Nga Ben Andoni
“A është, vallë, njeri…”, e ka përkthyer titullin e librit të Primo Levit në shqip përkthyesi i “PEGI”-t. Një libër i ndjerë dhe nga më realët e gjëndjes dhe trajtimit të hebrenjve në kampet e përqendrimit.
Primo Levi, një vuajtës i tyre, e ka zgjidhur hyrjen me një poezi-epigramatike, që sjell aludimin për njerëzit e konceptit të Untermenschen (gjermanisht – “nën-njerëzor”), si edhe rrëfimin real të vetë Levit, si i burgosur i Aushvicit për të na ndërgjegjësuar edhe 70 vite më vonë për tmerrin e të keqes. Në një farë mënyre, një rrëfim “i zakonshëm” në mes të çnjerëzores. Mrekullia e një autori si ai është se qysh në mesin e viteve ’40, ai është krejt real dhe përmes një stili krejtësisht jetësor përshkruan tmerrin e paparë të së keqes. Për shkrimtarët, veç të tjerave, shërben edhe si një model për të parë portretin e personazhit në mënyrën sa më të zhveshur.
Lexuesi duhet të ketë kujdes se Levi s’merr përsipër të tejkalojë ato që dihen për kampet apo për të treguar anë të pavëzhguara të shpirtit njerëzor, që i kanë bërë përshtypje më së tepërmi, por thjesht të rrëfejë. Hapur. Ai është një narrator krejt klasik, ndaj libri josh edhe lexuesin e zakonshëm të futet dhe të lundrojë në të.
Por të mos e thjeshtojmë: Primo Levi e parashikonte vite e vite më parë se problemi i përkujtimit mund të bëhej pak ‘bajat’ nëse brezat do u përçohej një frymë skolastike për ndodhinë e të keqes naziste, ndaj është i drejtë dhe parcial. Dokumenton gjëndje.
Prej faqeve të para të librit, struktura e kampeve është e hedhur zhveshur për lexuesin: kjo është, po të perifrazojmë Levin, “prishje e njeriut”. Nëpërmjet momenteve të vogla dhe të mëdha hasim privimin dhe shkatërrimin e një popullsie të tërë: heqjen e shpresës, e dinjitetit, e të domosdoshmes apo në mënyrë më cinike: kemi reduktimin e qëllimit dhe ekzistencës së një njeriu në një mbledhës copash bajate të bukës dhe në gërryerjen e një tasi supë. Primo Levi mbart edhe talentin e llojit të romancierit, etur për detaje dhe që nganjëherë duket edhe shumë komik (me atë që ndan krevatin).
“Me fjalën “Westawac vihet në punë furtuna. Mbarë baraka nis menjëherë një lëvizje të furishme: çdokush kacavirret lart e poshtë, rregullon shtratin dhe mundohet në të njëjtën kohë të vishet, duke ruajtur me kujdes sendet e tij; ajri mbushet me pluhur derisa bëhet i marrë, më të shkathtit çajnë me bërryla nëpër turmë për të shkuar për t’u larë në nevojtore, para se të zgjatat rradha. Menjëherë hyjnë në skenë pastruesit dhe i zbojnë të gjithë jashtë. Duke qëlluar e bërtitur”.
Puna e Primo Levit është e përshkruar si e domosdoshme për njohjen e të keqes, por ajo është edhe tejet edukative, duke e bërë atë një shkrimtar krejtësisht nga gjithë të tjerët, që iu dedikuan Holokaustit. Është e habitshme sesi botimi iu refuzua fillimisht autorit nga shtëpitë e mëdha botuese, që kuptohet se e përpinë pas suksesit të tij! Por me sa duket bota e kapitalit është e njësoj.
Për t’u vlerësuar është edhe regjistri i përkthyesit Pjetri, që ka mundur ta ruajë sa më shumë zhvogështinë e situatës, por edhe stilin. Në një farë mënyre, përkthyesi e ka “torturuar” Levin, duke i qëndruar fare ngjitur. Që në fakt i ka bërë shërbim edhe lexuesit sepse për mendimin tonë, libri nuk lexohet me një frymë. Arsyeja është e thjeshtë: edhe pse libri nuk është masiv, t’i ke nevojë të marrësh frymë nga e keqja e jetës, që njerëzimit, në një formë apo në tjetrën nuk i ndahet edhe sot në këtë ditë dhe të meditosh. Është libër që i flet hapur ndërgjegjes së të sotmes.
Librin mund ta klasifikosh edhe si roman dokumentar, pasi megjithatë angazhohet interesi i lexuesit në një histori, që ka karakter tejet njohës. Nëse do e përkufizoje me pak fjalë mesazhin universal: kemi një lloj njerëzimi në zgrip të çmëndurisë, por që mëton se është ende njerëzim. Mbase kjo është arsyeja që si narrator vërtetë, Levi është krejt realist por edhe nuk qëndron jashtë rrëfimit të përmbledhur të jetës njerëzore, ku shkrimtari tregon veten.
“Ne nuk besojmë,” shkruan ai, “në zbritje më të qartë dhe të lehtë: se njeriu është krejtësisht brutal, egoist dhe budalla … Ne besojmë, në vend të kësaj, se përfundimi i vetëm për të qenë i tërhequr është në fytyrën …ku shumë zakone sociale dhe instinktet janë reduktuar në heshtje.” Dhe, mos e zgjasim më: “Pegi” ka sjellë një nga veprat më të mira kushtuar Ditës së Përkujtimit, datës 27 janar ose Yom HaShoah…Shenjë nderimi universal.
Skeda
Autor: Primo Levi
Titulli: A është, vallë, njeri…?
Botues: “Pegi”
Përkthyes: Genc Pjetri
Faqe: 196
Çmimi: 700Lek