Nga Rudina Xhunga
Në farmaci shikoj një fëmijë 14 vjeçar, që merrte tre shiringa. Pasi doli, pyes farmacistin: -Merr drogë fëmija?
-Nuk e di,-më tha.
E pyeta sërish.
-Për çfarë i do djali shiringat?
-Nuk e di,- tha,-pse i donte!
Insistova, duke i thënë se nuk po e pyesja si gazetare, por doja të më tregonte pse i mori ai dhe a marrin të tjerë.
Më tha që po!
-Marrin.
Më tregoi më tej, që herë pas here i marrin për drogë, por ka të tjerë që marrin edhe shiringa edhe valium.
-Pse?, e pyeta.
-Sepse nëse nuk kanë drogë, marrin valium me shiringë që të flenë gjumë.
Ndjeva një trishtim të jashtëzakonshëm, mendova në çfarë vendi jetoj, që fëmijët marrin valium të flenë gjumë, sepse nuk kanë bar. Po ëndrra për jetën a kanë këto fëmijë? A ju flet njeri për jetën këtyre njerëzve në këtë vend?! Për sa e shkurtër dhe e bukur është jeta?