Drama “Kush e solli Doruntinën”, bazuar në novelën e Ismail Kadaresë, solli në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë një kast të njohur aktorësh si Margarita Xhepa, Bujar Lako e Viktor Zhusti.
Regjisori Laert Vasili e sjell këtë teatër (18-21 shkurt) në kuadër të kremtimeve në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit.
Në këtë shfaqje interpretojnë emra të njohur të teatrit shqiptar, si Margarita Xhepa në rolin e zonjës mëmë, Bujar Lako kryepeshkopi, murgu Viktor Zhusti, ndërsa pjesë e kastit janë Luli Hoxha me rolin e Doruntinës, si dhe aktorët Mimoza Marjanaku, Suela Bako, Eralda Caushi, Gjergj Doçi, Amos Muji Zaharia dhe Xhejni Fama.
Shfaqja e bazuar në novelën e gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare, është një projekt që është financuar nga Ministria e Kulturës, në bashkëprodhim me teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Për herë të parë, thotë regjisori, “Kush e solli Doruntinën” vjen e plotë dhe e pacensuruar.
“Me dramatizimin tim është hera e parë që vendoset e gjithë novela. Artistët kanë qenë të detyruar të censurohen e të mos e vënë pjesën e plotë, ku një pjesë të mirë në vepër zë aludimi i frikës së inçestit të vëllait ndaj motrës. Për herë të parë hidhet teoria nga Ismail Kadare, se ndoshta për këtë arsye Doruntina u martua larg, për t’i shpëtuar inçestit”, tha regjisori Laert Vasili.
Drama “Kush e solli Doruntinën” bazohet në romanin e shkrimtarit Ismail Kadare me të njëjtin titull, botuar në vitin 1979. Kjo dramë vjen me të gjithë hamendësimet e mundshme mbi sjellësin e Doruntinës. Por, të gjitha ato, ashtu si dhe përpjekjet për ta ballkanizuar legjendën e Kostandinit dhe Doruntinës, vijnë e thyhen te besa e dhënë, një fjalë-cilësi që nuk gjendet te fqinjët dhe fton për rikthimin në besë.
ATSH