Irani ka kryer ekzekutimin e parë të një personi që mendohet se është dënuar gjatë protestave mbarëkombëtare të javëve të fundit. Personi i ekzekutuar u identifikua si Mohsen Shekari.
Ai u dënua pasi dyshohet se sulmoi një oficer sigurie me një thikë të gjatë. Ky ekzekutim besohet se shënon ndëshkimin e parë të tillë të kryer nga Teherani. Ekzekutimi vjen teksa edhe të burgosur të tjerë përballen me dënime me vdekje për përfshirjen e tyre në protestave.
23-vjeçari u arrestua më 25 shtator, pak më shumë se një javë pasi shpërthyen protestat në të gjithë Iranin pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar nga policia morale e vendit pasi dyshohej se nuk iu përmbahej kodit të veshjes.
Mohsen mori dënimin paraprak me vdekje më 20 Nëntor, i cili u ekzekutua pak pasi u la në fuqi nga Gjykata e Lartë e vendit. Amnesty International kishte paralajmëruar në fillim të këtij muaji se të paktën 28 persona mund të përballen me ekzekutimin në Iran në lidhje me protestat, duke thënë se autoritetet përdorin dënimin me vdekje si një mjet shtypjeje politike për t’i dhënë fund kryengritjes popullore.
Shefi i gjyqësorit Gholam-Hossein Mohseni-Ejei në fillim të kësaj jave u shpreh se disa nga dënimet me vdekje që ishin dhënë më parë për korrupsion dhe “luftë kundër Zotit” në lidhje me protestat ishin mbështetur nga Gjykata e Lartë.
Ekspertët e të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara i kanë bërë thirrje Iranit që të ndalojë ekzekutimin e të burgosurve në lidhje me protestat, por autoritetet iraniane kërkojnë të mbrojnë vendin nga komplotet e fuqive të huaja , veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara, të cilat ata i akuzojnë se qëndrojnë pas trazirave. Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut votoi muajin e kaluar për të krijuar një mision faktmbledhës për të hetuar trajtimin e protestave nga Irani, por Teherani tha se nuk do të bashkëpunonte me të për shkak të natyrës së tij politike.
/a.r