Deklaratat e forta të anëtares së Partisë Republikane në SHBA Evi Kokalari, e cila teksa shoqëronte Sali Berishën gjatë “Foltores” në Durrës tha se Lulzim Basha, mbylli dosjen e tij të lobimit rus në SHBA me përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar, i ka mbështetur edhe ish-sekretari i përgjithshëm i PD Arben Ristani, gjithashtu i akuzuar për këtë lobim madje i marrë dhe i pandehur, por që doli i pafajshëm.
Në emisionin “Repolitix” në Report Tv Ristani tha se akuza e Bashës për pastrim parash për shkak se ka paguar me 500 mijë dollarë në të zezë lobistin Nick Muzin, në Uashington, ra papritur, duke nisur më pas hetimet për akuzën për falsifikim dokumentesh. Prokuroria tha Ristani mbylli hetimin për pastrim parash në momentin që do vinte të deklaronte lobisti Muzin. Ndonëse nuk erdhi të dëshmonte në vendin tonë, sipas Ristanit lobisti ka deklaruar në SHBA dhe ajo është marrë si provë nga ambasada e SHBA në Tiranë. Me këtë provë tha Ristani, Basha është presionuar nga ambasada amerikane për të përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar i PD. Përfshirja e tij dhe e financierit Ilir Dervishi në këtë çështje për falsifikim formulari në lidhje me deklarimet e shpenzimeve pranë KQZ për dosjen e lobimit me para ruse në SHBA në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, Ristani thekson se ishte një mënyrë që Basha të humbë gjurmët e tij te të tjerët.
Akuza se kreu i PD e ka “shitur” ish kryeministrin për të mbyllur çështjen e lobimit rus vjen për herë të parë e thënë pikërisht në “Foltoren” e Sali Berishës, i cili pasi Basha e përjashtoi nga PD po bën gjithçka që të rrëzojë këtë vendim.
Pjesë nga fjala e Arben Ristanit në emisionin Repolitix:
Denis Minga: Çfarë po ndodh, pse ia risjellin këtë dosje Bashës që sipas Evi Kokalarit ekziston në SHBA?
Arben Ristani: Unë besoj që informacioni juaj për publikun do ishte më i plotë nëse do kishit mbledhur dhe një deklarim tjetër që Basha thotë se 500 mijë dollarë i ka mbledhur nga shqiptarët e amerikës. Dosja e prokurorisë ka pasur këto 2 të dhëna. Ka një shumë prej 675 mijë dollarësh të deklaruara nga lobisti te institucionet. Nga këto 25 nga PD dhe kjo është në rregull me letra nga arka e PD, 150 nga një kompani skoceze nga biniata trades, kompani e krijuar vetëm për këtë veprim dhe pastaj është mbyllur dhe 500 të tjera sipas deklarimit publik të Bashës i ka mbledhur nga shqiptarët e amerikës. Në KQZ deklarohen ato që PD i ka lekë të vetatm, që i ka bërë hyrje në arkë dhe i shpenzon për veprimtarinë e PD. Lekët e tjera s’kanë kaluar nga PD as kanë hyrë nga PD as kanë kaluar nga PD. Kemi deklarimin e një amerikani që thotë se për këtë kam marrë kaq lekë… 500 në dore.
Prokuroria thoshte se kemi të bëjmë me pastrim parash sepse këto 500 janë të padeklaruara, pare të zeza, pa burim. Prokurora thoshte se kemi 2 pika ku mbështetemi për ta vërtetuar, deklarimin e lobistit te organet amerikane dhe konfirmimin e të bashës në studio televizive dhe mbi këtë bazë u nis akuza për pastrim parash. Prokuroria kërkoi të merrej dëshmia përpara organeve gjyqësore të SHBA e Nick Muzin seps edeklarimi para institucioneve financiare amerikane spërbënte provë ligjore. Duhej të merrej nga institucioetn gjyqësore që të kthehej në dëshmi ligjore. Amerikanët kthejnë përgjigje që ka 2 mundësi ose Nick do duhet t ëvetëofrohet për të deklaruar ose duhet ta kalojmë përmes procedurave tona gjyqësore dhe kjo është një procedura që zgjat. Nëse e doni më shpejt Muzin ofrohet për të deklaruar nëse i jepni mbrojtje nga inkriminimi.
Në moment që vjen kjo përgjigje Prokuroria në mënyrë të çuditshme mbyll akuzën papritur për pastrim parash dhe ngre një akuzë idiote për falsifikim dokumentash. Çështja për falsifikim bie sepse s’kishte prova. Në dijeninë time, Nik Muzin e ka bërë dëshminë ligjore në amerikë duke dëshmuar të njëjtat gjëra, të njëjtat pagesa dhe tashmë ajo është shëndrruar në një provë. Thuhet se kjo ka ardhur këto vdhe ka përbërë një material, ka ardhur në ambasadë dhe mund të ketë përbërë bazën për të presuar Bashën të bënte veprimet që ka bërë.
Denis Minga: A është fajtor Basha?
Arben Ristani: Unë nuk e ndaj dot këtë por besoj se deklarimi publik që ka bërë se ka marrë 500 mijë dollarë nga shqiptarët e amerikës besoj se ka nevojë për t’u sqaruar. Por në këto rrethana s’mund të them se është ose jo fajtor.
Denis Minga: Heshtja e prokurorisë pazar Rama Basha?
Arben Ristani: Do futemi përsëri në nivel spekulimi por ajo që mund të them është se mbyllja e akuzës për pastrim parash ishte e pashpjegueshme, s’kishte shpjegim ligjor. Aty kanë ndodhur historira që është shkarkuar dhe prokurori në sallën e gjyqit. Përfshirja dhe e imja apo e financierit të partisë në këtë çështje ishte një mënyrë për ta kaluar përgjegjësinë dhe për të humbur gjurmët te të tjerë, unë s’kam pasur vula dhe as dijeni.
Historia e dosjes së lobimit rus nga PD
Të nisura jo me pak bujë, hetimet për kontratat e lobimit të Partisë Demokratike, u pushuan nga Gjykata Penale e Tiranës në 2020. Pasi dëgjoi palët, gjykata arriti në përfundimin se nuk ka fakte që të provojnë akuzat e ngritura për falsifikim të formularëve, në lidhje me deklarimet e Partisë Demokratike në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për shpenzimet e fushatës elektorale të vitit 2017. Prokuroria i nisi hetimet mbi dyshimet e revistës amerikane ‘Mother Johnes’ se kompania amerikane ‘Muzin Partners’ ishte paguar 675 mijë Dollarë nga kompania offshore ‘Biniata Trade’ me pronarë rusë, për të lobuar për llogari të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 500 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit duke ngritur dyshime për origjinën e parave duke sjellë nisjen e hetimeve nga prokuroria, që u pushuan nga gjykata. Lulzim Basha së bashku me ish-sekretarin e përgjithshëm të PD-së, dhe Ilir Dervishin sipas prokurorisë akuzoheshin për falsifikim dhe fshehje të financimeve. Lulzim Basha akuzohej se kishte fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017. Hetimet për këtë dosje sollën përplasje në Prokurorinë e Tiranës mes prokurorëve Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha, nga njëra anë, dhe Kolë Hysenajt nga ana tjetër. Dy të parët i mbyllën hetimet më 7 Nëntor të vitit 2019, duke ngritur vetëm akuzën për falsifikim të formularëve dhe duke rrëzuar atë për pastrim parash. Njësoj ndodhi dhe me akuzën për falsifikim dokumentesh.