Ditën e sotme Zyra e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC), shpalli non-grata duke pezulluar hyrjen në SHBA dhe bllokuar pronat atje, ish-deputetin e PDIU, Aqif Rakipi dhe Ylli Ndroqin.
Bashkë me ata janë edhe 5 individë të tjerë nga Ballkani Perëndimor që përfshijnë:
Asim Sarajlic (Sarajlic) deputet në parlamentin e Bosnje dhe Hercegovinës
Gordana Tadiç (Tadic) Kryeprokurore e Prokurorisë së Shtetit të BiH
Svetozar Marovic (Marovic) President i shtetit të përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi
Nikola Gruevski (Gruevski)
Sasho Mijalkov (Mijalkov) ish-shefi i kundërzbulimit në Maqedoninë e Veriut
Por çfarë ndodh konkretisht me këta individë tani?
Sipas “Urdhrit Ekzekutiv 14033 i datës 8 qershor 2021” i firmosur nga presidenti Biden të gjitha pronat dhe interesat në prona të individëve ose subjekteve të përcaktuara që ndodhen në Shtetet e Bashkuara ose në zotërim apo kontroll të personash të SHBA, duhet të bllokohen dhe të raportohen në OFAC.
Sipas nenit 7031 (c), Sekretari i Shtetit është i autorizuar të refuzojë hyrjen në SHBA nga zyrtarët e huaj për të cilët ekzistojnë informacione të besueshme që tregojnë se ata kanë qenë të përfshirë në “korrupsion të rëndësishëm”, duke përfshirë korrupsionin në lidhje me nxjerrjen e burimeve natyrore, ose nëse këta individë janë të përfshirë në “shkeljen e rëndë të të drejtave të njeriut”.
Kufizimi i hyrjes zbatohet automatikisht për anëtarët e ngushtë të familjes së individëve të huaj në fjalë, edhe nëse ata nuk janë përfshirë drejtpërdrejt në aktivitete që kërkojnë sanksione.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Kur Shtetet e Bashkuara mësojnë se një zyrtar qeveritar i huaj është përfshirë në korrupsion madhor, Sekretari i Shtetit ka autoritetin të shpallë individët dhe anëtarët e familjes së tij/saj të afërt si të skualifikuar përgjithmonë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara”.
Seksioni 7031 (c) është një mjet i fuqishëm por i pashfrytëzuar i politikës së jashtme të SHBA. Kërcënimi se zyrtarët e huaj mund të caktohen publikisht dhe të turpërohen për përfshirje në korrupsion të konsiderueshëm ose abuzime të të drejtave të njeriut dhe kërcënimi ndaj anëtarëve të familjes se ndalimi i hyrjes në SHBA është një dekurajues ose pengues i fortë për zyrtarët e huaj.
/a.r