Në një moment të nxehtë për marrëdhëniet Greqi-Shqipëri, profesor Pëllumb Xhufi kujton momentin e zgjedhjes së kryepeshkopit Anastas Janullatos në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. I ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në Dritare TV, zoti Xhufi tha se procedura nisi në Kishën të Rruga e Kavajës, por përfundoi te Hotel Tirana.
Dritan Hila: A kemi ndonjë lloj regresi nga ana e Kishës Autoqefale Shqiptare. A ka ardhur momenti që të bëhet një reformë sepse fakti që kjo është Autoqefale e kërkon dhe bashkëpronësinë e shtetit mbi të, apo jo?
Pëllumb Xhufi: Po e kërkon dhe kështu ka qenë. Mirëpo u bënë kaq shumë lëshime dhe tani është parimi: e drejta e fituar nuk hiqet. Këtu është problemi. Nuk e heq dot atë që e ke lënë të bëhet. Edhe këtu u shkel me të dyja këmbët që më 2 gusht të vitit 1992, ku në valën e gushtit u bë një grusht kishe, te Rruga e Kavajës.
Nën presionin e shtetit grek, me prezencën e autoriteteve greke të ardhur enkas nga Greqia, në një ceremoni që u hoq si një ceremoni e zakonshme e së dielës, shfaqet zoti Dule që atëherë ishte dhjak i kishës dhe thotë jemi që jemi të zgjedhim kryetarin e kishës.
Filloi rrëmuja në kishë pastaj, sepse aty kishte edhe ortodoksë dhe nisën të revoltohen. Kur bëhet zgjedhja e kryepeshkopit, nëse një person thotë, nuk është i denjë, nuk bëhet. Jo vetëm kjo, por e thonë kanunet e kishës që një peshkop i ardhur me ndihmën e pushtetit shekullar është i paligjshëm. Në dy gusht u bënë zgjedhjet në kishe në kundërshtim me kanunet e kishës, në kundërshtim edhe me procedurën. Pasi u bë rrëmujë në kishe, grupi i ardhur nga Athina, Ambasada Greke në Tiranë me kryepeshkopin Janullatos shkuan te Hotel Tirana dhe e mbaruan aty procedurën./m.j