Fuqia mendore nuk vërehet shumë në gjërat që ju i bëni, por në ato që nuk i bëni. Në librin e saj, “13 gjërat që nuk i bëjnë njerëzit e fortë mendërisht” (13 Things Mentally Strong People Don’t Do), Amy Morin shkruan se, fuqia mendore është një zhvillim trekahor. Ajo fitohet duke kontrolluar mendimet, sjelljet dhe emocionet.
Por cilat janë ato 13 gjërat që nuk i bëjnë njerëzit e fortë mendërisht – sipas Morinit. T’i shohim në vijim:
1. Ata nuk humbasin kohën duke ndjerë dhembshuri për vetveten
Në vend të kësaj, ata shprehin mirënjohje.
Të ndjesh dhembshuri për veten është vetëshkatërrim, thekson Morin. Thjeshtë, me dhembshuri ndaj vetvetes ju humbisni kohë, krijoni emocione negative dhe i lëndoni marrëdhëniet tuaja. Sipas saj, duhet t’i çmoni ato gjëra që i posedoni.
2. Nuk heqin dorë nga fuqia e tyre
Njerëzit heqin dorë nga fuqia e tyre kur ndeshen me kufizime fizike dhe emocionale. Duhet të dini kur të tërhiqni vijën – sepse, nëse njerëzit tjerë kanë kontroll mbi veprimet tuaja, ata përcaktojnë edhe suksesin dhe vlerën tuaj. Është me rëndësi t’i qëndroni besnik synimeve tuaja.
3. Ata nuk ikin nga ndryshimet
Në vend të kësaj, ata përqafojnë të pashmangshmën.
Sipas Morinit, janë pesë faza të ndryshimit; para-soditja, soditja, përgatitja, veprimi dhe mirëmbajtja. Të bësh ndryshime në jetë është gjë e frikshme, mirëpo të ikësh nga ndryshimet, do të thotë të ndalosh rritjen tuaj.
4. Ata nuk fokusohen në gjërat që s’mund t’i kontrollojnë
Në vend të kësaj, ata fokusohen në gjërat që mund t’i bëjnë.
Njeriu duket më sigurt kur i ka të gjitha gjërat nën kontroll, mirëpo, mendimi se, ai i ka frerët përherë në duar, mund të bëhet problematik. Përpjekja për të pasur çdo gjë nën kontroll është e barabartë me ankth. Nëse orientoheni vetëm në gjërat që mund t’i kontrolloni, atëherë, sigurisht se do të keni raporte më të mira, mundësi të reja, dhe më shumë sukses.
5. Ata nuk brengosen që të kënaqin secilin person
Në vend të kësaj, ata dinë të thonë “JO”.
Shpeshherë merremi me faktin se çfarë mendojnë të tjeret për ne – që është e kundërta e mendjes së shëndoshë. Sipas Morinit, kjo është humbje kohe, sepse njerëzit që përpiqen t’i kënaqin të gjithë manipulohen lehtësisht. Është në rregull që të tjerët të jenë të zemëruar dhe të zhgënjyer, sepse ju s’mund t’i kënaqni të gjithë. Kësisoj do të bëheni më të fuqishëm dhe do të keni më shumë vetëbesim.
6. Ata nuk frikësohet të ballafaqohen me rreziqet e llogaritura
Në vend të kësaj, ata përgatiten paraprakisht për një gjë të tillë.
Njerëzit shpeshherë frikësohen të ndërmarrin rreziqe, qofshin ato financiare, psikike, emocionale, sociale apo dhe ato të biznesit. Mirëpo, mungesa e njohurisë për të kalkuluar rrezikun sjellë dhe frikën. Rrezikun duhet kalkuluar duke parashtruar pyetjet si në vijim: Cilat janë shpenzmet potenciale? Cilat janë benefitet? Si do të përfitoj në synimin tim? Cila është pasoja më e madhe? Cili është efekti afatgjatë?…
7. Ata nuk jetojnë në të kaluarën
Por, ata gjejnë kohë për të reflektuar dhe për mësuar nga e kaluara.
E kaluara është në të kaluarën. Nuk ka mënyrë për të ndryshuar gjërat që kanë ngjarë, andaj të jetosh në të kaluarën do të thotë të shkatërrosh veten – sepse ajo nuk ju lejon të kënaqeni me të tashmen dhe planet për të ardhmen.
8. Ata nuk i përsërisin gabimet
Në vend të kësaj, ata pranojnë përgjegjësinë dhe ndryshojnë sjelljen.
Reflektim do të thotë të siguroheni që nuk do t’i përsërisni gabimet e njëjta. Është shumë me rëndësi të zbuloni se çfarë nuk ka shkuar si duhet dhe si mund ta kishit bërë më mirë – dhe, si ta bëni ndryshe herën tjetër? Pra, shkruajeni një plan si të shmangni përsëritjen e gabimeve.
9. Atyre nuk u pengon suksesi i të tjerëve
Ata i gëzohen suksesit të të tjerëve.
Mosdurimi është një lloj i zemërimit të fshehur. Përqendrimi në suksesin e një personi tjetër nuk do t’ju ndihmojë në rrugën tuaj të suksesit, pasi që do t’ju shmangë nga rruga që duhet ndjekur. Nëse merreni me të tjerët do t’i tradhëtoni vlerat tuaja.
10. Ata nuk dorëzohen që në dështimin e parë
Suksesi nuk është i menjëhershëm, ndërsa dështimi është pengesë, me të cilën do të ballafaqoheni gjithherë. Të mendosh se dështimi është i papranueshëm do të thotë se nuk jeni të fortë mjaftueshëm mendërisht.
11. Ata nuk frikësohen nga vetmia
Në vend të kësaj, ata gjejnë kohë edhe për çaste vetmie.
Sipas Morinit, vetmia në zyrë mund të rrisë produktivitetin, kreativitetin dhe ndjeshmërinë. Vetmia nganjëherë bën restaurimin e shpirtit të njeriut, ndërsa është e mirë edhe për shëndetin mental.
12. Ata nuk mendojnë se bota u ka borxh ndonjë gjë
Ata fokusohen në përpjekjet e tyre.
Është lehtë të hidhërohesh me botën për dështimet tuaja ose për mungesën e suksesit – por, e vërteta është se askush nuk ju ka borxh ndonjë gjë. Çelësi qëndron të përqendrimi të përpjekjet tuaja dhe të pranimi i kritikës.
13. Ata nuk presin rezultate të mënjëhershme
Ata bëjnë hapa të vegjël drejt qëllimit.
Njerëzit e dobët mendërisht janë shpeshherë të padurueshëm. Ata mbivlerësojnë aftësitë e tyre, ndërsa nënvlerësojnë faktorin kohor, që nevojitet për ndryshime – kështu që presin rezultate të menjëhershme.