Një emigrant, i identifikuar si Ardian Miceli ka zbuluar se si mjeku dhe tekniku i imazherisë në QSUT merrnin para për të futur pacientë pa radhë për të bërë skaner. Sipas dosjes hetimore, emigranti që vinte nga Greqia kishte pësuar aksident me makinë disa vite më parë dhe i ishin shfaqur shqetësime si marramendje e dhimbje qafe.
Fillimisht shkoi pranë spitalit të Traumës, ku një mjek i kishte sugjeruar që të bënte analizat. Një mjeke tjetër i kërkoi që të interesohej në QSUT për të bërë disa analiza mjekësore pasi spitali i Traumës merrej vetëm me raste urgjence.
Në QSUT u takua me mjekun Nazmi Metaliun, i cili i tha që të bënte skaner të trupit, shërbim që mund ta përfitonte duke dhënë para ose do të priste disa muaj sa t’i vinte radha.
Një ditë më parë, Nazmi Metaliu, mjek dhe Astrit Mansaku, teknik imazherie, u arrestuan pasi akuzohen se u merrnin para pacientëve për të shmangur procedurën standarte spitalore për bërjen e skanerit.
“Personi që ka kallëzuar çështjen, përpara shumë vitesh ka qenë emigrant në shtetin grek dhe ka bërë një aksident me makinë ku ai ishte si pasagjer. Për aksidentin e bërë nuk ka marrë ndonjë mjekim të specializuar pasi e ka kaluar vetë meqënëse ka qenë dhe moshë e re por tani ka filluar të ndjejë disa shqetësime që kanë ardhur si pasojë e këtij aksidenti si marrje mendsh, dhimbje në qafë e në shpatullën e majtë.
Për shqetësimet shëndetësore që i kanë lindur ka shkuar në spitalin universitar të Traumës (ish spitali ushtarak) ku është vizituar nga mjeket Asllan Selaj i cili i ka lëshuar një recetë për mjekimin që duhet të merrte dhe tek doktoreshe Valbona Kopani e cila i ka thënë që të bënte rezonance magnetike dhe disa vizita të tjera e më pas të shkonte ta takonte.
Gjatë interesimit që kallëzuesi ka bërë tek spitali i Traumës ka rezultuar se e ka pasur të pamundur të bëjë vizitat mjekësore që i kishin thënë doktorët e sipërshënuar sepse duhet të ishte i sapo aksidentuar dhe të vinte në gjendje urgjencë.
Kur kallëzuesi ka shkuar për tu interesuar tek Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza është takuar rastësisht me doktor Nazmi Metaliu tek i cili ka pas qenë vizituar disa vite më parë dhe gjatë bisedës së bërë me të i ka treguar për shqetësimet shëndetësore që kishte. Doktor Nazmi Metaliu i thotë që përgjigje për shqetësimet që kishte na i jepte një skaner komplet i trupit.
Kallëzuesi e ka pyetur doktorin se për ta marrë këtë shërbim mos duhet të ishte i shtruar në spital por ai i thotë se nuk ka problem pasi këto gjera do ti rregullonte ai pasi do fliste me personelin mjekësor aty por duhet dhënë para tek ata sepse si rregull bëhet me planifikim e vononte disa muaj.
Doktor Nazmi Metaliu i jep kallëzuesit numrin e tij te celularit dhe i thotë që të pres ditën e marte ose të mërkurë e të shkojmë ta bëjmë skanerin direkt”, thuhet në dosjen e publikuar nga Report TV.
/e.d