Nga Adrian Civici
Në historinë tone moderne ATA, të cilësuarit si “mashtrues të mëdhenj financiarë” janë me qindra e ndoshta me mijëra. Çdo kohë dhe çdo vend ka “përfaqësuesit” e tij të shquar e më pak të shquar. Në llojin dhe mjetet që kanë përdorur për arritjen e qëllimeve të tyre në jo pak raste janë cilësuar edhe si “mendje të ndritura” apo “gjeni të mashtrimit”.
Më shumë se kushdo kanë ditur të kuptojnë dobësitë e njerëzve përballë parave dhe dëshirës për fitime të shpejta e të lehta, përballë mungesës së kulturës monetare e financiare të shumë njerëzve, kanë qenë në gjendje ti dredhojnë ligjeve dhe institucioneve, të joshin politikën dhe median, të sillen si menaxherë të vërtetë por me “zemër të madhe” për të “ndihmuar” të varfrit dhe njerëzit në nevojë.
Por, mashtruesit financiarë, dhe jo vetëm, në mjaft raste janë dhe karaktere të vështira, me komplekse të shumta sociale e psikollogjike e drama nga fëmijëri të vështira të kaluar në varfëri e me prindër të dhunshëm, cka i detyron ta urrejnë shoqërinë, sidomos atë kapitaliste, të urrejnë të pasurit dhe personazhet VIP, ti japin vetes atributet e “Robin Hood” dhe “mbështetësit të të varfërve”.
Dhe, megjithëse shumica dërrmuese e tyre, njëri pas tjetrit kanë përfunduar në burg apo janë shkatëruar në gjithshka që zotëronin, megjithëse me qindra mijëra apo me dhjetra miliona njerëz kanë humbur gjithshka si pasojë e mashtrimeve të tyre, megjithëse mjaft ligje e institucione janë reformuar për të mos lejuar më shfaqjen e tyre, përsëri ata vazhdojnë të rishfaqen.
Historia dhe “vepra” e tyre dëshmon se miopia njerëzore ndaj iluzioneve monetare për pasurim të lehtë e të shpejtë vazhdon të jetë e lartë, se mjafton që dikush të ofrojë në mënyra nga më të çuditshmet mundësinë apo shansin për fitime marramendëse por të lehta në dukje, dhe menjëherë mijëra e miliona njerëz vrapojnë ti besojnë atij paratë, ëndrrat dhe shpresat e tyre.
Megjithëse lista e “mashtruesve të mëdhenj” të konsideruar si “gjenialë” në llojin e tyre është shumë e gjatë, përsëri të krijon përshtypjen e një historie pa mbarim, e një historie që duket sikur askush nuk do ta mësojë apo të mësojë prej saj….!
Natyrisht, mashtrimet dhe mashtruesit financiarë nuk janë një shpikje bashkëkohore, por, referuar leksioneve të historisë, rezulton se ato kanë lindur bashkë me njeriun. E vecanta qëndron në faktin, se gjatë shekujve XIX-të, XX-të dhe në këto dy dekada të shek.XXI-të, mashtrimet financiare janë bërë shumë më të sofistikuara. Lindja dhe zhvillimi i kapitalizmit e ka bërë më të mundshme dhe më të lehtë pasurimin e shpejtë, përfshirë këtu dhe pasurimin e pandershëm, atë nëpërmjet mashtrimeve të të gjitha llojeve.
Gjatë dy shekujve të fundit, “mendjet djallëzore” kanë kërkuar e gjetur metoda e forma të shumta për tju shmangur mekanizmave të kontrollit e transparencës së institucioneve e strukturave përkatëse mbikqyrëse. Vetë tregjet monetare e financiare janë përballur e vazhdojnë të përballen me mashtrime të shumta, efektet negative të të cilave shkojnë deri në destabilizim të tregjeve financiare, falimentime bankare, cënim të arritjeve të Shtetit social, humbje masive të investimeve e kursimeve për individë e kompani të ndryshme, rënie në recesion e depresion ekonomik, etj.
Shekulli XXI-të, i identifikuar tashmë si “shekulli i ekonomisë së re, i dixhitalizimit masiv dhe globalizimit pa limit”, e ka shtuar ndjeshëm rrezikun e mashtrimeve financiare që mbështeten në teknollogjitë e reja të komunikimit, në teknollogjinë që mundëson sistemin e kriptomonedhave, në lindjen dhe përhapjen e bankave të reja të së ardhmes, etj, etj.
Mashtruesit financiarë janë bërë “shumë të aftë nga pikëpamja teknologjike dhe shfrytëzimi i cdo mangësie ligjore e institucionale, por dhe i cdo dobësie njerëzore përballë parasë së fituar lehtë.
I tillë është dhe rasti i Hanno Berger, “Truri” i mashtrimi fiskal 55 miliard euro “cum ex files”
Hanno Berger, “Truri” i mashtrimi fiskal 55 miliard euro “cum ex files”
Ky mashtrim financiar me përmasa gjigande i quajtur “cum ex” konsiston në blerjen dhe shitjen e aksioneve në ditën e derdhjes së dividentit në formën më të shpejtë të mundshme, në mënyrë që administrata fiskale të mos ketë mundësi të identifikojë zotëruesit e tyre.
19 media të rëndësishme europiane zbuluan në tetor 2018 mekanizmin e këtij mashtrimi gjigand i aplikuar nga fiskalistë e financierë “kompetentë” nën drejtimin e avokatit fiskalist gjerman Hanno Berger.
Në këtë “arkitekturë vjedhje fiskale” u bënë pjesë dhe një numër i madh institucionesh të rëndësishme financiare e bankare si grupet bankare europiane Santander, Macquarie Bank, Deutsche Bank, HypoVereinsbank, HSH Nordbank, Commerzbank, BNP Paribas, Société générale, Credit Agricole, etj., në 11 vende europiane : Gjermani, Austri, Belgjikë, Danimarkë, Spanjë, Finlandë, Francë, Itali, Norvegji, Hollandë dhe Zvicër.
Mbas një “aktiviteti” gati 15 vjecar, skandali shpërtheu në Gjermani në vitin 2012. Shuma totale e mashtrimit fiskal llogaritet në 55 miliardë euro, nga të cilat 31.8 miliard euro në Gjermani, 17 miliardë në Franë, 4.5 miliardë në Itali, 1.7 miliardë në Danimarkë, 201 milion euro në Belgjikë.
Berger u akuzua në tre procese penale me akuzën “bashkëpunëtor në evazion fiskal me përmasa të mëdha dhe dëm prej qindra milionë euro”. Vendimi përfundimtar i gjykatës u dha në vitin 2020 në mungesë të Hanno Berger, i cili kishte disa vite që ishte zhdukur nga Gjermania për tu fshehur në Zvicër.
Në verën e vitit 2011, kur sistemi financiar e monetar europian ishte nën goditjen e rëndë të krizës financiare globale të shpërthyer në vitin 2008, në një zyrë modeste të Administratës fiskale në Bon të Gjermanisë, një inspektore fiskale lexonte e rilexonte një letër me një kërkesë të cuditshme të cilën ajo e kishte të vështirë ta klasifikonte në dosjet e saj të përditshme.
Në këtë rast, kjo ishte një kërkesë për rimbursim taksash drejtuar administratës fiskale nga një fond pensionesh, kërkesë mëse e zakonshme, nga ato që mbrrinin me qindra cdo ditë në Byronë federale të taksave nga blerësit e aksioneve të kuotuara në bursë.
Por, kjo kërkesë “specifike” e intrigoi. Fondi i pensioneve kërkonte një shumë të konsiderueshme parash si rimbursim, për një numër mjaft të madh blerje dhe shitje aksionesh në një kohë rekord, vetëm brenda një dite, ditë në të cilën derdhej dividenti.
Për këto transaksione ishin investuar disa dhjetra miliard euro e dollarë, ndërkohë që fondi i pensioneve në fjalë kishte një zotërues të vetëm, një amerikan, rezidenca e banimit të të cilit ndodhej në një zonë rezidenciale në New Jersey, e cila shërbente gjithashtu edhe si qëndër e azilit dhe fondit të pensioneve. Shumë larg Wall Street-it! Nga dolën gjithë këto shuma?
Meqënëse bëhej fjalë për miliarda euro, inspektorja fiskale vendosi “ta ndiqte cështjen më nga afër” dhe të zhytej në botën e komplikuar të transaksioneve financiare të cilat i njihte shumë pak.
Shumë shpejt u ndodh përpara mjaft të “papriturave” dhe pikëpyetjeve të vështira. Pa e kuptuar as vetë, thjesht duke qënë korrekte në punën e saj si inspektore fiskale, ajo nxorri në dritë një nga skandalet fiskale më të mëdha në historinë e Gjermanisë, skandal që pak më vonë u vlerësua në shifrën e 31.8 miliard euro të vjedhura në periudhën ndërmjet viteve 2005-2012.
Nuk bëhej fjalë për një mashtrim të thjeshtë apo fshehje fiskale, por për një vjedhje gjigande në dëm të buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve gjermanë, e kryer nga një bandë e organizuar të ndihmuar nga hedge fund-e, banka, shoqëri brokerimi, avokatë, etj. E cilësuar si “cështja e shekullit”, organizuar dhe zbatuar nga “jaka të bardha” u quajt “CumEx”.
“Truri” ose arkitekti i këtij mashtrimi ishte një avokat fiskalist gjerman i quajtur Hanno Berger, ish funksionar i lartë i zyrës fiskale në Frankfurt, mbikqyrës i bursës dhe bankave i konvertuar si ekspert i të drejtës fiskale. Avokat brilant, shumë i informuar për mjediset bankare dhe financiare, i joshur dhe i vënë në shërbim të milionerëve që kërkonin të përfitonin maksimalisht nga mashtrimet fiskale.
Fillimisht, Hanno Berger filloi punë si asistent në studion juridike “Manfred Wolf”. Mbas mbarimit të doktoraturës në vitin 1980, punësohet në administratën financiare të Landit Hessen, ku punon për 12 vite si auditor fiskal në zyrën qëndrore të administrimit fiskal. Në vitin 1996, largohet nga shërbimi civil dhe bëhet partner në studion legale Pünder, Volhard, Weber & Axster.
Në vitin 1999, transferohet në studion legale amerikane Shearman & Sterling, ndërsa në vitin 2004, transferohet në zyrat qëndrore në Frankfurt të studios ligjore Managing Partner. Në vitin 2010, themelon studion ligjore Berger Steck & Kollegen së bashku me Kai-Uëe Steck, studio e cila pezullohet nga aktivitetet e saj në vitin 2013 kur filluan hetimet kundër Berger & Steck për përfshirjen e tyre në “konsulencën” e skandalit CumEx.
Hanno Berger konsiderohet si “këshilluesi kryesor dhe truri i operacionit “dividend stripping”, i cili i shkaktoi 11 vendeve europiane 55 miliard euro humbje fiskale. Berger, bashkë me Christian Olearius e Paul Robert Mora i ofruan “konsulencë speciale” bankës private MM Ëarburg e cila ishte mjaft aktive në sistemin CumEx duke futur në xhepin e klientëve saj mbi 300 milion euro; Berger “asistoi nga afër” një shoqëri investimesh imobiliare të quajtur Rajon në pronësi të Rafael Roth e cila u përfshi në sistemin CumEx duke fituar mbi 120 milion euro; Berger ishte një nga konsulentët më të vlerësuar të “Fondit Sheridan” në Luksemburg, të implikuar në transaksionet CumEx, etj.
Skandali shpërtheu publikisht në Gjermani në vitin 2012 duke u shoqëruar me hapjen e menjëhershme të gjashtë hetimeve penale. Procesi i parë gjyqësor në Ëiesbaden kishte në qëndër Hanno Berger dhe disa operatorë të rëndësishëm në bursë, vecanërisht disa operatorë financiarë të HypoVereinsbank (HVB) të akuzuar për shkelje të rënda fiskale. Një numër i madh bankash të rëndësishme, si Santander, Macquarie Bank, Deutsche Bank, M.M. Ëarburg & Co, HypoVereinsbank, HSH Nordbank, Commerzbank, BNP Paribas, Société générale, Credit Agricole, Unicredit, BNY Mellon, etj ,
Berger u akuzua në tre procese penale të ndryshme për pjesëmarrje në operacionet “dividend stripping” me akuzën “bashkëpunëtor në evazion fiskal me përmasa të mëdha dhe dëm prej qindra milionë euro”.
Vendimi përfundimtar i gjykatës u dha në vitin 2020 në mungesë të Hanno Berger, mungesë të cilën avokati i tij e justifikoi me “pamundësi shëndetësore për të qënë prezent në sallën e gjyqit”, por që në fakt, Berger kishte disa vite që ishte zhdukur nga Gjermania për tu fshehur në Zvicër. Për të u lëshua një mandat arresti ndërkombëtar bashkë me një kërkesë ekstradimi nga Zvicra.
Por, cfarë ishte sistemi i transaksioneve CumEx dhe si funksiononte ai?
Thelbi i këtij mashtrimi qëndronte në shitjen dhe blerjen e aksioneve të kompanive të ndryshme në mënyra e forma jashtëzakonisht të shpejta e komplekse ditën e caktuar për shpërndarjen e dividentit në mënyrë që administrata fiskale ta kishte të pamundur identifikimin e pronarëve realë të tyre.
Për këtë u quajt dhe si “skandali i dividentëve” i pagëzuar me emrin “cum ex”, për tu dalluar nga sistemi “cum cum” që aplikohej gjerësisht, që ndihmonte në shmangjen e detyrimeve fiskale në emër të “optimizimit fiskal”, por që nuk ishte i fshehtë apo i jashtëligjshëm.
Mashtrimi me CumEx mbështetej në dy praktika fiskalo-financiare : në modelet CumCum dhe CumEx të cilat të “krijonin mundësi të shkëlqyera” për të vepruar në segmeëntin e tregut të “optimizimeve fiskale” në pikën ku ndërrthuret transaksionet financiare me rregullimet fiskale. Transaksionet CumCum dhe CumEx i krijojnë mundësi operatorëve financiarë të shmangin tatimin e përcaktuar sipas ligjeve fiskale të cdo vendi në raport me vlerën e dividentit. Por, ndërsa modeli CumCum ishte deri diku legal dhe i tolerueshëm, modeli CumEx ishte i mashtrim i jashtëligjshëm. Cilat janë diferencat ndërmjet tyre?
Një transaksion CumCum përfiton nga mangësitë apo diferencimet në sistemet fiskale. Në vende të ndryshme egzistojnë rregulla e detyrime të diferencuara për aplikimin e tatimeve në burim mbi vlerën e dividentit, sidomos në rastet kur ka marrëveshje për eleminimin e taksimit të dyfishte ndërmjet dy vendeve.
Në këtë mënyrë, zotëruesit e aksioneve nga të cilat përfitojnë dhe dividentin, pak kohë përpara se të shpërndahet dividenti, ja kalojnë pronësinë e aksioneve të tyre, brenda apo jashtë vendit, një kompanie apo investitori tjetër që gëzon status favorizues kundrejt detyrimit të pagesës së tatimit mbi vlerën e dividentit.
Disa ditë mbasi shpërndarja e dividentit është realizuar, “blerësi i aksioneve” ja rrishet përsëri pronarit real aksionet kundrejt një komisioni modest të dakortësuar paraprakisht. Si përfundim, pronari real i aksioneve shmang totalisht tatimin mbi vlerën e dividentit duke i paguar vetëm një përqindje të vogël “kompesuese” blerësit fiktiv. Kjo seri transaksionesh është teknikisht e ligjshme.
Ndërkohë, një transaksion CumEx është ndryshe. Ai nuk ka thjesht dhe vetrëm efektin e shmangjes së pagesës së tatimit mbi vlerën e dividentit, por synon përvec shmangjes së tatimit dhe përfitime nga “rrikthimet kompesuese të vlerës së tatimit mbi dividentin”.
Le ta shpjegojmë nëpërmjet një shëmbulli të thjeshtë se si u ndërtua dhe funksionoi për rreth 15 vite ky mekanizëm mashtrues.
Tre zotërues të ndryshëm aksionesh shkëmbejnë “në mënyrë të rufeshme” aksionet e tyre ditën e pagesës së dividentit e quajtur D-Day (Dita e Dividentit). Falë kësaj teknike është e vështirë të gjendet se cili është pronari i vërtetë i aksioneve të cilit Shteti detyrohet ti rimbursojë tatimin mbi dividentin.
Deri këtu, fenomeni është i vështirë të kuptohet sepse për këtë, fillimisht, duhen njohur dy rregulla bazë : së pari, në disa vende europiane, kur je i huaj gëzon të drejtën që të rimbursohesh për vlerën e tatimit mbi dividentin; së dyti, nëse një aksioner i shet aksionet e tij gjatë D-Day, dividenti i derdhet atij dhe jo pronarit të ri aksioneve.
Ku qëndron mashtrimi dhe përfitimi financiar në këtë rast?
Ta konkretizojmë me një shembull. Kemi 3 aksionerë A, B dhe C. Aksioneri A zotëron një aksion me vlerë 90 euro. Gjatë D-Day, A vendos tja shesë aksionin e tij B-së. A nuk është më pronari i aksionit, por është përfitues i dividentit prej 10 euro. Mbi këtë shumë prej 10 euro, Shteti ka vendosur një tatim prej 25%, pra 2.5 euro. Pra, në fakt, A mer si divident vetëm 7.5 euro. Por, meqënëse A është e huaj, ajo kërkon rimbursimin e tatimit mbi dividentin nga ana e Shtetit. Shteti i kthen A-së shumën prej 2.5 euro. Ndërkohë, B-ja ja shet aksionet e A prej 90-euro aksionerit C për 100-euro duke fituar kështu 10 euro. Ndërkohë C e di se aksioni i A vlen 90-euro dhe për pasojë i kërkon B një kompesim prej 10 euro. B i jep C këtë kompesim në formën e një “dividenti kompesues” me vlerë 7.5 euro. Pra, B fiton 2.5 euro.
Falë këtij “dividenti kompesues”, C-ja, edhe ky i huaj, vendoset në të njëjtën pozitë si A-ja. C i drejtohet Shtetit për ti kërkuar rimbursimin e tatimit që pretendon se e ka paguar rregullisht. Por, përse C e ka të mundur të bëjë një veprim të tillë? Sepse Shteti e ka të pamundur të verifikojë që tatimi mbi dividentin i është rimbursuar një herë A-së, dhe për pasojë, bën një rimbursim të dytë, këtë rradhë për C-në.
Rezultati final: aksioneri C rrimer 10 eurot që i mungonin dhe bashkë me aksionerin B ndajnë 2.5-euro që ju erdhën nga transaksioni. Në këtë rast, Shtetit ju vodh 2.5-euro duke i kthyer C përqindjen e tatimit mbi dividentin, ndërkohë që C nuk kishte paguar asnjëherë tatim mbi dividentin.
Natyrisht, në shembullin me 100 euro, vjedhja apo mashtrimi financiar prej 2.5-euro duket fare i papërfillshëm, por kur bëhet fjalë për disa qindra miliarda euro, përfitimet nga kjo skemë mashtruese janë me dhjetra miliarda euro. Në Gjermani p.sh., gjatë periudhës 2007-2012 kur kjo skemë lulëzoi, buxhetit të shtetit ju vodhën mbi 7 miliard euro në vit.
Shuma totale e mashtrimit fiskal llogaritet në 55 miliardë euro, nga të cilat 31.8 miliard euro në Gjermani, 17 miliardë në Franë, 4.5 miliardë në Itali, 1.7 miliardë në Danimarkë, 201 milion euro në Belgjikë.