Nga Bajram Peçi
Mirënjohja është vlerë morale dhe nëse në 100 vjetorin e vrasjes së pabesë të gjeneral Enriko Tellinit e përkujtuan përmes statuseve të tyre në facebook qindra qytetarë të elitës intelektuale e më gjërë, ajo shfaq ndjeshmërinë, mirënjohje ndaj kujtimit të këtij dëshmori. Gjeneralin, ngarkuar nga Lidhja e Kombeve për ndarjen e kufijve, e vrau shteti grek.
E kujtuan qytetarët gjeneralin, rënë dëshmor për Shqipërinë, por jo shteti shqiptar. Dhe kam parasysh këtu Presidencën, Qeverinë, Kuvendin, Akademinë e Shkencave dhe gjithë institucionet e tjera buxhetore (një pjesë e tyre parazite) që vegjetojnë në borderotë e thesarit të shtetit. Ndjeshmëria e thellë e shumë prej statusëve që lexova ishte prekëse, por dhe therëse ndaj qëndrimit të shtetit që nuk ndërmori asnjë veprimtari përkujtimore. Kanë të drejtë qytetarët në luzmën e sharjeve që shoqëronin komentet!
Goditja që i jepet historisë e dinjitetit të shtetit e kombit përmes harresës është nga më të rëndat. Mbretëria shqiptare nuk e harroi. U bëri të rënëve në maskrën e Janinës, një bust të gjeneral Tellinit, vendosur në një bazoreliev, në faqen ballore të të cilit u kushtohej emrave të dëshmorëve mirënjohja e Shqipërisë. Bashkia dhe populli i Gjirokastrës shkoi edhe më tej me kushtimin e një memoriali në Kakavijë.
Këto përkushtime mirënjohjeje nuk u mbijetuan kohëve e ndryshimeve. Mbi bazorelievin e Tellinit u vendos një bust i Qemal Stafës, por dhe ky u shkul me gjithë bazamentin, ndërsa memorialit të Tellinit në Kakavi nuk i ka ngelur Nishan. Po kjo sdo të thotë se Shqipëria ngeli pa vepra arti të kësaj gjinie. Ne kemi në Parkun e madh të Tiranës një memorial që u kushtohet ushtarëve turq të rënë në grushtin e shtetit, praninë e të cilit do mund të ta arsyetojnë vetëm Edi Rama dhe Erion Veliaj, ndërsa në jug, Dropull e Krane të Delvinës, ka disa buste që u janë ngritur “vorioepirotëve” në kujtim e mirënjohje të trimërisë së shfaqur për të vrarë sa më shumë shqiptarë, si Thimio Lolis apo Kostandino Kacifas.
Po pse u harrua përkujtimi i gjeneral Tellinit në këtë përvjetor, kur akti terrorist i ndërtuar dhe strukturuar deri në detaje nga shteti grek, i mori jetën njeriut, që nuk i lëshoi hapësirë pretendimeve të egra nacionaliste greke? Pse Mbreti Zog ja njohu vlerat dhe i kushtoi mirënjohje ndërsa më pas u harrua? Ndokush edhe tani mbron broçkullitjen se ka qenë ushtarak i fashizmit, kohë kur vërtet Musolini kish ardhur në pushtet, por ideollogjia fashiste as njihej dhe as mbështetej nga Tellini! Mirë në komunizëm që s’u pranua, por tani, pse nuk jepet mirënjohja që i përket?! Duke i dhënë të paktën ato që ju dhanë në vitet ‘20-‘30 të shekullit të kaluar, i bëjmë nder vetes, kombit tonë!
Fatet e njëjta që patëm si popuj në Luftën e Dytë Botërore, kohë kur u sulmuam dhe u pushtuam nga Italia, duhet të na kishin afruar, por ndodhi e kundërta. Jo pak prej nesh i qëndrojnë fort besimit se politika shtetërore e Greqisë në marrëdhënje me fqinjin shqiptar është po ajo kur organizonte andartët grekë për të vrarë Tellinin dhe ushtarakët e tjerë italianë, që bënin e jepnin sa mundnin drejtësi për kufijtë. Sot, në mos veshur si andartë, sjellin qeveritarë me kostume e kravata të hijshëme, kryetar bashkie të qyteteve greke për të “mbajtur lart frymën e helenizmit”, dmth “Himara i përket Greqisë”. E dinë dhe vet që është një ëndër, ndaj përdorin dhe kërcënimin tjetër, atë të vetos për hyrje në BE.
Ndërsa shkruaj këto radhë, Presidenti i BE-së, Borell, si për ta bërë edhe më qesharake aplikimin, njofton se “deri më 2023-tën shtetet kanditate të “ëndërrojnë” për zgjerimin”, BE-ja është e hapur!
Ashtu si midis njerëzve edhe mes popujve e shteteve miqësitë janë reciproke: sa më jep të jap! Kështu është e kështu rrjedh koha e miqësia me Greqinë.
Sa i përket Tellinit, që u vra nga Greqia në 27 gusht 1923, administratorët e shtetit vërtet e kanë harruar veprën e tij, por kjo si ka penguar të vendosin para Parlamentit Shqiptar një radhë bustesh bronxi, individë, vlera e vetme e të cilëve është se janë marrë me politikë në vitet 2000.