Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka reaguar mesditën e sotme pas arrestimit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Himarë, Fredi Beleri.
Në një deklaratë për mediat ai e quajti arrestimin e Belerit si një ngjarje të shëmtuar, teksa u shpreh se Athina zyrtare nuk do të tolerojë shkeljen e ligjit për këtë rast.
Mitsotakis ka përmendur edhe integrimin evropian të Shqipërisë, duke i bërë presion kësaj të fundit në emër të respektimit të minoritetit.
“Informova Presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen për arrestimin, për akuzat e papërmbajtshme, të kandidatit për kryetar bashkie të Himarës dhe anëtarit të pakicës kombëtare greke Fredi Beleri, dy ditë para zgjedhjeve. Shqipëria duhet të kuptojë se Greqia dhe Bashkimi Evropian nuk do të reshtë së kërkuari zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të Pakicës Kombëtare greke” – thotë Mitsotakis.
Më herët kryeministri grek tha për mediat fqinje:
Më lejoni të them diçka për një ngjarje jashtëzakonisht të pakëndshme që ndodhi në Shqipëri mëngjesin e sotëm ku fatkeqësisht u arrestua kandidati për kryetar të Bashkisë së Himarës dhe anëtar i minoritetit grek Fredi Beleri. Dua t’i dërgoj një mesazh vendit mik Shqipërisë. Greqia nuk do të pranojë asnjë tolerim të sundimit të ligjit për mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke. Nëse Shqipëria dëshiron të afrohet me BE, ka detyrimin të sigurojë zgjedhje vendore të lira dhe të ndershme dhe të lirojë menjëherë ata që ka burgosur në mënyrë që të marrin pjesë në procesin zgjedhor. Ka vetëm një mënyrë për të qenë të sigurt se rruga e progresit do të vazhdojë, që Demokracia e Re të forcohet në kutitë e votimit më 21 Maj. Që edhe ne të dërgojmë një mesazh fuqi për fqinjët tanë, se jemi në vend i fortë dhe vend me besim”.
/a.r