Kontrolli i Lartë i Shtetit zbarkoi në Drejtorinë e Burgjeve duke konstatuar problematika serioze, në depot farmaceutike u gjet edhe një medikament me element kancerogjen. Administrata kaotike, nuk plotësohen dot 220 vende vakante, 85 % e tenderave në 2020 u zhvilluan me procedurën “negocim pa shpallje”
Në depot farmaceutike të burgjeve ka medikamente të skaduara dhe që përmbajnë elementë kancerogjenë. Ky është vetëm një nga konstatimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në një raport për aluditimin financiar dhe ligjor në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Raporti i siguruar nga Shqiptarja.com përfshin periudhën janar 2019 deri në dhjetor 2020. Audituesit kanë konstatuar se depoja farmaceutike e burgjeve është jo vetëm jashtë standardeve, por janë gjetur edhe medikamente të skaduara. “Gjithashtu, nga kontrolli fizik i kryer në magazinën e medikamenteve, u konstatuan medikamente të skaduara që në vitin 2019, por që në inventarizimin e bërë në fund të po këtij vit, nuk rezultojnë të jenë identifikuar dhe deklaruar si të skaduara dhe për pasojë të përfshiheshin në listën e medikamenteve të propozuara për tu nxjerrë jashtë përdorimi, duke fryrë fiktivisht gjendjen e medikamenteve të mundshme për përdorim”, thuhet në raport.
Në raportin e KLSH thuhet se në magazinën e medikamenteve është konstatuar edhe një medikament i rrezikshëm. Sipas raportit “Një problematikë tjetër e konstatuar në magazinën e medikamenteve, është prania e medikamentit Ranitidinë. Ky medikament, sipas njoftimit të bërë nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) në 25.09.2019, nuk duhet të përdoret pasi sipas njoftimeve të FDA dhe EMA, përmban elementë kancerogjenë dhe nga AKBPM është kërkuar tërheqja e këtij medikamenti nga të gjitha institucioneve shëndetësore. Edhe pse sa më sipër, DPB dhe kompania furnitore F, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për tërheqjen e këtij medikamenti nga tregu”.
Durilak, Nacl 0.9%, Haloperidol, Ranitidine, 2 lloje Luminal) janë marrë në dorëzim në
kundërshtim me kushtet e kontratës, me afat skadence më të vogël se 1.5 vite dhe si rrjedhojë e këtij fakti kanë skaduar në depon farmaceutike të DPB-së”, thuhet në raport.
85 % e tenderave pa garë
Tenderat e zhvilluar nga Drejtoria e Burgjeve apo edhe nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara për llogari të burgjeve, kanë qenë në fokusin e kontrollit të KLSH, ku janë konstatuar abuzime serioze. Sipas raportit, për vitin 2020, 85 % e tenderave të Drejtorisë së Burgjeve janë zhvilluar me pa garë, me procedurën “negocim pa shpallje”, e cila mbart një risk të lartë për abuzim. “Gjatë vitit 2020, DPB ka zhvilluar 16 procedura prokurimi në vlerën totale të kontratës prej 182,353,155 lekë pa tvsh, nga të cilat 6 procedura “negocim pa shpallje” me vlerë kontrate 155,337,397 lekë pa tvsh (ose rreth 85 % e total e procedurave të kryera rezultuan të jenë “procedura me negocim pa shpallje””, vijon raporti.
Emergjenca duhet të shmanget
Tenderat pa garë me vlerë mbi 5 milionë lekë zhvillohen në raste të veçanta dhe në kushte emergjente. Në rastin konkret, Drejtoria e Burgjeve ka zhvilluar tendera duke paracaktuar fituesin, pasi më parë procedura e prokurimit kishte dështuar nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara. KLSH rekomandon që për të evituar abuzimet, të merren “masa për realizimin në kohë të procedurave të prokurimit, me objekt furnizimin me ushqime për të dënuarit, për të minimizuar dhe/ose shmangur procedurat, të cilat mund të sjellin risqe në përdorimin dhe administrimin e fondeve buxhetore me ekonomicitet, eficiencë dhe efektivitet”.
Administrata në kaos
Kontrolli i Latë i Shtetit ka konstatuar si një situatë kaotike në lidhje me emërimet në administratën e burgjeve. Sipas raportit, me gjithë përpjekjet, nuk është arritur që të plotësohen 220 vende vakante në administratën e burgjeve. “Kështu, mosplotësimi i vakancave të vendeve të punës për 220 pozicione, në nivele civile, në nivele drejtuese dhe inspektorë të policisë pranë IEVP-ve, janë për shkak të mospërshtatshmërisë së punonjësve të ardhur nga Policia e Shtetit në sistemin e burgjeve, të vendit të punës larg vendbanimit, të verifikimit të gjendjes gjyqësore me probleme, të kriterit të moshës, të kriterit të testimit fizik, ose të masave disiplinore të mëparshme”, thuhet në raport.
Dy struktura, dy urdhra
Sipas raportit të kontrollit, Drejtoria e Burgjeve operon me dy struktura bazuar në dy urdhra të kryeministrit, një situatë kjo e paprecedentë. Më konkretisht, KLSH-ja ka konstatuar se “Aktualisht DPB operon me dy struktura, në bazë të dy Urdhrave të Kryeministrit nr. 49 datë 16.04.2015 “Për miratimin e Strukturës e të Organikës së Drejtorisë së Përgjithshme të
Burgjeve dhe sistemit të institucioneve në varësi të saj” dhe nr. 58 datë 24.04.2017 “Për miratimin e Strukturës e të Organikës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe sistemit të institucioneve në varësi të saj”. Urdhri i Kryeministrit nr. 49 datë 16.04.2015 rezulton të mos jetë shfuqizuar dhe për pasojë të dy aktet janë në fuqi njëkohësisht. Ky ngërç, për stafin e punonjësve me status të nëpunësit civil të DPB, ende nuk ka marrë zgjidhje juridike nga strukturat shtetërore përkatëse të Ministrisë së Drejtësisë”. Shqiptarja.com