Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili kërkoi prishje të vendimit të GJKKO për hapje të hetimit për dosjen “Gërdeci”.
Mediu kundërshtoi vendimin e Apelit të GJKKO-së, që i hapi rrugën rihetimit të çështjes së tij. Ndërkaq avokati Ardian Visha e konsideroi si anti-kushtetues vendimin e Apelit.
Mbrojtja e Mediut argumentonte se vendimi është i cenueshëm, sa kohë një gjykatë e një shkalle më të vogël ka rrëzuar një vendim të Gjykatës së Lartë.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, regjistroi procedim penal ndaj ish-ministrit për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues.
Lëvizja erdhi pasi Gjykata e Posaçme e Apelit, GJKKO vendosi më 24 shtator rikthimin për hetim në SPAK të dosjes “Gërdeci”.