Tirana ka një stacion të ri zjarrfikës në Kinostudio. Investimi i Bashkisë së Tiranës për sigurinë e qytetit, sjell kushte më të mira për punonjësit, por edhe një godinë moderne, që i përshtatet standardeve më të mira të shërbimit zjarrfikës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në përurimin e stacionit të ri, të cilin e veçoi si më të madhin dhe më të bukurin në Shqipëri. Ai tha se është i lumtur edhe nga lajmi i mirë i Kryeministrit Rama për rritjen e pagës për zjarrfikësit.
Nga ana tjetër, zgjodhi disa fjalë për të komentuar edhe protestën e pedagogëve. “Imagjinoni sikur, një ditë, zjarrfikësit të thonë: Do të bëhemi edhe ne kapriçozë, do politizohemi edhe ne, do fusim edhe partitë në uniformën tonë, ndaj për ideal të partisë sot nuk do të shuaj zjarre, nuk do të hap një derë ashensori të bllokuar, ku mund të ketë ngelur një i moshuar, etj. Kjo do të ishte një katastrofë! Për ata pedagogë që janë në grevë sot dhe po i lënë studentët rrugëve, dua të them se pasi ngelën një vit pa mësim për shkak të pandemisë, një vit për shkak të tërmetit dhe dëmtimit të shumë institucioneve arsimore, ky vit i tretë është i tepërt. Një pedagog e ka mundësinë që, pasi mbaron tre-katër orë mësim në shtet, të bëjë edhe tre-katër orë të tjera në privat. Mund të bëjë edhe një konsulencë me paratë e BE-së ose të punojë me një biznes privat. Kurse një zjarrfikës, i cili është 24 orë këtu, nuk e ka këtë mundësi. Jeton vetëm me rrogën e zjarrfikësit. Nuk e ka mundësinë që, pasi të shuajë zjarret, të shkojë të shuajë zjarre edhe te privati”, tha Veliaj.
Më tej, kreu i Bashkisë u shpreh se të gjithë duhet të marrin shembull nga zjarrfikësit apo ushtarakët sepse sipas tij, janë pjesa më e fortë e shoqërisë sonë. “Këtyre pedagogëve u them shikoni zjarrfikësit, merrni shembull prej tyre. Shikoni çfarë do të thotë t’i shërbesh vendit tënd me përkushtim. Sigurisht, mund organizohesh me sindikatën për të kërkuar të drejtat e tua, por çdo gjë në kohën e saj. Një zjarrfikës nuk thotë që, në emër të partisë, po e lë pompën me ujë, se jam në protestë sot”, nënvizoi Veliaj.
Kryebashkiaku solli në vëmendje faktin se dimri po afron dhe kërkoi mobilizim nga ana e qytetarëve, që të tregojnë kujdes nga ngrohja me gaz apo me soba me dru, sidomos këtë vit, që për shkak të luftës në Ukrainë, duhet të kursejmë energjinë elektrike.
“Dua që qytetarët të bëjnë kujdes të veçantë këtë vit. Dhëntë zoti, dimri të vazhdojë kështu, i butë, dhe nuk kemi shpenzime të energjisë, prej krizës që na vjen për shkak të një lufte të pabesë të një xhelati-psikopat në Rusi. Për sa kohë që kjo shkaktohet jashtë fuqive tona, ajo që kemi në dorë është të bëjme kujdes, të kursejmë dhe nëse do të përdorim gazin për ngrohje ose gatim, të kemi parasysh rregullat e sigurisë teknike, sidomos restorantet dhe lokalet. Dua t’ju ftoj që këtë stinë ta kthejmë në një fushatë të madhe informimi, jo vetëm në çerdhet, kopshtet, shkollat 9-vjeçare dhe në gjimnazet e Tiranës, por në të gjitha mjediset publike apo private”, tha ai.
Ndërsa, për ata që flasin nëpër televizione, Veliaj tha se ka vetëm një përgjigje: “Puna”.
“Ka lloj-lloj mitomanësh e dallkaukësh që do të flasin si mjeshtra edhe për zjarrfikësen, edhe për tërmetin, edhe për pandeminë – i kemi parë nëpër televizione. Ne nuk jemi ajo rracë, ne flasim me punë! Për çfarë duhet t’i kthej unë batutën çdo lloj mitomani, kur kjo që kemi bërë këtu është përgjigja më e mirë për shërbimin tonë zjarrfikës? Pse të flas unë për arsimin në Tiranë, kur mjafton të shikosh shkollat “Sami Frashëri”, “Kosova”, “Servete Maçi”, shkollën që po ndërtojmë tek ish-Shërbimi Informativ Ushtarak, “Luan Hajdaraga”, shkollën tjetër te Fresku. Kjo është përgjigja jonë!”, përfundoi Veliaj.
/e.d