Nga Rudina Koromani, Psikologe Klinike
Pushimet, ndonëse kryhen në periudha të ndryshme të vitit, qëllimin e kanë të njëjtë : largimin nga stresi i përditshëm dhe rifitimin e energjive të reja. Pushimet ofrojnë një mënyrë të re për të perceptuar jetën, kush jeni dhe si e kaloni kohën tuaj. Kur udhëtoni, takoni njerëz të rinj, kultura të reja, përjetoni gjëra të reja, filloni të gjitha llojet e aventurave (qofshin ato të të mira, apo të këqija) dhe ndoshta edhe ripërcaktoni kuptimin tuaj të jetës. Është e natyrshme dhe domosdoshmëri të dëshirojmë një pushim nga rutina, nga puna, nga përgjegjësitë dhe njerëzit që na stresojnë çdo ditë.
Pushimet ju japin paqen e mendjes; Rrisin kreativitetin tuaj; Përmirësojnë aftësitë tuaja komunikuese; Zgjerojnë horizonte të reja; Rrisin besimin tuaj; Mundësojnë përjetimin e eksperiencave reale; Krijojnë kujtime; Ndihmojnë të kuptoni veten.
Sipas neurostudiuesëve, kur udhëtojmë, shumë automatizime të mendimeve e sjelljeve tona zbehen, duke u lënë vendin përvojave të reja që ndërtojnë rrugë të reja nervore në tru, të cilat na bëjnë më kreativë dhe më pranues për ide të reja, rrjedhimisht duke na bërë dhe më të lumtur.
Në aspektin psikologjik, pushimet shihen si mjaft të dobishme për procesin e ndërgjegjësimit të individit, proces vetdijshmërie që shton shanset për një gjëndje të lumtur, çoodhës e të paqtë, duke e bërë individin të ndihet më i pranishëm dhe vetëdijshëm me veten, me njerëzit përreth, mjedisin dhe aktivitetet përreth tyre.
Por jo të gjithë individët arrijnë të përfitojnë maksimalisht nga pushimet, ndonëse përpiqen shumë ….madje disa përfundojnë të jenë më të stresuar, më ankthiozë e disa i bën të marrin vendime për të mos bërë më pushime…Pse ndodh kjo?
Për shkak të disa tipareve të dallueshme të personalitetit; sjellore, emocionale dhe funksionimi ndërpersonal, si : ankthi, trishtimi dhe nervozizmi, perfeksionizmi, ekstraversioni i ulët, mosbesimi etj, të cilat i pengojnë disa individë të arrijnë të shkëputen plotësisht nga stresi i përditshëm që lenë pas kur nisen me pushime… disa të tjerë ruajnë gjendjen e profilit të vazhdueshmëm ankthioz për gjithshka u ndodh, disa të tjerë qëndrojnë në modalitetin e alarmit për pjesën më të madhe të pushimeve të tyre thjesht për faktin se janë në një mjdis të ri e të panjohur, disa të tjerë mbartin nervozizmin duke rënduar gjëndjen e tyre psikologjike…
Një vendndodhje e re që presupozohet të jetë relaksuese për dikë që shkon me pushime, apo eksperimentimi i shijimit të ushqimeve ndryshe dhe njohjeve të reja sociale që mund të jenë qëllimi i pushimeve, për disa individë perceptohen aspak argëtuese e për më tepër stresuese.
Perfeksionistët duket se janë ata që vuajnë më shumë shqetësimin e mosçlodhjes nga pushimet teksa nuk kënaqen me asgjë … të shqetësuar në mendimet e tyre vazhdimisht për të gjitha “gjërat që duhet të bëjnë”, ose “duhet të bëjnë më mire”, apo “përsëri”, perfeksionistët bien në grackat e perspektivave shqetësuese duke mos mundur të shijojnë asgjë.
Pushimet kanë për qëllim reduktimin e stresit duke i larguar individët nga aktivitetet dhe mjediset që ata i lidhin me shqetësimet dhe ankthin, por disa individë nuk arrijnë të shkëputen plotësisht e të ndryshojnë mendësinë e tye, duke ruajtur gjendjet e tyre ankthioze e duke u stresuar më shumë e më shumë …
Shtrohet pyetja: Si mund t’i shijoj pushimet e mia?
Gjithҫka varet nga mënyra sesi e mendoni ….Mendësia e pushimeve është e thjeshtë sa vetë termi: Pushim nga ҫdo gjë.!
Ekspertët vlerësojnë se ndjenja e kënaqësisë së pushimeve dhe çlirimit nga cdo ngarkesë lidhet vetëm më faktin Të jesh i pranishëm në momentin aktual, moment ku koha koha ka pak rëndësi e ku të kënaqesh me veten mbetet përparësi.
Ka diçka shumë të rëndësishme që njerëzit priren ta harrojnë kur bëhet fjalë për pushimet; prirja e nevojës për të parë gjithçka dhe për të mbushur çdo sekondë të pushimeve, i bën të harrojmë qëllimin e pushimeve: koha për të qënë në një vend tjetër ; Pushim/ Relaks.
“Shpesh, pushimi që na nevojitet më shumë është liria nga vetë mendja jonë.” – Jack Adam Weber