Të paktën dy persona dyshohet se e kanë ekzekutuar mbrëmjen e djeshme 30-vjeçarin Can Kariçi në Kodër Kamëz.
Sipas informacioneve, bëhet me dijen se makina “Audi” që u dogj në Institut e cila dyshohet se është e autorëve, ishte me targa të huaja. Brenda saj është gjetur edhe një kallashnikov. Dy atentatorët, njëri mund të ketë bërë rolin e qitësit, ndërsa tjetri ka drejtuar makinën, ende nuk janë identifikuar.
Kariçi dyshohet se është ruajtur dhe më pas ekzekutuar me psitoletë sapo ka ndezur makinën në rrugën “Nikoll Vatnikaj”. Ai është qëlluar brenda makinës me targa të huaja të cilën e përdorte për të lëvizur. Mësohet se viktima është qëlluar me armë zjarri të pajisur me silenciator, pasi nuk janë dëgjuar të shtëna në zonë.
Can Kariçi 30-vjeç me origjinë nga Dibra, mësohet se ishte banues në lagjen Nr.1 Bathore. Viktima ka qenë me precedent të mëparshme penale, konkretisht në fushën e krimeve kundër personit. Të njëjtat burime bëjnë me dije se Can Kariçi ishte shok me Erigers Mihasin. Ky i fundit bashkë me Armand Dumanin, u vranë me breshëri kallashnikovi brenda një makine Audi të bardhë në lagjen e Astirit. Po ashtu viktima e sotme raportohet të ishte mik edhe me Vis Martinajn, një emër ky i lakuar shpesh herë në botën e krimit.
Pas ekzekutimit, mbrëmjen e djeshme, një makinë tip “Audi” është gjetur e djegur në Institut, disa kilometra larg vendit të ngjarjes.
Njoftimi i policise per ngjarjen
Më datë 23.12.2021, rreth orës 19:56, në Kodër Kamëz, në rrugën “Nikoll Vatnikaj”, në rrethana ende të paqarta dyshohet se është vrarë me armë zjarri brenda në një automjet me targa të huaja, shtetasi C. K., rreth 35 vjeç, banues në lagjen Nr.1 Bathore.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje së bashku me grupin hetimor.
Është rrethuar zona dhe vijon krehja e saj për të bërë të mundur kapjen e autorit/ëve.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethaneve të ngjarjes, sekuestrimin e çdo prove të mundshme materiale që shërben për identifikimin e autorëve.
g.kosovari