Policët Nazmi Jahiri dhe Enver Sejfullahu po bënin punën e tyre të zakonshme kur më 13 korrik të vitit të kaluar kishin vendosur një gjobë për një person që kishte parkuar veturën në vendin e ndaluar, në qytetin e Prizrenit. Vendimi për ta ndëshkuar shkelësin për ta “doli të ishte i gabuar”.
Personi që ngiste veturën zyrtare ishte shoferi i ministrit pa portofol në Qeverinë e Kosovës, Rasim Demiri, i cili me t’u afruar tek vetura u kishte rekomanduar policëve që të mos e shkruanin dënimin, ndërkohë që ua kishte bërë me dije atyre se ishte makina e ministrit.
Por, fakti se në atë veturë po futej një ministër nuk u bëri fare përshtypje të dy policëve, të cilët thonë se në atë moment vetëm po e kryenin detyrën sipas ligjit.
Menjëherë pas këtij veprimi, ministri Demiri kishte ushtruar autoritetin e tij duke bërë kërkesë për pezullimin e policëve.
Përveçse kishte bërë ankesë, vetë ministri ishte përkujdesur që ta shfrytëzonte fuqinë që ka në rajonin e Prizrenit dhe menjëherë kishte ndodhur pezullimi i policëve. Atyre iu morën armët dhe distinktivët.
Në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Standardeve brenda Policisë së Kosovës, një kopje të së cilës e posedon edhe gazeta “Zëri”, ishte arsyetuar veprimi i ministrit, Rasim Demiri, e për më shumë në këtë dokument thuhej se të dy policët kishin bërë shkelje të rënda disiplinore dhe se për këtë po fillonin hetimet.
Express