Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti tha se opozita nuk duhej të protestonte në 6 dhjetor në ditën kur liderët e BE-së vizitojnë Tiranën sepse një organizim i tillë, mund të konsiderohej si organizim kundër samitit, ashtu siç ndodh edhe në vende të tjera të botës.
Në studion e emisionit ‘Real Story’ me Sokol Ballën në Report TV, Gjylameti tha se 6 dhjetori ishte një rast kur duhet të kishte tërheqje pas nga ana e palëve politike.
“Pse duhet të protestohet kur nuk e ke një arsye? Nëse në tërë botën organizohen të tilla evente kanë qëllime për të protestuar kundër këtij eventi. Në rastin konkret opozita nuk ka arsye për të protestuar kundër këtij eventi. Se thonë nuk janë kundër integrimit europian. Atëherë kundër kujt janë? Ky është një moment kur duhet të kishte një tërheqje pas. Në të tilla evente kaq të rëndësishme të protestosh për çfarë?”- u shpreh Gjylameti.
Ndërsa tha se asnjë prej liderve të BE-së nuk do pranonte negocime me ish kryeministrin Sali Berisha i cili është i shpallur non-grata, Gjylameti tha se në një moment të tillë opozita dhe qeveria duhet të uleshin në tryezë për të disktuar sa herë që bëhej fjalë për çështje kombëtare. Ajo shtoi se një protestë e opozitës në këtë moment do të ishte një gabim i madh strategjik nga ana e saj.
“Liderët perëndimorë kanë deklaruar se nuk negociojnë dhe nuk kontaktojnë me një non-grata për sa kohë nga sekretari i shtetit amerikan dhe nga çdo përfaqësi e huaj në Shqipëri, e kanë deklaruar se nuk ulen në tryezë me një non-grata. Të jesh në opozitë apo mazhorancë, nëse ka një moment që duhet të ulemi në tryezë për të diskutuar, do ishte kjo. Rama e ka thënë se përsa i përket çështjeve kombëtare është në gjendje të ulet me këdo nga opozita për të diskutuar. Në një moment të tillë më duket gabim shumë i madh strategjik nga ana e opozitës që të dalë në protestë. Tani të diskutohet këtu e të thuhet se mund ta menaxhojnë turmën dhe se janë të sigurt se nuk do ketë asnjë incident, ky është një gabim i madh”- u shpreh Gjylameti.
Nga ana tjetër sekretari për Diasporën tek ‘Rithemelimi’, Indrit Hoxha, theksoi se protesta do të mbahej në orën 12:00 të datës 6 dhjetor përpara kryeministrisë. I pyetur nga analisti Edvin Kulluri mbi sigurinë që kishte se turma e protestuesve mund të menaxhohej për të mos shkaktuar incidente, Hoxha pa dhënë shumë detaje tha se do të garantohej siguria.
Kulluri: Frika më e madhe e sigurisë atë ditë është kjo. Do shkoni të policia dhe do kërkoni të hyni në zonën që nuk lejohet. Policia do iu refuzojë. Ju mendoni dhe besoni vërtet se mijëra njerëz që do i mblidhni, mund t’i kontrollini që ata të mos krijojnë incidente të dhunshme me policinë për t’u futur.
Hoxha: Ju garantoj se nuk do ketë asnjë incident.
Sa i përket deklaratave të Gjylametit për mungesën e takimeve të Berishës me liderë perëndimorë, Hoxha iu përgjigj duke deklaruar se së shpejti kreu i Rithemelimit do të vizitonte disa nga kancelaritë më të rëndësishmetë BE-së.
“Mos të bëjmë shumë propagandë tani të thuhet se liderët e BE kanë thënë se nuk do kishin negociata me një non-grata. Kryeministrja e sapozgjedhur e Italisë i ka dërguar një letër dhe shumë shpejt Berisha do jetë në disa nga vendet më të rëndësishme të BE-së. Çështja e Berishës me SHBA-të, po ndiqet nëpërmjet një rruge ligjore nga ai vetë. Ndërkombëtarët mund të mos ulen me zotin Berisha por mund të ulen me institucionin e opozitës që përfshin edhe kryetarin”-tha Hoxha.
/a.r