“Shqipëria të marrë pjesë nga Jugosllavia e Jugut me popullsi shqiptare dhe ta kompensojë atë mundësisht me Shkodrën e rrethinat në Veri. Pretendimet greke duhen trajtuar me vëmendje, megjithëse janë të ekzagjeruara. Italianët t’i japin Sazanin Shqipërisë”.
Kështu apo pak a shumë kështu, në mënyrë të përmbledhur ishte ajo çka Departamenti Amerikan i Shtetit, në fillimvitin 1945, e përshkruante si pikëpamjen e vet mbi rregullimin territorial të Pasluftës për Shqipërinë.
Pikëpamja në fjalë në fakt gjente një shtrirje më të gjerë, duke skicuar në këtë kontekst edhe të ardhmen e rajonit të Ballkanit e atë të Europës Lindore, e përcaktur kësisoj edhe disa korrektura “të nevojshme” në lidhje me të ardhmen e kufinjve të Bullgarisë, Greqisë, Jugosllavisë, por edhe të Qipros, Turqisë, Rumanisë, Italisë etj.
Situata për Aleatët tashmë dukej tejet pozitive dhe fitorja përfundimtare ishte vetëm çështje kohe e formaliteti. Ajo çka duket interesante, është fakti se për herë të parë kjo mund të shihet pas kaq shumë viteve, si një pikëpamje e shfaqur në mënyrë eksplicite – edhe pse jo në kufinjtë e qëndrimit zyrtar – mbi të ardhmen e kufinjve të Shqipërisë e rajonit.
Kufinjtë shqiptarë, vëmendje themelore
Nëse zhvendosemi në kohë, kuptojmë se këto përçapje për rregullim “të drejtë” të kufinjve, vinin pikërisht në kohën kur fuqitë e mëdha po shkonin drejt dy konferencave që vulosën “de facto” për një kohëzgjatje të konsiderueshme, fatin e shumë kombeve e shteteve të kontinentit.
Pjesa ku flitet për Shqipërinë, duket se përbën edhe thelbin e mendimeve amerikane për të ardhmen e rajonit të trazuar. Materiali që ne kemi shkëputur për botim në DITA, është marrë nga një gazetë australiane (“The Mercury”, 2 janar 1945, fq. 4), e cila në fakt i referohej raporteve të një korrespondenti shumë të njohur të kohës së vet, ikonë e gazetarisë botërore – Cyrus Sulzberger, asokohe i angazhuar për prestigjozen amerikane “New York Times” – me raportimet nga fronti aleat, me qendër në Kajro.
Nga materiali në fjalë, kuptojmë se tashmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin kristalizuar një program për rregullimin e kufinjve të Europës Lindore, duke përfshirë shkëputje territoresh në favor të Greqisë, ku njëra prej tyre duhej të ishte dhe Qiproja, e cila pas Luftës duhej t’i kalonte kësaj të fundit, duke u shkëputur nga kolonizimi britanik.
Përsa i përket pretendimeve greke mbi kufirin shqiptar të jugut, Departamenti i Shtetit, sipas Sulzberger, i shihte ato si “disi të ekzagjeruara”, megjithëse atyre i duhej kushtuar vëmendje dhe se e nevojshme, jo vetëm në marrëdhënie me Shqipërinë, por edhe me Bullgarinë e Jugosllavinë, bëhej kësisoj vetëm një korrekturë e pjesshme e tyre.
Nga plani s’preket vetëm Turqia
Po ashtu, sipas Departametit të Shtetit, duheshin siguruar të drejtat e Bullgarisë e të Jugosllavisë për të pasur akses në portin grek të Selanikut. Jugosllavia duhej të merrte nga Italia dhe Austria rajonin e Fiumes e të Zarës, pra ishujt jashtë brigjeve kroate dmth. jugosllave, ndërsa kufinjë e saj të Paraluftës me Hungarinë, Austrinë dhe Rumaninë, thuhej se duhet të mbeteshin ato që kishin qenë.
Më tej në raport thuhej se: Rumania duhet t’i japë Besarabinë dmth. Moldavinë Rusisë dhe jugun e rajonit të Dobruxhës, Bullgarisë, duke u kompensuar me rikthimin e të gjithë rajonit verior të Transilvanisë që do i merret Hungarisë, përveç një copëze të vogël që do vijojë t’i mbetet Hungarisë në rajonin rreth Aradit.
Dukej qartazi se nga ky plan mbeste pa u prekur pra vetëm Turqia, e cila nga fundi i Luftës shihej tashmë si aleate e frontit antinazist dhe që edhe gjatë Luftës nuk kishte vuajtur nga “shkëputje territoresh”, apo pushtim si pak vende europiane në atë kohë, duke ruajtur “pro forma” neutralitetin.
Shqipëria të japë Shkodrën e të marrë Kosovën
Për Shqipërinë, në mënyrë të veçantë e të nënvizuar thuhet se: duhet të jetë një shtet sovran dhe duhet t’i jepen pjesë nga Jugu i Jugosllavisë, me një kompensim në formën e shkëputjes së një pjese të territoreve veriore të saj, duke përfshirë mundësisht Shkodrën, që duhet t’i shkojnë Jugosllavisë. Ndërkohë, Italia duhet t’i dorëzojë shqiptarëve, ishullin e Sazanit në Gjirin e Vlorës.
Në raport fillimisht theksohet se pikëpamjet e zyrtarëve amerikanë kanë si synim vendosjen e parakushteve bazë për arritjen e paqes në një rajon të trazuar. Plani përbante tri objektiva: i pari paraqet një rishikim apo një rirregullim të kufinjve në bazë të negociatave direkte të shteteve të përfshira. Objektivi i dytë synonte sponzorizimin e idesë së bashkëpunmimit rajonal.
I treti thuhej se dëshiron të inkurajojë rehabilitimin ekonomik të vendeve të Ballkanit, pasi ata të kenë zgjedhur lirisht qeveri të dala nga vota popullore. Kjo politikë, sipas Sulzberger, duket të jetë shumë më pozitive se sa ajo aktuale.
Planet amerikane, skica “jozyrtare”
Në artikull theksohet se: “megjithëse pikëpamjet e Departamentit të Shtetit janë skicuar në një bazë specifike, në dukje nuk shihet ndonjë këmbëngulje për t’i zbatuar ato domosdoshmërisht në terren”, çka i jepte këtij raporti të drejtën për t’a trajtuar atë thjesht si një pikëpamje jozyrtare, i cili në fakt do të zinte vend pjesërisht në formësimin e Europës së Pasluftës, pas Konferencave të Jaltës ( shkurt 1945) e asaj të Potsdamit (korrik 1945).
Më tej, në raport thuhet se: Shetet e Bashkuara mendojnë se grekët duhet të lejohen të zgjedhin në mënyrë demokratike formën e regjimit, duke votuar mes monarkisë e republikës. Departamenti i Shtetit aprovon shkëputjen e ishujve dodekanezë nga Italia në favor të Greqisë, përveç Castellorizzo-s, i cili duhet t’i shkojë Turqisë. Qipro gjithashtu i duhet dhënë Greqisë.
Në kohën për të cilën po flasim, në Shqipëri kishte filluar punën ajo që njihej si “qeveria demokratike e Tiranës”, megjithëse akoma nuk ishte njohur zyrtarisht as nga SHBA, as nga Britania e Madhe e as nga BRSS. Nga ajo çka tregojnë raportet e mëvonshme, rezulton se paradoksalisht, pikërisht SHBA ishin një hap para BRSS dhe Britanisë së Madhe në njohjen e qeverisë komuniste të Tiranës, duke rekomanduar njohjen kundrejt refuzimit që vinte akoma nga Moska dhe Londra, të cilat do ta bënin këtë përgjatë harkut të dy viteve në vijim.
Çurçilli dhe Stalini: Europa të ndahet, Amerikën nuk e pyesim!
Konferenca e Jaltës, mbajtur në gadishullin e Krimesë në ish-Bashkimin Sovjetik, në datat 4 deri më 11 shkurt 1945, ishte një takim diplomatik i tre krerëve aleatë gjatë Luftës së Dytë Botërore, i dyti në radhën e atyre që njihen si tri konferencat e mëdha aleate, duke pasuar atë të Teheranit ( 28 nëntor-1 dhjetor 1943) e paraprirë atë të Potsdamit (17 korrik-2 gusht 1945).
Në të morën pjesë tri liderët kryesorë të frontit aleat; Franklin D. Roosevelt (SHBA), Winston Churchill (Mbretëria e Bashkuar) dhe Josif V. Stalin (ish-Bashkimi Sovjetik). Stalini këmbënguli pikërisht në këtë konferencë, që ndër të të tjera, i gjithë rajoni i Ballkanit, ashtu sikurse vendet Balltike e ato të Europës Lindore (përfshirë këtu fillimisht madje edhe Italinë) duhej të përbënin një unazë sigurie për interesat e Bashkimit Sovjetik, duke formuar një rreth vendesh satelite që do të mbronin kufinjtë e tij.
Dëshirave të tij, dy liderët perëndimorë, i shkuan prapa vetëm pjesërisht. Interesant është fakti se sferat e influencës në Europën Lindore ishin vulosur mes Stalinit dhe Çurçillit “de facto” qysh në Konferencën e Moskës, në tetor 1944, në mënyrë informale, duke anashkaluar pikëpamjet e Francës e sidomos ato të SHBA. Për Shqipërinë aty nuk flitej thuajse fare dhe ajo konsiderohej si pjesë e fatit të Jugosllavisë, e cila në atë letër ishte përcaktuar si e ndarë 50% me 50%, sipas interesave të “të mëdhenjve”.
Pretendimet territoriale greke ndaj Shqipërisë u shfaqën me forcë sidomos gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së Paqes në Paris (29 korrik – 15 tetor 1946). Përveç argumentave të vjetra rreth Vorio Epirit, Greqia e cilësonte Shqipërinë si pjesë të agresionit ndaj vendit të saj në vitin 1940, kur nisi konflikti italo-grek. Ato u kundërshtuan forcërisht nga kreu i delegacionit shqiptar, ish-Kryeministri Enver Hoxha. Kundrejt tyre, Shqipëria do të mundohej të vinte në pah kontributet e Shqipërisë përkrah koalicionit antifashist dhe krimet e bandave të Napoleon Zervasit kundër popullsisë çame, gjë e cila do të tolerohej nga fuqitë aleate, megjithëse për këtë çështje konferenca autorizoi ngritjen e një komisioni ndërkombëtar.
Ky komision nuk do ta zgjidhte dot këtë çështje, pikësëpari, për shkak të orientimit prolindor të qeverisë së Tiranës, por edhe këmbënguljes britanike në krah të qeverisë greke në kontekstin e luftës civile që po zhvillohej asokohe në Greqi.
DITA