Të gjitha strukturat paralele në veri të Kosovës, organet e përkohshme (komuna paralele), institucionet e arsimit e të shëndetësisë, të cilat punojnë me ligje të Republikës së Serbisë, përfshirë edhe organizatën e sigurisë të ashtuquajtur “Civilna Zastita” dhe të cilat financohen me buxhetin e Republikës së Serbisë do të vazhdojnë të jenë aktive dhe të funksionojnë edhe në vitin 2016, por edhe më tutje, nëse “Prishtina nuk i zbaton marrëveshjet e Brukselit pikë për pikë”.
Qeveria në Beograd, sipas medieve serbe në veri të Mitrovicës, ka zbatuar dhe ka respektuar të gjitha marrëveshjet e arritur, përfshirë edhe atë për integrimin e pjesëtarëve të “Civilna Zastita”-s në veri. Sipas marrëveshjes, të cilën e kanë bërë publike mediet në veri, integrimi i 483 ish-pjesëtarëve të “Civilna Zastita”-s ka qenë dashur të përfundojë me 1 shtator 2015 me mundësi të zgjatjes së afatit deri më 15 shtator të të njëjtit vit. “Të gjitha obligimet lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje Beogradi i ka plotësuar me përpikëri, përveç ndërprerjen e pagave të pjesëtarëve të ‘CZ’, sepse nuk është përcaktuar qartë se deri kur pala tjetër do t’i integrojë dhe të nisë t’i paguajë pjesëtarët e tjerë, si dhe të gjithë pjesëtarët e integruar të ‘Civilna Zastita’. Është arritur marrëveshje precize se në cilat institucione do të integrohen ata 483 pjesëtarë, por deri më tani janë integruar 105 persona”, sqarojnë mediet serbe, të cituara nga Zëri.