Nga Artan Boriçi
Në më shumë se 100 vite Shqipëria ka vuajtur dy izolime me pasoja tragjike për popullin shqiptar. Korrupsioni i thellë i pushtetarëve të viteve 1930 e çoi Shqipërinë në prehërin e Italisë fashiste, e cila financonte buxhetin e shtetit që vidhej në mënyrë të paskrupullt prej pushtetarëve që nxitonin të ndërtonin vila luksoze në Bllok. Tragjedia e pushtimit klasik që pasoi do të kishte qenë më e kufizuar në qoftë se elitat politike dhe ekonomike nuk do të shndërroheshin brenda natës në tregëtarë. Ishte po kjo elitë që jo vetëm nuk iu bashkua Luftës Nacionalçlirimatre por edhe u rreshtua përkrah fashizmit dhe më pas përkrah qeverisë kuslinge të Rajhut të Tretë.
Falë djemve dhe vajzave të saj Shqipëria u çlirua dhe u rreshtua më 29 nëntor 1944 përkrah aleatëve të saj Perëndimorë. Fatkeqsisht, Shqipëria rrëshqiti shumë shpejt në një izolim të dytë duke u bërë pjesë e ndarjes së madhe idoeologjike botërore e duke tradhëtuar kështu besimin e vendit qe e shpëtoi prej zhdukjes nga harta më 1919, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pavarësisht prej korrigjimeve të pjesshme, siç ishtë shkëputja nga blloku komunist më 1960, Shqipëria nuk mundi të kapërcejë largësinë ideologjike deri në vigjilje të viteve 1990.
Kjo histori izolimesh rrezikon të përsëritet edhe një herë në vitin 2016! Shqipëria është e zhytur thellë në korrupsion, në një sistem të korruptuar të drejtësisë që ka marrë peng të ardhmen e saj. Antarësimi në NATO e bën Shqipërinë të ketë detyrime për zbatimin e ligjit dhe aderimin në vlerat Atlantike. Identiteti Evropian i shqiptarëve i mishëruar në martirizimin e kombit gjatë shekullit të 15-të, në themelimin e shkollës laike shqipe në shekullin e 19-të dhe mardhëniet ndërfetare vazhdon të mbetet në kujtesën kolektive të tyre dhe të Shteteve të Bashkuara, të cilat me një rezolutë të veçantë kanë shprehur mirënjohjen ndaj këtij kombi të vogël në mbrojtjen e vlerave Perëndimore.
Shqipëria ndodhet përsëri në udhëkryq në një kohë tepër kritike për vlerat humane në mbarë njërëzimin, në një kohë kur fanatizmi shtetëror dhe terrorizmi por përvijohen gjithnjë e më fort në disa rajone të botës. Megjithëse si vend i NATO-s ajo jep kontributin e vet modest në këtë situatë, është e papranueshme që breda vendit të sundojë pasiguria më e madhe e së ardhmes së vendit këto 25 vitet e fundit. Për sa kohë Shqipëria do të jetë vend me drejtësi të korruptuar? Për sa kohë Shqipëria nuk do mund të çlirojë energjitë e veta për ta nxjerrë vendin prej dhunës së korrupsionit? A rrezikon Shqipëria të vetëizolohet përsëri?
Pasojat e izolimit Shqipëria i njeh mirë, por ajo që ende Shqipëria nuk ka njohur, falë mbrojtjes së paepur prej Shteteve, është shuarja e saj prej hartës gjeopolitike të Evropës. Ende nuk janë mbyllur plagët që prej shuarjes së shtetit famëkeq të ish-Jugosllavisë dhe e njëjta dorë djallëzore, antisemite dhe antishqiptare dëshiron të fusë Shqipërinë nën ombrellën e një shteti tjetër më të zi se pararendësi, një ogur i zi për Ballkanin dhe Evropën. Shqipëria po ia bën punën shumë të lehtë këtyre. Shqipëria ka vetëm një mik dhe atë nuk e përfill, bile e shpërfill, e gënjen dhe e denigron, tregohet cinike ndaj këtij miku të madh. Shqipëria po dhunon kanunin dhe po e pret në besë mikun e shtëpisë. Fatmirësisht, SHBA-të e kuptojnë se aleati i tyre i vogël është i dhunuar nga e keqja dhe hë për hë nuk po heq dorë për ta sjellë të Shqipërinë në rrugë të mbarë. Po për sa kohë? Armiqtë e lirisë dhe domokrasicë ndodhen kudo dhe presin të godasin fuqishëm në çdo cep të planetit. Shqipëria duhet të sillet nga e mbara! Dorën e shtrirë të mikut të vetëm të mbetur, të Shteteve të Bashkuara, ajo duhet ta shtrëngojë fort!