Vatikani këtë ditë të parë të vitit ka qenë i blinduar për meshën e parë të Papa Françeskut për 2016-n. Në të gjitha rrugët përreth sheshit Shën Pjetër ka patur prani të theksuar të forcave të rendit dhe pika të shumta kontrolli.
Në fjalën e tij, ati i shenjtë tha se, “format e shumta të padrejtësive dhe dhunës lëndojnë çdo ditë njerëzimin”.
“Çdo ditë, ndërsa duam të ndjejmë sinjalet e pranisë së Zotit rreth nesh, na duhet të përballemi me sinjale të kundërta dhe negative, që na bëjnë të ndihemi sikur ai nuk është pranë nesh”, u shpreh Papa Françesku.
“Një lum mjerimi, i ushqyer nga mëkati duket se kundërshton tërësinë e kohës së realizuar nga Krishti. Megjithatë, ky lum i tejmbushur nuk mund të bëjë asgjë përballë oqeanit të mëshirimit që përmbyt botën tonë. Duhet të përfshihemi të gjithë në këtë oqean dhe të lejojmë veten tonë të rigjenerohet”, tha Papa.
Është oqeani i mëshirimit, vijoi ai, që mund të ripërtërijë njeriun për të fituar ndaj indiferencës që pengon solidaritetin dhe për të dalë nga neutraliteti i rremë që pengon gjithëpërfshirjen.
“Krishti na shtyn të bëhemi bashkëpunëtorët e tij në ndërtimin e një bote më të drejtë”, tha më tej Papa Françesku, shkruan Top Channel.