Ish kryeministri Sali Berisha nuk ka kursyer akuzat e vazhdueshme ndaj kryesocialistit Rama të cilin këtë herë e ka cilësuar si vëlla të presidentit serb, Aleksandër Vuçiçit.
Gjatë fjalës së tij në Pukë, Berisha akuzoi Ramën se i trajton qytetarët si të pavlerë dhe se nuk punon për rritjen e mirëqënies së tyre.
“Rama është përfaqësues i vëllaut të tij Aleksandër Vuçiçit. Serbia sot po të mos ishte verbëria e nacionalizmit të saj, do të ishte anëtare e BE-së. Serbia preferon të qëndrojë prapavijë e agresorit barbar rus. Përpiqet të mbajë peng Kosovën. Kurse Rama nuk thotë që Shqipëria pa Kosovën në BE nuk ka kuptim, por thotë që Shqipëria pa Serbinë në BE nuk ka kuptim”, u shpreh Berisha.” Një kryeministër që vjedh çdo ditë dhe që qytetarët e tij i duken qenie të pavlera. Një kryeministër që i ngriu rrogat. Çfarë sollën bordet, çdo qytetar ka shpenzuar 430 mijë lekë më shumë për ushqimet”, shtoi ai.
Berisha nuk la pa shigjetuar as kandidatin e PS në Pukë, Gjon Gjonajn, për të cilin tha se ushtron presion ndaj qytetarëve.
“Një pjesë e jona kanë jetuar diktaturën. Por kurrë ndonjëherë ne nuk kemi parë ndonjë kryetar të komitetit ekzëkutiv që të shkojë e t’i fusë thonjtë në fyt qytetarit, siç bëri Gjon Gjonaj këtu në Pukë. Kësaj i thonë fushatë me thonj në fyt. Ndërtove shtëpitë gjoja sociale dhe kujt ia dhe? Kryetarit tënd të këshillit. Ai rri në Tiranë dhe shtëpinë e jep me qira si hotel”, tha ai.
Berisha kërkoi nga qytetarët që të votojnë kandidatin Rrok Doda me zotimin se është alternativa e duhur për këtë zonë.