Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto iu përgjigj akuzave të opozitës në seancën plenare të së enjtes, gjatë diskutimit për disa ndryshime të ligjit për “Transportet Rrugore”.
“Është një situatë e tmerrshme në transportin ndërqytetas, ku sot kemi pothuajse dyfishin e linjave që i duhet Shqipërisë, kemi autobuzë që në 80% të tyre janë jashtë çdo lloj standardi. Kemi evazion fiskal dhe nuk kemi komoditet për qytetarët. Kemi mungesë të theksuar të terminaleve dhe çfarë nuk kemi. Së pari për biletat e transportuesve ndërkombëtarë. Para një jave u bë komisioni i përbashkët me Greqinë, që kishte kohë që kërkohej. Është kërkuar nga pala jonë dhe është rënë dakort, që duhet të vazhdojnë formalitetet me ministrinë e Financave, me qëllim që të dyja biletat, qoftë shqiptare qoftë greke të kenë një vlefshmëri, në të dyja anët e kufirit. Besoj se në mbledhjen tjetër ky problem do të zgjidhet. Por ky është një problem i vjetër, jo një problem që lindi sot. Rëndësi ka t’i shërbejnë qytetarëve që përfitojnë nga këto shërbime”, tha ai.
Po ashtu, ministri Haxhinasto u përgjigj edhe në lidhje me projektin e rrugës së Arbrit. “Ruga e Arbrit është shembulli ekselent sesi nuk mund të bëhet një projekt, që duhet të ishte strategjik. Dhe sigurisht nuk mund të prisni që të jetë faji i kësaj qeverie. Qeveria është angazhuar maksimalisht për tërë këtë projekt. Ne vazhdojmë të paguajmë punimet e filluara prej 5 vitesh”, nënvizoi ai.
Po ashtu, Haxhinasto iu përgjigj akuzave të opozitës në lidhje me kërkesën koncesionare të marrë nga institucioni që ai drejton për targat me çip. Ai ritheksoi se bëhet fjalë për një ofertë të pakërkuar nga Ministria, kërkesë që është çuar për vlerësim në institucionet e tjera shtetërore. Kreu i Transporteve prezantoi avantazhet e targave me çip dhe i kërkoi opozitës që të kursejë kritikat për një koncesion që është ende në vlerësim.