Ish-kapiteni i Kombëtares Shqiptare, Rudi Vata, hedh akuza të forta në drejtim të kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka. Në një prononcim për mediat nga qyteti i Shkodrës legjenda e futbollit shqiptar shprehet se dëmi që i është bërë futbollit në këto 20 vite është i parikuperushëm, pasi Shqipëria ka dalë si vendi me skuadrat më trukuese në historinë e futbollit botëror.
Pjesë nga intervista e dhënë për mediat lokale:
– Si e shihni garën dhe a mund të largohet Armando Duka pas shumë e shumë e vitesh në krye të FSHF?
Rudi Vata: Unë e shoh futbollin si sport. Futbolli është një profesion ku suksesi arrihet përmes mundit, sakrificave, asaj që bën në fushën e stërvitjes, dedikimit dhe gjithë energjive që harxhon. Në përgjithësi futbolli shikohet si lojë bixhozi dhe në përgjithësi njerëzit që kanë investuar te futbolli në Shqipëri nuk kanë pasur lidhje me futbollin dhe sigurisht janë njerëz që kanë kontribuar për të ndërtuar një futboll që për mendimin tim dhe tuajin, jam i sigurt që ju e njihni më mirë fenomenin, futbolli shqiptar është një futboll që është trukuar historikisht. Ne kemi dalë si vendi me skuadrën më trukuese në historinë e futbollit botëror. Ekipi ynë kampion, më i miri i dekadës së fundit, është dënuar me 10 vite mospjesëmarrje në kupat e Europës. Sigurisht ka marrë dhe një gjobë të majme. Ky futboll, që ata kanë treguar që kanë arritur një farë suksesi në arritjet e klubit shqiptar në grupet kualifikuese, mendoj që është pjesë e një strukture të gabuar dhe mendoj që ky lloj futbolli nuk duhet të ekzistojë më për vetë faktin se rinia brezat e rinj që po rriten nëse rriten me mendimin që një ndeshje futbolli është më e lehtë për tu manipuluar dhe sesa për tu fituar; me anë të mënyrës së trukimit, sesa me u stërvit, mendoj që ky nuk quhet sport.
– Çmendim keni për FSHF?
Rudi Vata: Mendoj që janë të gjithë produkt i sistemit shqiptar. Sistemi shqiptar ka treguar që nuk është i drejtë dhe i ndershëm. Nuk është sistem i njerëzve që kanë programe dhe strategji të qarta. Është një sistem ku trukimi është pjesë normale dhe gara sigurisht ka për të qenë kush do të jetë ai që do të mundohet për t’ia hedhur atij tjetrit dhe të dalë fitues nëpërmjet manipulimit, trukimit dhe mundësisë edhe nëpërmjet politikës për të qenë në krye të një institucioni i cili ka nevojë për njerëzit që vërtet e njohin, e kuptojnë, e vlerësojnë dhe sakrifikojnë për futbollin.
/a.r