3 ngjarje të rënda kriminale ndodhën brenda 48 orëve në vend, ndërkohë që hetimet e policisë ende nuk kanë pista konkrete apo autorë të dyshuar mbi vrasjet. Më 6 janar, persona të maskuar si policë rrëmbyen Gazmend Çollakun në Durrës në kohën kur 33 vjecari po shkonte te mjeti i tij parkuar në zonën e njohur si “Dy Kullat”. I riu kundërshtoi 4 personat e maskuar si efektivë, por ata e goditën me shkop gome dhe e hipën në një makinë tip audi me portobagazh. Ngjarja ndodhi në një zonë mjaft të populluar, por nga dëshmitë policia mësoi vetëm targën e automjetit të pengmarrësve. Pa kaluar 24 orë 40 km larg Durrësit në fshatin Murqinë të Fushë Krujës policia gjeti 33 vjecarin të ekzekutuar me plumba në kokë dhe të hedhur në kanal. Pistat e ngritura flasin për lidhjet e Çollakut me dy të rinjtë e vrarë në dhjetor, fare pranë Portit, por edhe dyshimet për trafikun e drogës.
Rrëmbimi dhe ekzekutimi mafioz kane mbetur pa asnjë të dyshuar konkret, ndërkohë që e vetmja shprese është gjetja e automjetit që përdorën pengmarrësit. Edhe pse policia ngriti disa postblloqe menjëherë pas ngjarjes, sërish audi me xhama të zinj arriti t’u shpëtojë. Në një kohë që e gjithë vëmendja e policisë ishte te rrëmbimi i Çollakut, 3 orë më pas një tjetër ekzekutim mafioz ndodhi në një tjetër qytet bregdetar. Reagim Meli sapo kishte dalë nga automjeti dhe drejtohej për te banesa e prindërve të tij në lagjen “Rilindja” të Vlorës kur u ekzekutua me disa plumba. 36 vjecari ishte kthyer nga Spanja për festat. Asnjë dëshmitar në vendngjarje, ndërkohë që e vetmja provë e policisë janë gëzhojat e gjetura dhe dinamika e kryerjes së vrasjes. Hetimet nxorën se Meli i njohur dhe me emrin tjetër Andrea Billa është qëlluar nga pas në një distancë të afërt. Nga të dhënat dyshohet se 36 vjecari është vrarë për larje hesapesh në trafikun e drogës edhe pse lidhja mbetet për t’u vërtetuar me informacionin që do vijë nga Spanja, pasi babai i tre fëmijëve në Shqipëri kishte dosje penale të pastër. Nuk do të kalonte shumë dhe në aksin Lushnje-Fier në zonën e njohur si kthesa e Mullirit u qëllua në lëvizje mjeti në të cilin udhëtonin tre persona. Nga të shtënat humbi jetën në vend Granit Kasa 44 vjeç pasagjer në vendin e parë, ndërkohë që u plagosën drejtuesi Klement Kastrati dhe Elton Margariti.
Edhe pse autorët dogjën makinën me të cilën bënë atentatin, policia arriti t’a identifikonte si mjet i marrë me qera në Tiranë. Kjo çoi në arrestimin e Ilir Memushajt, por edhe identifikimin e tre personave të tjerë, ndërkohë që pritet shoqërimi i tyre. Hetuesit dyshojnë se shënjestër e atentatit nuk ishte Kasa, por Klement Kastrati. Për të riun nuk ka shume informacion, ndërkohë që dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje. (Vizion Plus)