe profesonalisht të kualifikuar në një shkallë përtej asaj që mund të quhej e zakonshme, zgjedhin bashkëshortë me një nivel të përafërt arsimimi e kualifikimi profesional, edhe pse jo domosdo në të të njejtën fushë ekspertize.
Nëse ata (njëri prej tyre, por zakonisht ndodh që të dy) punësohen në kompani, në institucione ose organizata të huaja ose ndërkombëtare, ku aftësitë dhe puna e tyre çmohen dhe paguhen mirë, propensiteti që ata të kthehen në Shqipëri është mjaft i ulët. Eshtë edhe më i ulët nëse çifte të tillë kanë fëmijë dhe shkollimi i mirë i tyre bëhet për ta një përparësi.
* * *
Më sipër vura në dukje se migrimi i njerëzve profesionalisht kualifikuar është një dukuri globale dhe një problem për çdo vend. Problemi i Shqipërisë është se kjo dukuri është e njëkahëshme. “Brain DRAIN” te ne nuk shoqërohet nga një brain “GAIN”, siç ndodh me vendet e zhvilluara. Edhe pse kjo nuk është një dukuri vetëm shqiptare (Kroacia, Rumania, Letonia po përjetojnë të njëjtën dukuri), rasti ynë është mjaft alarmant.
Shoqëritë e industrializuara, si Gjermania, Franca, Anglia, Kanadaja, Hollanda, Zvicra, Suedia, Australia etj., kanë qenë e janë në gjendje që t’i balancojnë—të paktën numerikisht, për të mos thënë edhe cilësisht—humbjet e tyre ndaj Amerikës me njerëz të kualifikuar nga vende më pak të zhvilluara. Në kohën kur shkruaj këto radhë, mbi gjysmë milion profesorë, mjekë, inxhinierë dhe shkencëtarë nga vendet e Bashkimit Europianë i kanë lënë vendet e tyre për pozicione pune më të mira dhe të paguara më mire në universitetet, institucionet kërkimore, laboratorët dhe industritë e Amerikës.
Ndërkohë, qindra mijë ekspertë të kualifikuar nga vende më pak të zhvilluar, si Kina, India etj., kanë mbushur një pjesë të “vakumit” të krijuar në vendet e mësipërme. Humbësit më të mëdhenj kanë qenë e mbeten vendet e pazhvilluar, mes tyre edhe vendi ynë.
Nëse dhjetra mijë shqiptarë të mirarsimuar e të kualifikuar në fusha të ndryshme dhe në profesione që kërkojnë ekspertizë të lartë janë larguar nga vendi, shumë pak të tillë kanë ardhur nga vende të tjera në Shqipëri. Ata që kanë ardhur e vijnë këtu janë krysisht disa mijë pensionistë italianë, disa mijë punëtore të pakualifikuar nga vende të botës së tretë, ose disa dhjetra vullnetarë të Peace Corps.
Shqipëria nuk mundet ta përballojë dot humbjen e të rinjve dhe të njerëzve të saj të ditur e të talentuar, veçanërisht në këtë kohë rimëkëmbjeje të vështirë. Zhvillimi ekonomik e social afatgjatë i Shqipërisë do të varet nga dija që vihet në shërbim të këtij zhvillimi. Sepse, progresi bazohet në dije, dhe dija përdoret nga truri dhe zhvillohet prej tij. Fuqia e trurit njerëzor është çelësi për të fituar të ardhmen. Por, e ardhmja nuk vjen kurrë nëse nuk e planifikon dhe nuk përgatitesh për të. Për fat të keq, Shqipëria ende nuk po mendon për të ardhmen e saj./Gazeta Dita