Nikoll Lesi ka bërë një shkrim ku shpreh të gjithë zhgënjimin që ka nga politika.
Ai tregon se si ndër vite është investuar për promovimin e politikanëve të ndryshëm por që pasi kanë marrë pushtetin nuk janë kujtuar më për të.
Më poshtë po përcjellim shkrimin e plotë të botuesit të “Koha Jonë” ku rrëfehet brenga e madhe.
“Në këto 30 vite në media e në politikë kam parë se si janë në opozitë, shumica e politikanëve vendimmarrës që kanë patur apo kanë në duar fatet e vendit. Realisht, vetëm në opozitë janë të përkujdesuar deri në sforcim respekti për median e lirë, servilë, interesaxhinj, që vinin dhe thonin se “ju po bëni histori”, “se kur të vijmë në pushtet do vendosim rregulla konkurence të barabarta” etj.
Një mori premtimesh për një demokraci funksionale.
Një pjesë jo të vogël të tyre “KOHA JONË” i ka mbajtur edhe me “bukë”, pasi lekët e shitjes masive të gazetës shkuan edhe te orenditë që mbajnë nëpër shtëpi, natyrisht e meritonin se ishin paga dhe honorare. Por sapo vijnë në pushtet harrojnë sepse lidhen me ata që u servilosen, pasi nuk duan kritika.
Duan vetëm lavde dhe vetëm ato media ku ndërthuren interesat e pushtetit me ato të pronarëve të medias.
Një pafytyrësi shembullore shqiptare nga ky soj politikanësh, të cilët i kam parë në opozitë se si të rrijnë, bile edhe duke të hedhur sheqerin në kafe kur kishin nevojë për tu evidentuar apo mbrojtur nga pushteti.
Dhe sapo vinin vetë në pushtet, harronin. Bile tjetërsohen. Në mos edhe të sulmojnë apo punojnë për të falimentuar, sepse nuk kanë më interes për ndihmën tënde, të dikurshme.
Harresa nuk ishte të shpërblimi pasi çdo media serioze e mban vetë shtyllën kurrizore dhe orientimin editorial. Harresa ishte se edhe ata që ishin opozitarë të radhës sa vinin në majë të pushtetit vepronin si paraardhësit, apo edhe mos më keq.
Pikërisht opozitarët bëhen më keq se sa pushteti që rrëzojnë.
Të paskrupullt dhe pisa si njerëz!
Natyrisht që faji mbetet edhe për ne si media të lira që u kemi dhënë “pushtet” publik. Por faji ishte se nuk i njihnim dhe se opozita si rregull duhet përkrahur e ndihmuar, pasi nëse një vend nuk ka opozitë të fortë atëherë pushteti bën si të dojë me qytetarët e thjeshtë.
E keqja mbetet se kështu kanë vepruar krejt opozitat që nga viti 1992 e këtej.
Sa janë pa pushtet e duan pushtet vijnë e trokasin te mediat e pa lidhura me interesa me pushtetin.
Kam parë shumë, realisht, nga ky soj.
Edhe njëherë një sqarim: Media e lirë kërkon vetëm zbatim ligji dhe konkurrencë të lirë.
Prapë sot kemi një Opozitë që vepron si të tjerat opozita tash 30 vite.
Hajde e besoji edhe këta!
Ndaj shoqëria shqiptare ka nevojë për një reformim total të kësaj klase politike”, shkruan Lesi.