Rama dekurajoi pjesëmarrjen në votim dhe opozita duhet të kishte qasje më pak politike në këto zgjedhje. Kështu e shikon verdiktin qytetar për pushtetin vendor, kryesuesi i listës për Këshillin Bashkiak nga koalicioni “Bashkë fitojmë”, Ilir Alimehmeti. Në studion e Debatit në A2 CNN ai tha se ky është një sinjal që tregon se populli shqiptar po kërkon diçka ndryshe dhe që duhet analizuar.
“Ky është një rezultat që duhet lexuar. Ka diferenca të mëdha nga njëra zonë në tjetrën. Nuk ka mbaruar ende numërimi. Jemi te faza e numërimit. Është një sinjal që populli shqiptar po kërkon diçka më ndryshe dhe këtë sinjal duhet ta dëgjojmë”.
Sipas tij pjesëmarrja e ulët në votime ndodhi për shkak të dekurajimit nga mazhoranca, por edhe të shpopullimit.
“U paraqitën shumë pak në votime, pozita dekurajoi pjesëmarrjen në votim, kemi edhe problemin e shpopullimit. Por ne po merremi me problemin tonë. Shumë më pak se viti 2021 dhe kjo është e qartë. Gjithmonë do e nisësh nga vetja. Problematika shihet te vetja bëhen detyrat te vetja pastaj punohet jashtë”.
Për Alimehmetin opozita nuk duhej t’i qasej qytetarëve me retorikë politike dhe për këtë duhet të reflektojë.
“Ne kemi situatë të qartë që kryeministri dekurajoi pjesëmarrjen në votim shumë qartë gjatë fushatës. Nuk duhet ta bëjë asnjë politikan në asnjë vend demokratik. Vota e qytetarëve është e rëndësishme. Zgjedhjet lokale kanë të bëjnë me shërbimet, pushteti vendor është larg politikës dhe ndërkombëtare. Nuk kanë lidhje politikat e mëdha nëse ke apo jo ujë. Opozita kishte mundësi që retorika të mos ishte politike (kjo u krye pjesërisht) dhe të bënte sa më shumë thirrje për pjesëmarrjen në votime dhe kjo u bë. Asnjëherë mos u mundo ta dekurajosh dikë se ai arrin me sukses. Dekurajimi funksionon. Të gjithë njëzëri duhet të jenë pro pjesëmarrjes në votime. Popullata ka neveri për pjesëmarrje politike. Po hoqe dorë nga pjesëmarrja në votime ke hequr dorë nga gjithçka. Opozita duhet të reflektojë mbi këtë fakt. Popullata e Tiranës kërkonte një qasje më pak politike se çfarë u mor”.
/a.r