Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se një doganier në pikën Kufitare të Kapshticës ka rënë në prangat e policisë.
Ka qenë Agjencia e Mbikqyrjes Policore, e cila përmes hetimeve ka siguruar informacionin se në këtë pikë kufitare do të kalohej mall kontrabandë. Bëhet me dije se doganieri Mario Taraj, në bashkëpunim me shtetasin Astrit Murataj i cili ishte drejtuesi i mjetit, kanë kaluar një furgon me rreth 3 ton djathë kontrabandë.
Në pranga përfundoi dhe drejtuesi i mjetit të ndaluar në flagrancë.
Arrestimi i tyre u bë gjatë natës, ndërsa dyshohet se ka dhe policë të tjerë të përfshirë. Pritet komunikata zyrtare e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore në lidhje me rastin për të zbuluar tre detaje.
“Shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Korçë-Bilisht”, pranë fshatit Dishnicë, Korçë, kanë ndaluar automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasit A. M., në të cilin gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 179 kuti me një sasi të konsiderueshme produkti ushqimor të kontrabanduar (nënprodukt qumështi).
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi M. T., me detyrë doganier i Pikës Doganore Kapshticë, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke favorizuar shtetasin A. M., për të kaluar sasinë e produktit ushqimor në mënyrë të kundërligjshme, pa kryer detyrimet doganore”, njoftoi policia e Korçës.
/f.stafa