Nga Rudina Xhunga
Sot, te Tregimi i Ditës, rubrika që ndajmë bashkë përditë në Youtube, dua të përcjell zërin e nënave të fëmijëve 20-vjeçarë shqiptare. Se ata fëmijë janë ende. Dhe nënat e tyre janë të tmerruara se nuk kanë fuqi mbi fëmijët e tyre. Ndikimi i shoqërisë po bëhet gjithnjë e më i madh dhe gjithmonë e më i keq. Shoqëria po ofron shembull të fortin dhe të marrin. Sot shoqëria nuk flet shqip, nuk komunikon.
Sot edhe të sqaruarit, përkthehet, thikë në befasi. Një fëmijë 18-vjeç, shkon në klasë, do një vajzë, e ngacmon, vajza ankohet tek i dashuri 20 vjeç, ata sqarohen dhe vdesin, njëri në varr, tjetri në burg.
Ky është komunikimi! Ky komunikim dhune po na vret të gjithëve. Nënat thonë që nuk na dëgjojnë fëmijët, jemi të pamjaftueshme, sepse komunikimi ndodh jashtë, atje nisen për t’u sqaruar edhe vriten.
Nëna, mos u dorëzoni kurrë, flisni me fëmijët tuaj; Mos ia lini fëmijët peng krimit të organizuar, burgut, varrit të hapur! Mesazhi më poshtë më ka ardhur nga një nënë që nuk dorëzohet, por bën atë që mundet, qoftë dhe duke më bërë mua një mesazh, për të sensibilizuar nëna të tjera për jetën e fëmijëve tanë:
“E dashur Rudina,
Ju lutem, për hir të prindërve të tmerruar, të fëmijëve të futur në një vorbull mendësie që po ushqehet në mase të madhe edhe nga media, merrni pak (më mirë shumë) hapësirë nga raportimi mbi Big Brother, madje edhe nga fushata , dhe adresoni fenomenin tragjik të cilin po e përjetojmë. E kam fjalën për këto raste të konflikteve me thika që janë normalizuar, “arsyet banale” qe të rinjtë i marrin si ekzistenciale, fenomenin “sqarohen” që përfundon me tragjedi. Ne si prindër kemi vetëm fjalët që uu themi fëmijëve. Ju keni mundësi për të përcjellë fjalën e ekspertëve.
Pse të mos iniciohet një fushatë “agresive” sensibilizimi në media, hapësira publike? E kuptoni që edhe ne që kurrë nuk kemi patur nevojë apo dëshirë për t’ i larguar fëmijët, po i largojmë për t’i mbajtur gjallë?
E dashur Rudina, unë nuk flas dot.
Nuk kam ku të flas. Unë nuk jam as autoritet, as psikolog, as anëtare e AMA-s që të përkujdesem për mesazhet që përcillen ne media, për kotësinë, injorancën, antivlerën, që ushqejnë brezin e ri me modele të gabuara. Unë jam një nënë e alarmuar e një 20-vjeçari që si shumë të tjera, të tmerruara, shohim se si vlerat dhe modeli që përpiqemi të mbjellim te fëmijët tanë janë të pamjaftueshme për të parandaluar tragjedinë.
Sa raste për plagosje dhe vrasje me thike kemi patur vetëm në javët e fundit?! Në media, portale raportohen si lajme tragjike, mundësisht me të gjitha elementet makabre që ngjallin emocione dhe tërheqin klikime. Romantizohen vrasjet “për një vajzë”! Të gjitha rastet të shkaktuara “për arsye banale”! “Të sqaruarit” është bërë institucion! Ne, në fakt, nuk kemi qeveri, as opozitë, as polici, as drejtësi. Jo vetëm bandat kriminale, tani edhe këta të paorganizuarit, kalamajtë e kanë marrë drejtësinë në dorë.
Flisni, ju lutem, me ekspertë të fushës. Bisedoni me viktima, të mbijetuar të “sqarimeve” të këtilla. Intervistoni persona që kanë kryer vepra të këtilla që janë penduar, por pa i glorifikuar. Mund të bëhet më shumë. Në fund, do bënit mirë që si gazetare të diskutoni edhe për peshën që ka çdo fjalë e përdorur në shkrimet tuaja. Gjithmonë, nëse jeni të gatshëm të sakrifikoni klikimet!”