Rusia vazhdon sulmet ndaj Ukrainës edhe në ditën e 80 që kur nisi agresionin ndaj fqinjit të saj. Më shumë se 50 shtëpi në rajonin e Luhanskut të Ukrainës janë shkatërruar nga granatimet ruse, ndërsa luftimet vazhdojnë të zhvillohen rreth një brezi qytetesh industriale në zonë.
Shtëpitë ishin të vendosura në zonën përreth Popasna dhe Lysychansk.
“Ata nuk kanë nevojë për njerëzit dhe shtëpitë e tyre, ata kanë nevojë vetëm për territorin që armiku e kthen në shkretëtirë,” tha Hayday një zyrtar ukrainas, duke shtuar se dhjetë sulme të armikut ishin zmbrapsur në rajonet Donetsk dhe Luhansk në 24 orët e fundit.
Rusët duket se kanë bërë pak përparim në terren pasi konsoliduan kontrollin e tyre mbi Rubizhne në fillim të kësaj jave.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka folur gjatë natës në lidhje me situatën në Mariupol. Ai ka thënë se po zhvillohen negociata shumë të vështira për të larguar nga fabrika e çelikut Azovstal të plagosurit rëndë në radhët e ushtrisë ukrainase.
“Negociata shumë komplekse po zhvillohen për fazën tjetër të misionit të evakuimeve, largimin e të lënduarve rëndë dhe mjekëve. Po bëjmë gjithçka që të evakuojmë të gjithë të tjerët, çdo njërin prej luftëtarëve tanë”, tha ai.
Ai shtroi se Kievi po përdor “ndërmjetësues me ndikim” në negociata, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Marrja e qytetit port të Mariupolit është kyçe për qëllimet e luftës së Rusisë. Për këtë arsye trupat e saj e kanë bombarduar prej muajsh këtë qytet.
Ushtarët ukrainas janë strehuar në disa bunkerë në fabrikën e çelikut Azovstal. Kjo pikë është qëndresa e tyre e fundit.
Zëvendësministri i Jashtëm rus Aleksandër Grushko ka deklaruar gjatë ditës së sotme se Rusia nuk ka synime armiqësore ndaj Finlandës dhe Suedisë të cilat kanë vendosur ti bashkohen aleancës së NATO-s por kjo sipas tij nuk do të mbetet pa përgjigje politike dhe se është ende herët për të folur për vendosjen e forcave bërthamore ruse në rajonin e Baltikut.
“Rusia nuk ka synime armiqësore në lidhje me Finlandën dhe Suedinë por Finlanda dhe Suedia në NATO nuk do të mbeten pa një reagim politik, megjithatë, është shumë herët për të folur për vendosjen e forcave bërthamore ruse në rajonin e Balltikut nëse ato i bashkohen NATO-s”, tha ai.
Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës po heton 41 raste të ushtarëve rusë, të akuzuar për krime lufte. Këtë e bëri të ditur prokurorja e përgjithshme, Iryna Venediktova, gjatë një konference për televizionin ukrainas.
“Ne kemi 41 incidente të dyshuara për të cilat do të jemi gati të shkojmë në gjykatë. Të gjitha kanë të bëjnë me nenin 438 të kodit penal të Ukrainës lidhur me krimet e luftës, por për lloje të ndryshme të krimeve të luftës. Ka bombardime të infrastrukturës civile, vrasje të civilë, përdhunime dhe plaçkitje”, tha Venediktova.
Aktualisht është e paqartë se sa nga të dyshuarit do të gjykohen në mungesë.
g.kosovari