Nga Dedë Kola
Iliana Iotova është Zv.presidentja e Bullgarisë, që ka nisur një vizitë dyditore në Shqipëri. Ajo flet për TemA, për këtë vizitë, duke folur për marrëdhëniet mes dy shteteve por edhe të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Zhvillova takime në nivelin më të lartë, pata biseda të dobishme dypalëshe me Presidentin e atëhershëm Ilir Meta, me Kryetarin e atëhershëm të Kuvendit Gramoz Ruçi, me kryeministrin Edi Rama. Ata më garantuan se të drejtat e pakicës kombëtare bullgare do të respektohen në praktikë, jo vetëm formalisht. Shteti shqiptar ka një politikë konsistente për garantimin e plotë të të drejtave të pakicave kombëtare. Mund të jetë një shembull për vendet e tjera që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kjo është qasja evropiane–mundësi për integrimin e minoriteteve së bashku me ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës, traditave të tyre. Sepse Bashkimi Evropian do të thotë të drejta dhe aty ku ato nuk respektohen, nuk është BE.
Zonja zv/presidente, cila është axhenta juaj gjatë vizitës dy ditore që do të zhvilloni në Tiranë?
-Programi i delegacionit bullgar është mjaft i ngjeshur. Do të kem rastin të takoj Presidentin Bajram Begaj, Zëvendëskryeministren Belinda Balluku, Kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, Ministrin e Punëve të Brendshme Taulant Bala. Kemi shumë tema për të folur-si në kontekstin dypalësh ashtu edhe në atë panevropian. Natyrisht, theksi do të jetë censi. Besoj se ai do të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta evropiane, në kushtet e transparencës së plotë dhe se autoritetet shqiptare do të zbatojnë të gjitha masat e nevojshme kundër përpjekjeve të vendeve të treta për të penguar të drejtën e përfaqësuesve të pakicës kombëtare bullgare për vetëvendosje.
Para publikut shqiptar do të prezantojmë librin e prof. asoc. Spas Tashev “Bullgarët në Shqipëri”. Falenderoj shoqatën “Bullgarët në Shqipëri” që mundëm ta botonim në gjuhën shqipe këtë studim të vyer me këndvështrimin e tij historik dhe bashkëkohor dhe ta prezantojmë në prag të censit. Jam e bindur se libri do të kontribuojë për këtë që bullgarët dhe shqiptarët të njohin më mirë njëri-tjetrin dhe do të zgjojë interes në rrethet shkencore.
Më vjen mirë që do të kemi mundësi të takojmë Rektorin e Universitetit të Tiranës, Prof.Artan Hoxha. Delegacioni bullgar përfshin profesorë nga universitetet bullgare dhe nga Akademia Bullgare e Shkencave. Besoj se do të arrijmë të thellojmë kontaktet në fushën e arsimit të lartë dhe shkencës.
Në fshatin e Ostrenit të Madh, në Gollobordë, do të takohemi me përfaqësues të pakicave kombëtare bullgare, si dhe me përfaqësues të pushtetit lokal. Do të çelim vitin e ri shkollor në shkollën për mësimin e bullgarishtes në qytetin e Elbasanit, ku do të bisedojmë edhe me përfaqësues të minoritetit bullgar.
Vitet e fundit kapitali, pra investimet bullgare kanë shprehur interes në rritje për tregun shqiptar. Doja të veçoja këtu bankën bullgare FiBank, e cila është rritur nga viti në vit-një model përfaqesues i biznesit bullgar, por edhe biznese të tjera në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Duhet evidentuar këtu edhe turizmi, interesi i bullgarëve për të kaluar pushimet në Shqipëri. Pastaj, Koridori 8-të, një arterie e rëndësishme, rajonale, ku shpesh ka patur spekulime, por siç deklaroi para pak ditësh në Tiranë eurodeputeti bullgar Andrey Novakov, se: “autostrada nga Sofja në Tiranë po kthehet në një prioritet strategjik evropian”. Si e gjykoni këtë zhvillim, dhe cili është mendimi juaj, a ka vend që shkëmbimet ekonomike duhet të jenë në një nivel më të lartë?
-Korridori i 8-të është me rëndësi strategjike për konektivitetin dhe tregtinë mes nesh, për forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Në këtë mënyrë do të përmbushet misioni ynë për të krijuar një rajon ekonomikisht të begatë e të bazuar në vlerat e përbashkëta, pluralizmin, lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.
Një zhvillim pozitiv është hapja e linjës direkte ajrore Tiranë-Sofje në dhjetor 2023. Jemi në proces organizimi të mbledhjes së Komisionit të Përzier Ndërqeveritar Bullgaro-Shqiptar për Bashkëpunim Ekonomik.
Do të doja shumë që Procesi i Berlinit të ishte më ambicioz dhe më efektiv. Bashkimi Evropian ofron shumë mundësi, por është në duart tona që të bëjmë një punë më serioze dhe konkrete.
Në vitin 2017, me miratim të Parlamentit Shqiptar, pakica bullgare për herë të parë u përfshi në kushtetutën e Shqipërisë, duke u njohur si minoritet, çka Borisov-kryeministri i atehershem bullgar u shpreh me shume konsiderata duke e quajti këtë akt “një ngjarje historike?. Çfarë ka sjellë kjo për pakicat bullgare në Shqipëri?
-Ne kaluam një proces jo të lehtë të njohjes së minoritetit bullgar në Shqipëri, u deshën shumë vite, por falë politikës konsistente të një sërë politikanësh bullgarë, përfshirë edhe në nivel evropian, arritëm këtë sukses. Natyrisht, kemi ende punë për të bërë. Pres nga ana e shoqatave bullgare që të jenë më aktive. i falënderoj ata për fushatën aktive para censit, nuk është një detyrë e lehtë duke pasur parasysh presionin e ushtruar nga përfaqësuesit e minoriteteve të tjera. Dua t’u bëj thirrje që të mos kenë frikë të vetëdeklarohen si bullgarë. Ata kanë mbështetjen e shtetit bullgar. Sa më shumë janë qytetarët shqiptarë që do të vetëidentifikohen si bullgarë, aq më shumë vëmendje dhe kujdes do të marrin nga shteti shqiptar dhe bullgar-për ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës, traditave bullgare, si dhe për zhvillimin e rajoneve të banuara me përfaqësues të pakicave kombëtare bullgare. Problemet ekonomike dhe sociale nuk janë të pakta në këto rajone.
Dua të theksoj se e konsideroj sukses finalizimin pas më shumë se një viti të procedures për emërimin e përfaqësuesit të pakicës kombëtare bullgare në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Republikën e Shqipërisë.
Znj.zv/presidente Iotova, si mendoni ju, sa ndikojnë mbështetja dhe mbrojtja e pakicave, reciprokisht në vendet tona, për njohje më të mirë të traditave, zakoneve dhe në afrimin midis dy popujve dhe qeverive tona?
-Përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshme etnike janë motori i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Njohja e ndërsjellë është garanci për zgjidhjen më të lehtë të problemeve të mundshme, është çelësi i bashkëjetesës paqësore dhe rruga e suksesshme përpara. Sot çdo qytetar i Europës ka të drejtën e vetëidentifikimit, ka të drejtën ta tregojë dhe ta mbrojë identitetin e vet. Jam plotësisht e bindur se të zhvillohesh me sukses, të jesh adekuat me realitetin modern, nuk do të thotë të heqësh dorë nga identiteti yt. Në të kundertën.
Ja për shembull–hapja e qendrave kulturore në Sofje dhe Tiranë do të nxisë njohjen më të mirë dhe kontaktet mes dy popujve.
Në Shqipëri veprojnë dhe janë organizuar afro 10 shoqata të pakicave bullgare, si në Gorë, Gollobordë, Tiranë, Korcë, Berat, etj. Çfarë roli duhet të luajnë këto shoqata për të ruajtur traditat, sidomos gjuhën, e cila për arsye të ditura historike nuk është në nivelin e duhur?.
-Shqipëria e ka komunitetin bullgar të ruajtur më mirë në Ballkan. Për shekuj me radhë janë ruajtur gjuha arkaike bullgare, traditat dhe kultura bullgare. Është një ndjenjë e papërshkrueshme kur dëgjon dikë të flasë gjuhën bullgare, të cilën paraardhësit tanë e kanë folur që në “Shekullin e Artë” të shtetit bullgar-pra fundi i shekullit të 9-të dhe fillimi i shekullit të 10-të. Por kjo nuk mjafton sot në botën moderne. Pasardhësit e bullgarëve këtu duhet të dinë gjuhën letrare bullgare, kjo do t’u hapë atyre shumë mundësi, si për shembull studimi në shkollat e larta bullgare. Në këtë drejtim kemi shumë punë për të bërë-të zgjerojmë rrjetin e shkollave të ashtuquajtura të së dielës, ku mësohet bullgarishtja, të zhvillojmë bashkëpunimin mes universiteteve bullgare dhe shqiptare.
A ka qeveria bullgare projekte për të financuar aktivitete të ndryshme që kanë të bëjnë me zhvillimin e këtyre shoqatave, apo projekte infrastrurore për ato zona ku jeton komuniteti bullgar në Shqipëri?
-Shteti bullgar aktualisht siguron fonde në të dyja mënyrat e financimit. Tashmë ka projekte të realizuara, siç është botimi i librit “Bullgarët në Shqipëri”, të cilin do ta prezantojmë zyrtarisht. Janë realizuar edhe projekte më të vogla infrastrukturore. Natyrisht, ka ende shumë për të dëshiruar, ndaj ne kemi një plan për të siguruar fonde për pakicën bullgare në Shqipëri dhe rajonet ku ajo jeton. Gjithashtu presim që me censin do të konfirmohet numri i madh i bullgarëve dhe në këtë mënyrë do të shtohen mjetet financiare për ta.
Znj.zv/presidente Iotova, mesi i muajit shtator, është shoqëruar në shumë vende të botës me hapjen e shkollave bullgare, kryesisht për mësimin e gjuhës bullgare, si Valencia, Barcelone, Athinë, Pragë, etj. Besoi se kjo do të ndodhë edhe në vendin tonë, ku ka disa shkolla të tilla ku fëmijët mësojnë gjuhën bullgare. A është pjesë e programit tuaj, prania në këto evenimente apo prania juaj në Shqipëri ishte një koncidencë me këto ngjarje arsimore?
Dita e parë e shkollës është festë e madhe që është edhe më e madhe në shkollat bullgare jashtë vendit. Unë përpiqem, nëse programi im më lejon, ta ndaj këtë ditë me bashkatdhetarët tanë jashtë vendit–qofshin ata në Siatëll të Australisë apo këtu në Elbasan. Sipas meje politika më e suksesshme e shtetit bullgar për bashkatdhetarët tanë jashtë vendit është politika e arsimimit. Shkollat e së dielës forcojnë shpirtin bullgar, ruajnë dhe përhapin gjuhën dhe njohuritë për Bullgarinë. Ato janë lidhja e drejtpërdrejtë me Bullgarinë. Unë e admiroj zellin e nxënësve që arrijnë të frekuentojnë shkollat e së dielës në fundjavë, pavarësisht të gjitha përpjekjeve në shkollat e tyre gjatë javës. Falenderoj mësuesit bullgarë të cilët me profesionalizëm, përkushtim dhe dashuri të pafund, tërheqin interesimin e fëmijëve për bullgarishten, duke transmetuar dashurinë e tyre të fortë për Bullgarinë. Falenderoj prindërit që nuk i harrojnë rrënjët e vet dhe i rrisin fëmijët me dashuri për atdheun.
Se fundi zonja zv/Presidente, dihet tashmë konflikti i krijuar midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, çka e ka penguar këtë të fundit por edhe Shqipërinë për hapjen e negociatave për integrimin në Bashkimin Evropian. A keni Ju besim se ky problem, përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut do të zgjidhet, ku e kaluara të mos bëhet “ferre” nëpër këmbë për të sotmen dhe të ardhmen, duke luajtur rol në stabilitetin e rajonit Ballkanik?
-Së pari, dua të theksoj se kam qenë gjithmonë mbështetëse e tezës se dy vendet–Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, nuk duhet të ecin së bashku në rrugën e integrimit evropian. Kjo është madje e dëmshme. Duke qenë se konkluzionet e korrikut të 2022-ës të Këshillit treguan qartë ndryshimin në proceset e anëtarësimit të dy vendeve, përparimi i mëtejshëm i Shqipërisë dhe shpejtësia e negociatave varen vetëm nga përpjekjet dhe rezultatet e Tiranës, në përputhje me parimin e meritave të veta. Unë e përgëzoj Shqipërinë për fillimin e negociatave për anëtarësim në korrik 2022–një dëshmi e qartë për progresin e arritur.
Së dyti, Bullgaria është lobisti më i mirë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ju kujtoj se pas një ngecjeje afatgjatë, tema e anëtarësimit evropian të këtyre vendeve u fut në rendin e ditës në vitin 2018 nga Presidenca bullgare e Këshillit të BE-së. Jam e bindur se qëndrueshmëria e Bashkimit Evropian varet nga stabiliteti i Ballkanit Perëndimor. Besoj gjithashtu se pa Ballkanin Perëndimor BE nuk mund të jetë një lider ndërkombëtar.
Sa i përket Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfshirja e minoritetit bullgar në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut është diçka që do të garantojë të drejtat e tyre. Së bashku me njohjen e tyre, ne do të monitorojmë me përpikëri nëse këto të drejta respektohen në praktikë. Jo rastësisht në fillim të bisedës sonë tërhoqa vëmendjen ndaj kësaj se Shqipëria mund të shërbejë si shembull për vendet e tjera sa i përket qëndrimit të saj evropian ndaj përfaqësuesve të pakicave të ndryshme.