Në dosjen hetimore të siguruar nga “Ora News” jepet dhe momenti i kanosjes së dy punonjësve të Policisë së Shtetit, nga Firdeus Berberi, ngjarje e cila ka ndodhur në Tiranë.
Dy punonjësit e policisë që janë përballur me Firdeus Berberin, janë Erald Hysenukaj dhe Kristjan Ismaili.
Në kohën kur ka ndodhur ngjarja, (6 Prill 2023), Firdeus Berberi, ishte në kërkim për ngjarjen e goditjes me armë dhe thikë të Johan Muçllarit në Pogradec, pasi prokuroria e Korçës e akuzon për “Vrasje me dashje” të mbetur në tentativë dhe “Mbajtje pa lejë të armëve”.
Të dy policët pas ngjarjes kanë depozituar kallëzim penal ndaj personit që i kanosi me jetë dhe “prishi qetësinë publike”, material që është rregjistruar në prokurorinë e Tiranës dhe tashmë pas dëshmisë së Artan Tafanit, dosja është tërhequr në prokurorinë e Elbasanit.
Në prill 2023 dy policët nuk kanë arritur të njohin Firdeus Berberin dhe s’mundën ta arrestojnë pasi ai ka mundur të ikë me vrap.
Sipas materialit hetimor Berberi, ka kanosur me fjalë të rënda duke ju shprehur policëve se do i vriste, nëse ata hynin në banesën e tij, që ndodhej tek zona e quajtur “Vila L” në “Astir” tek kompleksi “Green City”.
Ngjarja është rregjistruar në 6 prill 2023, kohë kur Firdeusi ishte ende në Shqipëri, kërkohej nga policia dhe nuk ishte larguar në Greqi, me Laert Haxhiun.
Por në këtë periudhë, policia kriminale kishte marë informacion se në zonën e “Vilës L”, qëndronte Artan alias Marjus Tafani, personi kryesor i dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e anëtarit të bandës së Aldo Bares, Elton Mermali alias “Kinezi”.
Marjus Tafani, që sot është kthyer në bashkëpuntorin e prokurorisë ishte zbuluar nga policia e Lushnjës se ishte personi i fundit që kishte takuar dhe marë në makinë, Elton Mermalin.
Zbulimi i tij ishte kryer përmes pamjeve filmike dhe targës së automjetit të makinës. I njëjti automjet me të njëjtën targë, ku kishte hipur Elton Mermali ishte filmuar në një karburant në afërsi të Peqinit, teksa mjeti furnizohej me naftë.
Dyshimet e policisë, mbi rolin e Artan Tafanit në këtë krim ishin shtuar, ndaj policia e Lushnjës dhe strukturat e kërkimit në Policinë e Shtetit, ishin impenjuar për gjetjen e Tafanit dhe marjen e tij në pyetje.
Baza e qëndrimit të tij u zbulua në muajin Prill 2023 në zonën e “Vila L” në “Astir”, por sërisht policia ska mundur të bjerë në gjurmët e tij.Tafani është larguar me shpejtësi pa u vënë re nga policia.
E bashkë me Tafanin, ka ikur dhe Firdeus Berberin i cili në ikje e sipër ka kanosur me jetë dy punonjësit e policisë, Erald Hysenukaj dhe Kristjan Ismaili.
Provat për implikimin e Artan Tafanit në rrëmbimin e Elton Mermalit ishin të qarta në dosje, por policia nuk po e gjente. Të dhënat ishin se në atë periudhë ai u largua nga Tirana, duke shkuar në Delvinë, tek njerëzit e nënës së vet.
Tafani, u zbulua dhe arrestua vetëm pas grabitjes së 30 mijë eurove në një nga pikat e “Tele.Co” në Tiranë.
/a.r