Nga Fatos Çoçoli
Garat tona zgjedhore kanë patur gjithnjë probleme me financimet e partive kryesore politike. Përllogaritje jo zyrtare flasin për fonde të nivelit të 130 milionë eurove, që kanë qarkulluar në duart e partive tona kryesore në fushatat zgjedhore të dy dekadave të fundit, që nga viti 2002 e këtej. Këto para, në masën mbi 60 përqind, kanë kaluar të pakontrolluara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucionet shtetërore përkatëse. Ligji për partitë politike është ai i vitit 2000.
Edhe pse i amenduar katër herë(ndryshimi i fundit në vitin 2020) ky ligj përbën një dështim të plotë për t’i kontrolluar financiarisht partitë tona dhe një Vaterlo të mirëfilltë në luftën për moscënimin e interesit publik dhe qytetar, nga aktiviteti financiar i fshehtë i partive. Ligji duhet sërisht të amendohet urgjentisht me dispozita ligjore shtesë, të detyrueshme për aktivitetet e partive politike, që kanë të bëjnë me bërjen publikime të pasqyrave të tyre financiare, me informacione të detyrueshme në lidhje me anëtarët, për të përcaktuar nivelin e kuotizacioneve që derdhin. Edhe pse shtesat dhe përmirësimet ligjore të fundit kanë përcaktuar qartë detyrimin kohor kur partitë duhet të dorëzojnë bilancet periodike, të ardhurat dhe shpenzimet, njëlloj sikurse sot ligji fiskal detyron çdo njësi ekonomike të paraqesë bilancin brenda datës 31 mars të vitit pasardhës, ligji është ende jetë jo shumë i qartë dhe i detajuar, në lidhje me dhuruesit, donatorët e fushatave dhe ata që ofrohen gjatë viteve jo zgjedhore.
Nisma ligjore për financimet e partive në fushatat zgjedhore dhe jo vetëm, duhet të përfshijë Prokurorinë e Përgjithshme, Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe Parandalimit të Konfliktit të Interesit, Drejtorine e Përgjithshme të Pastrimit të Parave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve si dhe organet e tjera ligj-zbatuese të fushës, për hetim efektiv e gjithëpërfshirës, në rastet e financimit të dyshimtë të partive politike, duke zbuluar burimin e të ardhurave. Lind pyetja: kush do ta ndërmarrë këtë nismë ligjore? Deputetë të partive të sotme politike parlamentare? As që bëhet fjalë. Do të duhej një lëvizje spontane e shoqatave joqeveritare shqiptare për të mbledhur 20 mijë firma qytetarësh, por ato janë tepër të zëna me gjueti fondesh donatorësh. Ndërkohë, është e rrezikshme t’i lësh partitë tërësisht të lira në transaksionet e tyre financiare. Më e pakta, ndodh kthimi i “ndereve” biznesit donator me akordime tenderash dhe mënjanim të konkurrencës së ndershme për paranë shtetërore. Partitë politike në Shqipëri duhet të detyrohen me ligj t’i publikojnë vetë deklarimet financiare për publikun e gjerë, si dhe për anëtarët e tyre. I vetmi informacion deri sot, është ai i mundësuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) dhe i publikuar në faqen zyrtare të internetit të KQZ.
Mungesa e transparencës është flagrante dhe nuk mundëson një akses publik të qytetarëve mbi partitë politike, duke i bërë këto të fundit krejtësisht jo llogaridhënëse përpara qytetarit dhe opinionit publik. Në faqet zyrtare të internetit të partive politike në Shqipëri, sot nuk gjen pak ose aspak informacion të vlefshëm lidhur me financimet e partisë, donatorët, kuotizacionet financiare, dhurimet në natyrë të simpatizantëve, etj. Në të gjitha partitë, anëtarët e konsiderojnë të vështirë sigurimin e informacionit mbi fondet e përfituara dhe të shpenzuara nga partia e tyre. Kjo është skandaloze dhe paradoksale, në një kohë kur me Ligjin mbi Të Drejtën e Informimit, transparenca publike është bërë kriter vlerësimi dhe standard bazë për çdo institucion publik.
Dhe partitë politikë janë asete publike të vendit! Sipas ligjit për partitë politike, ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik apo çdo aksioner i tij, në rast se ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 2 vitet e fundit, me vlerë mbi 10 milionë Lekë, ose ka detyrime monetare ndaj Buxhetit të Shtetit ose ndaj çdo institucioni publik. Sa eshte zbatuar deri sot ky nen i ligjit? Praktika ka sjellë qindra e qindra raste të shkeljes së kësaj dispozite ligjore. Ligji duhet amenduar urgjentisht, ndersa gjobat dhe sanksionet duhet të shtohen me herë.
Po kush do ta marrë këtë nismë? Kryeministri bëri shumë mirë, kur deklaroi se nuk do të prodhojnë banderola, postera e fletëpalosje, por me paratë që më parë në çdo garë zgjedhore, harxhonin për këto “produkte” gare, tani do të mbjellin pemë. Partia Socialiste, si partia parlamentare më e madhe e vendit, merr mbi 1.1 miliardë lekë nga buxheti i shtetit, për shpenzimet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, për përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023. Të 1.1 miliarde lekët që socialistët marrin nga buxheti i shtetit, janë 9.7 milionë euro. Sikur një të tretën e këtyre parave t’i mbjellin pemë në të 61 bashkitë, do të fitojë në mushkëri të gjelbërta mbarë vendi! Urojmë me gjithë zemër që ta bëjnë! Do të ishte mesazhi më i mirë për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët.