Policia Shqiptare ka hedhur poshtë aludimet për një përfshirje në trafik klandestinësh dhe droge të disa eksponentëve të kampit të MEK në Shqipëri, duke deklaruar zyrtarisht se bëhet fjalë për një dokument “fake” që po qarkullon lidhur me këtë lajm.
Policia mohon ekzistencën e një raporti të tillë dhe thotë se ky lajm është hedhur qëllimisht në media për të përhapur dezinformim.
Më poshtë reagimi i plotë i Policisë:
Lidhur me lajmin e publikuar në disa media, mbi një raport të Policisë së Shtetit, dërguar ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, që aludon për përfshirjen e komunitetit të muxhahedinëve të strehuar në Shqipëri, në trafikun e klandestinëve dhe të drogës, informojmë se:
Policia e Shtetit nuk i ka dërguar asnjë raport të tillë apo ndonjë tjetër të ngjashëm ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në të cilin flitet për implikimin e grupit MEK në trafikun e klandestinëve apo të drogës. Gjithashtu theksojmë se asnjë raport i tillë nuk është hartuar nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit sqaron se nga verifikimet e kryera rezulton që ky material është hedhur në qarkullim me qëllim dezinformimin e komunitetit.
Duke vlerësuar rolin e medias në informimin e publikut dhe rritjen e transparencës, kërkojmë që në interes të mirinformimit dhe për të shmangur lajme që çojnë në dezinformim, të kontaktohet zyrtarisht Policia e Shtetit, para publikimit.
/b.h