Nga Ruben Avxhiu
Nuk është për t’u shpërfillur që në pak paragrafe të agjensisë shtetërore ruse të lajmeve TASS që përshkruajnë bisedën e Putinit me kancelarin gjerman Olaf Scholtz, njëri u kushtohet mercenarëve nga Kroacia, Shqipëria dhe Kosova që gjoja po luftojnë në Ukrainë.
Këto paragrafe janë hapësirë e vyer dhe nuk “shpenzohen” kot.
Nuk është puna që nuk është e vërtetë. Putini e di që nuk është e vërtetë. Ashtu siç e di që nuk janë të vërteta fjalët që i tha Scholtzit se Rusia nuk po bombardon qytetet ukrainase, megjithë videot e panumërta të dëshmitarëve.
Ajo që ka rëndësi këtu është arsyeja se pse na përmendi Putini.
Po të kishte zgjedhur vetëm Kroacinë dhe Kosovën, apo të kishte përmendur Bosnjen në vend të Shqipërisë do të thoja që është një shkelje syri ndaj Serbisë. (Ministri i tij i Jashtëm, Sergei Lavrov, ishte më i kujdesshëm kur në vend të Kroacisë përmendi Bosnjën.)
Ose mbase ka përmendur Shqipërinë në vend të Bosnjes që të mos bëhet fishkëllima ndaj serbëve më e dukshme se sa duhet.
Serbia është i vetmi vend në Europë që ka refuzuar që të vendosë sanksione dhe të dënojë agresionin ndaj Ukrainës. Rusia nuk mund të mos e vlerësojë këtë fakt.
Nga ana tjetër, në votimin e Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së, Serbia iu bashkua botës në dënimin masiv ndaj Rusisë. Po merren masa edhe për kufizimin e kanalit televiz rus Sputnik. Serbia nën presion po u hedh ndonjë kockë perëndimorëve për ta shtyrë sadopak ndryshimin e qendrimit.
Nuk është çudi që fjalët e Putini të cituara nga TASS në bisedën me kancelarin gjerman të kenë pasur parasysh pikërisht lëkundjen e mbështetjes nga Serbia.
Putin foli edhe përpara kamerave televizive sot dhe përsëri përmendi Serbinë si një nga vendet që SHBA ka shkatërruar dhe për këtë arsye nuk ka të drejtë t’i kërkojë llogari Rusisë.
* * *
Po të jetë vetëm kaq, nuk ka edhe shumë rëndësi. Punë e madhe se Putini do që të sjellë vërdallë Serbinë. Ka mbetur me pak aleatë, sigurisht që do të përpiqet t’i mbajë ata që mundet dhe ata që beson se i kanë detyrime.
Ajo që më shqetëson është përpjekja e tij për të krijuar vatra të mundshme ndërhyrjeje në ato pak zona të Europës që ende nuk janë pjesë e BE-së dhe sidomos e NATO-s.
Ai ka sulmuar dy shtete deri tani, Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Të dyja u përpoqën të hyjnë në NATO, të dyja u refuzuan nga Aleanca në 2007 (kur iu hapën dyert Shqipërisë dhe Kroacisë) dhe të dyja u pushtuan pjesërisht, përkatësisht në 2007 dhe 2014.
Dje, Rusia ka kërcënuar dy shtete të tjera europiane që nuk janë në NATO dhe që po nxitojnë të anëtarësohen, Suedinë dhe Finlandën. Një mesazh zyrtar nga Moska u kërkon këtyre vendeve të paraqesin sa më shpejt se si do të garantojnë sigurinë e Rusisë tani që po bëhen gati për NATO-n.
Pjesa tjetër e Europës që është ende jashtë NATO-s është Kosova, Bosnja dhe Serbia. Sa është e mundur që të krijojë një vatër zjarri në Ballkan?
Deri më sot e kisha shpërfillur. Pas këtij lajmi nga TASS për bisedën me kancelarin gjerman nuk mund ta përjashtoj më plotësisht.
Putini është vetëm një hap larg gjetjes së një casus belli. Mjafton që në deklaratën tjetër të thotë se këta mercenarë janë dërguar me dijeninë dhe përkrahjen e qeverive të këtyre vendeve.
Putini e ka parë se NATO nuk ka vullnet të luftojë kundër Rusisë jashtë vendeve anëtare. Në mbledhjen e sotme, NATO aprovoi kërkesën e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar por refuzoi kërkesën e Ukrainës që të vendosë një regjim ndalim fluturimi mbi Ukrainë.
Putini beson se nëse sulmon tani Finlandën dhe Suedinë, jo për t’i pushtuar se sa për t’i gjunjëzuar e për t’i bërë që të braktisin kërkesën për NATO-n, Aleanca përsëri nuk do të ndërhyjë.
NATO në sytë e Putinit po bën çmos që ta shmangë një luftë të madhe me Rusinë, me shpresën se bota ende mund ta shmangë një Luftë të Tretë Botërore.
* * *
Putini mund të ketë një plan të vogël por shumë të madh. Mbase të çmendur por mbase gjenial. Që ta shkatërrojë NATO-n pa luftë.
NATO nuk shkatërrohet me luftë. Nëse Rusia e provon do të shkatërrohet vetë. Por çdo fitore do të vinte më pasoja shumë të rënda. Vendet demokratike duan ta shmangin çmendurinë. Prandaj dhe nuk po përfshihen më shumë në Ukrainë. Nuk duan që t’i japin Putinit justifikim për një luftë më të madhe.
Nga ana tjetër, një sulm ndaj çdo vendi anëtar të NATO-s do të aktivizonte automatikisht Nenin 5 të statusit të NATO-s që kërkon që nëse një vend anëtar sulmohet, kjo konsiderohet si sulm ndaj të gjithë vendeve anëtare.
Por nëse Putini argumenton se Kroacia dhe Shqipëria e kanë sulmuar Rusinë të parat, duke dërguar trupa në Ukrainë, atëhere ai mund të thotë se Rusia nuk po sulmon një vend të NATO-s. Këto vende të NATO-s sulmuan Rusinë. Dmth Rusia si vend mbrojtës vetëm sa po përgjigjet. Për këtë arsye ai do t’i japë një justifikim vendeve të NATO-s që të mos shkojnë në ndihmë të Kroacisë dhe Shqipërisë.
Nëse një vend i NATO-s sulmohet dhe Neni 5 nuk respektohet, atëhere NATO-ja ka marrë fund. Kjo është Aleanca më e fuqishme në historinë e njerëzimit. Por e ka këtë thembër të Akilit, gatishmërinë për t’u vrarë edhe për vendin më të vogël e më të parëndësishëm të aleancës. Prandaj edhe pranimi në Aleancë nuk është i lehtë. Se vjen me rritje përgjegjësie dhe rreziku për çdo anëtar që shtohet. Një vend më shumë për të mbrojtur.
Në vendet e mëdha dëshira për të luftuar për vendet e vogla e “të parëndësishme” është e kufizuar.
Gjatë një interviste me Presidentin Donald Trump, drejtuesi i njohur televiziv Tucker Carlson pyeti se pse duhet të vdisnin djemtë dhe vajzat amerikane për një vend të vogël diku si Mali i Zi apo Shqipëria? Emisioni i tij është nga më të ndjekurit në SHBA dhe ai i mbetet besnik temës duke argumentuar i palëkundur se SHBA nuk duhet të përplaset me Rusinë e Putinit.
Politikanë nga e majta e skajshme në të djathtën e skajshme franceze këmbëngulin se Franca duhet të dalë nga NATO, se nuk duhet të “marrin urdhëra nga SHBA” se me Putinin mund të ketë normalizim dhe se çlirimi dhe pavarësia e Kosovës ishin në gabim.
Disa vende si Hungaria janë bashkuar me sanksionet dhe kanë dënuar sulmin, por kanë thënë se nuk do të lejojnë kalimin e armëve që po i dërgohen Ukrainës. Turqia ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
NATO-ja është një aleancë shumë demokratike. Mjafton një vend të vendosë veton dhe NATO nuk vepron. Putinit i duhet vetëm një votë. Vetëm një vend që refuzon të çojë djemtë dhe vajzat e tij të vdesin për Shqipërinë apo Kroacinë.
Imagjino sa më e lehtë do të ishte ky refuzim për Kosovën.
Rikthim në 1999
Ndryshe nga Ukraina, Rusia nuk do ta aneksonte Kosovën. Thjesht do t’ia kthente Serbisë. Për armiqtë e NATO-s, djathtas e majtas, kjo do të vinte drejtësinë në vend. Greqia nuk ia vuri veton NATO-s në 1999, por 90% e popullit grek ishin kundër luftës. Në Itali e Francë ka plot analistë e politikanë që janë kundër pavarësisë.
Për më tepër, një ndërhyrje në Kosovë nuk do të kishte shumë kosto në njerëz për rusët. Serbia do të mbante shumicën e peshës. Rusia vetëm sa do të ruante për të kundërvepruar nëse NATO do të reagonte ushtarakisht.
Një skenar i mundshëm është që vetëm disa nga vendet e NATO-s të veprojnë. Aleanca do të vihej keq në provë.
Putini nuk ka nevojë të fitojë në Kosovë. Madje edhe sikur Serbia të shkatërrohet fare nga kjo luftë, apo të riktheheshin të gjithë në status kuo, aq i bën. Do t’i mjaftonin dy gjëra:
1) Vënia në provë e NATO-s për të krijuar përçarje të rënda e precedent mosbashkimi që do t’ia kriste në mos thyente boshtin moral Aleancës.
2) Do t’i hapte mjaftueshëm telashe Perëndimit në një vatër tjetër për ta bërë më të mundshme që ta harrojnë Ukrainën e pushtuar e madje edhe të negociojnë sanksionet në fuqi. Putini do t’u jepte mbrapsh Kosovën, në shkëmbim të heqjes së sanksioneve apo njohjes së pushtimit të Ukrainës.
E pamundur?
Mbase. Për Putinin prova e vërtetë e NATO-s do të jenë vendet balltike, ku është i fiksuar që të marrë mbrapsh krahinat ku jetojnë rusët. Mbase edhe të tre vendet bashkë ashtu si Ukrainën.
Në Ballkan nuk ka gjë konkrete për të fituar përveçse zgjerimit të lojës.
Mund të duket fantazi dhe kam refuzuar ta imagjinoj këto ditë. Këto deklaratat e sotme më shtyjnë që t’i mendoj se cilat do të ishin skenaret e mundshme.
Ka mjaft cinizëm për entuziazmin e njerëzve për qëndresën e ukrainasve, por zgjatja e pushtimit. Dhe çmimi i shtrenjtë në njerëz dhe armatime për agresorin rus janë një faktor i madh për të dekurajuar aventura të ngjashme diku tjetër, përfshi edhe Ballkanin. Ashtu si janë edhe solidariteti ndërkombëtar, izolimi i klikës fashiste të Putinit, forca e sanksioneve dhe gatishmëria e NATO-s për të vepruar si Një e vetme.