Nga Adrian CIVICI
Çështjet e tokës janë të një rëndësie vendimtare për zhvillimin ekonomik dhe social, rritjen e mirëqënies dhe cilësisë së jetës, reduktimin e varfërisë, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm, qeverisjen lokale e qëndrore. Qasja ndaj tokës është baza e jetës ekonomike dhe sociale si në zonat rurale ashtu edhe në ato urbane.
Politika e Përbashkët Bujqësore Europiane është një orientim shumë efektiv dhe shumë i rëndësishëm edhe për Shqipërinë në këtë drejtim, si përsa i përket politikave e masave të rekomnaduara, ashtu dhe objektivave e synimeve specifike të saj në gjithë gamën e problematikave që lidhen me administrimin e tokës, ruajtjen e cilësisë së saj, prodhimin e produkteve cilësore e të shëndetshme, edukimin dhe formimin e lartë profesional të fermerëve, mbrojtjen e mjedisit dhe përballimin e efekteve të ndryshimeve klimatike, etj.
Toka përbën një pasuri dhe një burim pasurie për familjet, individët dhe komunitetet, me lidhje të forta me vlerat kulturore dhe shpirtërore. Pronësia dhe kontrolli mbi tokën japin fuqi shumë të rëndësishme politike, veçanërisht aty ku toka po bëhet më e rrallë dhe si rrjedhim më e vlefshme. Çështjet dhe konfliktet e tokës dhe administrimit te saj janë të ngulitura thellë në historinë afatgjatë sociale, ekonomike dhe politike të një vendi dhe duhet të kuptohen në këtë kontekst.
Të drejtat dhe detyrat që zotërojnë individët ose një familje janë vetë të përfshira në një sërë rregullash dhe normash, të përcaktuara dhe të zbatuara nga autoritetet dhe institucionet që mund të jenë ato të komuniteteve rurale dhe/ose të shtetit. Asnjë sistem i pronësisë mbi tokën nuk mund të funksionojë pa një organ me fuqi dhe autoritet për të përcaktuar dhe zbatuar rregullat dhe për të ofruar arbitrazh në rast konflikti.
Pronësia e tokës është një problem kompleks që përfshin faktorë politikë, ekonomikë, teknikë, ligjorë dhe institucionalë. Kontrolli mbi tokën përbën një pjesë të rëndësishme të identitetit dhe funksionimit të shoqërisë rurale.
Politikat e tokës përcaktojnë se kush ka të drejta ligjore për akses dhe/ose pronësi ndaj burimeve të caktuara dhe në çfarë kushtesh, dhe si rrjedhim, si përdoren e shpërndahen këto asete prodhuese mes palëve të ndryshme të interesit. Politikat apo reformat e tokës shpesh reflektojnë kompromise të rëndësishme politike ndërmjet objektivave të ndryshëm dhe grupeve kryesore të interesit në mjediset rurale.
Një politikë e tokës synon të arrijë objektiva të caktuara në lidhje me sigurinë dhe shpërndarjen e të drejtave të tokës, përdorimin e tokës dhe menaxhimin e tokës, si dhe aksesin në tokë, duke përfshirë format e pronësisë. Ajo përcakton parimet dhe rregullat që rregullojnë të drejtat pronësore mbi tokën dhe burimet natyrore që ajo mbart, si dhe metodat ligjore të aksesit dhe përdorimit, si dhe vlefshmërinë dhe transferimin e këtyre të drejtave.
Politika e tokës detajon kushtet në të cilat mund të bëhet përdorimi dhe zhvillimi i tokës, administrimi i saj, d.m.th se si përcaktohen dhe vihen në praktikë rregullat dhe procedurat, mënyrat me të cilat këto të drejta ratifikohen dhe administrohen, specifikon strukturat e ngarkuara me zbatimin e legjislacionit, menaxhimin e tokës dhe arbitrazhin e konflikteve.
Reforma e politikës së tokës është një aspekt thelbësor i politikave dhe reformave institucionale të nevojshme për promovimin e zhvillimit të barabartë dhe të qëndrueshëm; duhet parë sinjë mjet thelbësor për sigurimin e objektivave më të gjera të drejtësisë sociale dhe zhvillimit ekonomik. Reforma e politikës së tokës ka gjithashtu një rol kyç në proceset e demokratizimit, nxitjen për përmirësim të qeverisjes dhe decentralizimin.
Duke pasur parasysh pasojat e gjera të reformës së politikës së tokës, kërkohet një qasje eksplicite multidisiplinare për të siguruar që implikimet e ndryshme të programeve të reformës të kuptohen mirë dhe që nevojat e grupeve të ndryshme të palëve të interesuara, veçanërisht të grupeve sociale të varfër dhe vulnerabël, të mund të akomodohen në mënyrë efektive.
Egziston një lidhje e ngushtë ndërmjet “cështjeve të tokës” dhe politikave kryesore që lidhen me të, ku mund të evidentojmë : politika e tokës dhe reduktimi i varfërisë, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë sociale, barazinë gjinore, politikat e tokës dhe zhvillimi i bujqësisë, administrimi dhe qeverisja e tokës, qeverisja vendore dhe decentralizimi, politika dhe taksa e tokës, mbrojtja e tokës dhe mjedisi, politikat e planifikimit dhe përdorimit të tokës, etj.
Në këtë këndvështrim, një rëndësi të vecantë po marrin rregullat për mbrojtjen e tokës dhe masat për përmirësimin e administrimit të saj. Një shembull mjaft koherent dhe eficent në këtë drejtim është dhe paketa speciale masave dhe politikave të Bashkimit Europian në kuadrin e Politikës së Përbëshkët Bujqësore Europiane, CAP.
Në vijim, po evidentojmë disa nga elementet më thelbësore të kësaj politike në kuadrin e sfidave për mbrojtjen e tokës dhe përmirësimin e administrimit të saj.
Toka të shëndetshme
Politika e përbashkët bujqësore europiane siguron respektimin e rregullave të mbrojtjes së tokës dhe inkurajon fermerët të marrin një kompleks të tërë masash e veprimesh të domosdoshme për të përmirësuar menaxhimin e tokës.
Toka është një burim thelbësor i pa-rinovueshëm për bujqësinë dhe shërben si bazë për prodhimin e ushqimit, biomasës dhe burimeve të tjera në kuadrin e një bioekonomie rrethore.
Tokat mbështesin biodiversitetin, luajnë një rol qëndror në thithjen dhe stokimin e karbonit dhe ofrojnë shërbime të tjera të ekosistemit, si rregullimi i ujit dhe ciklet e lëndëve ushqyese.
Për të mbrojtur këto funksione jetike dhe shërbime të ekosistemit, Politika e Përbashkët Bujqësore (CAP) mbështet menaxhimin e qëndrueshëm të tokës.Shëndeti i tokës është i lidhur ngushtë me bujqësinë, ku toka bujqësore zë rreth gjysmën e sipërfaqes së BE-së. Megjithatë, tokat në BE përballen me shumë sfida si erozioni, degradimi dezertifikimi, si dhe zvogëlimi i përmbajtjes së lëndës organike dhe humbja e biodiversitetit.
Shumë nga çështjet që kërcënojnë shëndetin e tokës lidhen me bujqësinë dhe një kërkesë gjithnjë në rritje për produkte ushqimore dhe jo vetëm, duke përfshirë:degradimi dhe përkeqësimi i cilësisë së tokës e shkaktuar nga praktikat intensive;ngjeshja e tokës për shkak të makinerive të rënda dhe praktikave të papërshtatshme agronomike në kultivim;dëmtimi i biodiversitetit i shkaktuar nga monokulturat dhe praktikat e tjera të përdorimit dhe menaxhimit të tokës;ndotja nga kimikatet (pesticidet, metalet e rënda, medikamentet farmaceutike, plastikat, etj.);braktisja dhe shpërfillja e tokës.
Për të adresuar këto sfida, Politika e Përbashkët Bujqësore (CAP) synon dhe përpiqet të garantojë që praktikat bujqësore të jenë në përputhje me politikat e BE-së për mbrojtjen e tokës, siç përcaktohet në Strategjinë aktuale Tematike për mbrojtjen e tokës. Menaxhimi i qëndrueshëm i tokës është thelbësor për shumë strategji, objektiva dhe prioritete të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane duke përfshirë:strategjia “nga ferma në tavolinë”;plani i veprimit “zero ndotje”;zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimatike dhe mundësitë e përshtatjes me këto ndryshime;strategjia e biodiversitetit, sipas së cilës është shpallur edhe një strategji e re e BE-së për tokën për vitin 2021;plani i ri i veprimit për bujqësinë organike.
Veprimet aktuale të CAP
CAP zbaton një sërë rregullash dhe masash që synojnë ruajtjen e rolit të tokave në sistemet e qëndrueshme bujqësore në BE, në mënyrë që të lejojë fermerët të:të sigurojë ushqim të sigurt, të shëndetshëm dhe të prodhuar në mënyrë të qëndrueshme;të përfitojnë të ardhura të qëndrueshme dhe të denja, duke marrë parasysh të mirat publike që ata ofrojnë;të mbrojnë burimet natyrore, për të përmirësuar biodiversitetin dhe për të kontribuar në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Kushtëzimi/kondicionalitetet
Sipas rregullave të kushtëzimit dhe përputhshmërisë, të gjitha pagesat e bëra për përfituesit e CAP janë të lidhura me një sërë kërkesash rregullatore për menaxhimin dhe kushte të mira bujqësore dhe mjedisore.
Traktati i Mastrihtit kërkon që Evropa të mos financojë aktivitete që degradojnë tokën dhe mjedisin nëse këto nuk justifikohen dhe shoqërohen me masa dëmshpërblimi ose kompensimi.
“Pagesa e plotë e ndihmës direkte duhet të lidhet me respektimin e rregullave për tokën bujqësore, prodhimin dhe aktivitetin. Këto rregulla duhet të synojnë integrimin e standardeve bazë në aspektin e mjedisit, sigurisë ushqimore, shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve dhe kushteve të mira bujqësore e mjedisore në organizimet e përbashkëta të tregjeve”.
Që nga viti 2003, pagesa e ndihmës kompensuese, i quajtur ndryshe si “eko-kushtëzimi”, i është dedikuar qartësisht respektimit të kritereve mjedisore menaxhimit të qëndrueshëm të tokës.
Rregullat e kushtëzimit dhe përputhshmërisë me interes të veçantë për tokat përfshijnë:Garantimi i një mbulese eficente të tokës;menaxhim optimal i tokës për të kufizuar erozionin;mirëmbajtja e lëndës organike të tokës;
“Pagesat e gjelbra” direkte
Sipas rregullave aktuale të CAP, fermerët duhet të respektojnë tre praktika të detyrueshme për të përfituar nga “pagesat e gjelbra” direkte. Secila prej këtyre praktikave është e dobishme për shëndetin e tokës:diversifikimi i kulturave: një shumëllojshmëri më e madhe e kulturave kontribuon në forcimin e elasticitetit të tokës dhe ekosistemeve;kullotat e përhershme: ato ruajnë pjellorinë e tokës dhe përmbajtjen e karbonit organik, parandalojnë erozionin dhe promovojnë biodiversitetin duke mbrojtur habitatet;sipërfaqet me interes ekologjik: opsionet e dobishme për tokat përfshijnë ugarët, tarracat, sipërfaqet periferike të fushave apo parcelave të mëdha, agropylltarinë, kulturat ndërmjetëse, mbulesën e tokës dhe kulturat fiksuese të azotit.
Nga viti 2023, elementët më efektivë të pagesave të gjelbra direkte do të përshtaten dhe integrohen në CAP të reformuar. Pagesat direkte do të vazhdojnë të kontribuojnë në objektivat mjedisore dhe klimatike nëpërmjet instrumentit të ri të “skemave të gjelbra”.
Duke filluar nga 1 janari 2023, PPB-ja e re parashikon një pagesë të re për hektar përveç asaj bazë, që ka të bëjë me të ashtuquajturat eko-skema, pra veprime vullnetare të zbatuara nga fermeri në funksion të përshtatjes më ndryshimet klimatike, mbrojtjen e mjedisit dhe administrimin e mirë të tokës. Komisioni Evropian ka publikuar një dokument ku propozon një listë me 41 praktika bujqësore që mund të përfshihen në pagesën e re.
Zhvillimi rural
Zhvillimi rural (“shtylla e dytë” e CAP) përfshin një zonë specifike veprimi kushtuar parandalimit të erozionit dhe përmirësimit të menaxhimit të tokës.Në programet e tyre të zhvillimit rural, vendet e BE-së kontribuojnë në këtë fushë të politikave duke miratuar masa agro-mjedisore-klimatike, ku fermerët angazhohen të zbatojnë praktika menaxhimi që mbrojnë dhe përmirësojnë tokën.
Vendet e BE-së synojnë të aplikojnë disa masa të tjera të zhvillimit rural për të inkurajuar menaxhimin e qëndrueshëm të tokës:masat për të mbështetur bujqësinë organike ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të tokës dhe biodiversitetit;masat për të mbështetur zhvillimin e pyjeve janë efektive në luftimin e erozionit të tokës;masat për orientimin dhe realizimin e investimeve mund të përdoren për financimin e makinerive për kultivimin e tokës, në mënyrë që të minimizohet shpërbërja e tokës dhe të ruhet një nivel i lartë i mbulimit të tokës në vjeshtë dhe dimër, gjë që mund të kufizojë emetimet e gazeve serrë, të zvogëlojë erozionin dhe të rrisë përmbajtjen e lëndës organike në tokë;masat për të mbështetur transferimin e njohurive, shërbimet këshillimore dhe bashkëpunimin mund të ndihmojnë fermerët të përballen me kërcënime të ndryshme ndaj tokës (p.sh. erozioni, acidifikimi ose humbja e lëndës organike) dhe të nxisin adoptimin e praktikave të menaxhimit të qëndrueshëm të tokës, të përshtatura me kushtet lokale agro-ekologjike dhe bujqësore.
Rrjeti Evropian për Zhvillimin Rural (ENRD) lehtëson ndarjen e ideve dhe praktikave të mira në fushat tematike në lidhje me efikasitetin e burimeve dhe menaxhimin e ujit dhe tokave. CAP i ri, i cili do të fillojë në vitin 2023, do të përfshijë “mbështetje të shtuar për toka të shëndetshme”, në përputhje me objektivat e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane.
Objektivi specifik i PPB
Në përputhje me propozimet e Komisionit Europian, CAP i ri 2023-2027, do të strukturohet rreth nëntë objektivave specifike. Menaxhimi i qëndrueshëm i tokës do të jetë një pjesë thelbësore e shumë prej këtyre synimeve, veçanërisht ato që lidhen me peizazhet dhe biodiversitetin, burimet natyrore dhe veprimin e ndryshimeve klimatike.
Në planet e tyre strategjike, vendet e BE-së synojnë të kenë fleksibilitet më të madh për të hartuar ndërhyrje për të adresuar sfidat më urgjente me të cilat përballen tokat e tyre, duke kontribuar në arritjen e objektivave të përbashkëta.
Një arkitekturë e re e gjelbër e CAP do të integrojë rregulla më të rrepta dhe do të ofrojë më shumë mundësi për bujqësi miqësore me mjedisin. Për shembull, një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të CAP do të caktohet për programet ekologjike, të cilat mund të mbështesin praktikat vullnetare të fermerëve. Komisioni Europian ka publikuar në janar 2021 një listë orientuese të eko-skemave, duke përfshirë disa praktika të dobishme për tokat.
Mjet i menaxhimit të lëndëve ushqyese për bujqësi të qëndrueshme
CAP i ri 2023-2027 përfshin përdorimin nga fermerët të Instrumenteve të Menaxhimit të plehrimit për Bujqësi të Qëndrueshme. Ky mjet i ri do t’u japë fermerëve orientime për aplikimin e plehravekimikë e organikë, të përshtatura me nevojat reale të kulturave bujqësore dhe garantimin e respektimit të legjislacionit aktual për përdorimin e plehrave. Ai do të nxisë përdorimin optimal të plehrave, që do të sjellë përfitime ekonomike dhe mjedisore, si dhe do të kontribuojë në: tranzicionin dixhital të bujqësisë, shfrytëzimin më të mirë të teknollogjive dixhitale, forcuar aftësitë e fermerëve në përvetësimin e mjeteve dhe sistemeve dixhitale me synim që të përmirësojnë pjellorinë e tokës dhe të reduktojnë ndotjen, duke mbështetur sisteme më të mira të menaxhimit, në përdorimin e sistemeve të drejtimit satelitor, aplikimin e sisteve specifike të plehrimit, ujitjes, etj.
Ndjekja e progresit
Nëpërmjet Kornizës së Përbashkët të Monitorimit dhe Vlerësimit (CMEF), Komisioni Europian përpunon dhe evidenton një gamë të gjerë treguesish për të matur progresin e bërë nga CAP në arritjen e objektivave të tij strategjikë.
Portali i të dhënave agro-ushqimore të Komisionit përfshin një “panel statistikor kontrolli të tokës”, i cili paraqet disa nga treguesit më të rëndësishëm të tokës si dhe ofron një kornizë për vlerësime dhe studime të gjëra e komplekse për këtë problematikë. Në nëntor 2020, Komisioni publikoi një studim specifik mbi ndikimin e CAP në menaxhimin e qëndrueshëm të tokës, të shoqëruar me mjaft rekomandime për përmirësimin e vazhdueshëm të këtij menaxhimi.
Në përputhje me propozimet e Komisionit Europian, PPB-ja e re synon të përfshijë një kornizë të përforcuar të performancës, monitorimit dhe vlerësimit, e cila do të ndihmojë në forcimin e llogaridhënies dhe kalimin në një model ofrimi të bazuar në rezultate.
Si pjesë e programimit të ardhshëm të Politikës Bujqësore Europiane, e cila do të hyjë në fuqi më 1 janar 2023,Komisioni Evropian ka prezantuar një komponent të ri të quajtur“Sistemi i monitorimit të sipërfaqeve bujqësore në kohë reale”.Objektivi i këtij sistemi është të automatizojë verifikimin e parcelave dhe veprimtaritë e deklaruara dhe aktivitetet bujqësore.Aplikacioni celular “Telepac Geophotos” është një nga mjetet e përdoruranë këtë kuadër.
Njohuri, kërkime dhe inovacion
Zhvillimi i njohurive, kërkimit dhe inovacionit do të jetë thelbësor për avancimin e mundësive të menaxhimit të qëndrueshëm të tokës.
Sistemi Këshillues i Fermave (SCA) u shpjegon fermerëve se si të adoptojnë praktika të qëndrueshme të menaxhimit të tokës në fermat e tyre, të respektojnë rregullat e mbrojtjes së tokës dhe të përfitojnë nga mbështetja e disponueshme për zhvillimin rural, ndërkohë që i informon ata për metodat dhe teknologjitë e reja.
Komisioni Europian, në kuadër të CAP, mbështet kërkimin dhe inovacionin për të kuptuar më mirë ndikimin e bujqësisë dhe pylltarisë në tokë dhe për të zhvilluar teknika dhe teknologji të reja të afta për të avancuar sistemet e prodhimit që mbrojnë e përmirësojnë tokën. Në veçanti, CAP ofron qasje inovative për kërkimin dhe inovacionin, të kombinuara me edukimin, trajnimin, investimin dhe demonstrimin e praktikave të mira përmes “laboratorëve të gjallë” dhe “projekteve pilot”, si pjesë e “Paktit për tokë të shëndetshme në Evropë”.
Partneriteti Evropian i Inovacionit për Produktivitetin dhe Qëndrueshmërinë Bujqësore (EIP-AGRI) mbetet një instrument kyç i CAP-së së ardhshme për të promovuar krijimin, testimin dhe shpërndarjen e zgjidhjeve inovative që rezultojnë nga puna e Grupeve Operacionale. Këto grupe lidhin fermerët, pylltarët, studiuesit, këshilltarët, bizneset dhe OJQ-të mjedisore për të bashkëpunuar në projekte inovative në bujqësi dhe aktivitete të tjera mjedisore, bujqësi dhe zonat rura.